Aleanca la të hapur mbështetjen për presidentin me kushte – njohësit zbërthejnë prapavijën dhe kalkulimet politike!

Politika

Aleanca la të hapur mbështetjen për presidentin me kushte – njohësit zbërthejnë prapavijën dhe kalkulimet politike!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 9 korrik 2026 Në ora: 16:07
Fotoilustrim

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka ritheksuar se nuk do të bëhet pjesë e një qeverie të udhëhequr nga Albin Kurti, duke theksuar se qëndrimi i saj ndaj një koalicioni qeverisës mbetet i pandryshuar.

Sipas partisë, ky vendim nuk përjashton gatishmërinë për të kontribuuar në tejkalimin e bllokadës institucionale.

AAK ka bërë të ditur se është e hapur të mbështesë zgjedhjen e presidentit të vendit, por vetëm nëse arrihet një marrëveshje politike e bazuar në kushte dhe prioritete konkrete që, sipas saj, janë në interes të qytetarëve dhe të shtetit.

Partia thekson se mbështetja për presidentin nuk duhet të interpretohet si hyrje në koalicion qeverisës apo ndryshim i rolit të saj opozitar.

Për AAK-në, bëhet fjalë për një përgjegjësi institucionale që synon të shmangë krizën politike dhe funksionimin normal të institucioneve.

Sipas deklarimeve të AAK-së, çdo bashkëpunim i mundshëm do të kushtëzohet nga respektimi i pikave programore që ajo ka prezantuar më herët, duke përfshirë çështje që lidhen me zhvillimin ekonomik, energjinë, bujqësinë dhe infrastrukturën.

Partia insiston se këto kushte duhet të jenë pjesë e çdo marrëveshjeje të mundshme politike.

Të gjendur në këtë situate, a është kjo një strategji për të ruajtur identitetin opozitar, ndërsa njëkohësisht lë hapësirë për kompromis institucional, apo mund të interpretohet si hap drejt një bashkëpunimi të pjesshëm me LVV-në?

Zogaj: Është e vështirë të kuptohet qëllimi i vërtetë i AAK-së

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur publicisti Skënder Zogaj.

Ai tha se qëndrimi i AAK-së duket kontradiktor, pasi refuzon të hyjë në qeveri, por lë të hapur mundësinë për të mbështetur zgjedhjen e presidentit me kushte.

Sipas tij, përmes kësaj qasjeje AAK synon të forcojë profilin e saj si opozitë dhe të paraqitet si një parti me përgjegjësi institucionale.

Image
Skënder Zogaj

“Është e vështirë të kuptohet qëllimi i vërtetë i AAK-së, e cila deklaron se nuk do të bëhet pjesë e Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, por, njëkohësisht, shpreh gatishmërinë për ta mbështetur zgjedhjen e Presidentit dhe krijimin e institucioneve, nëse pranohen kushtet e saj programore në fushën e energjisë, ekonomisë, bujqësisë dhe infrastrukturës.

Këto janë prioritete që, në parim, duhet t’i përkasin të gjitha partive politike. Megjithatë, AAK-ja ka nxituar t’i artikulojë si platformë të saj, duke synuar të fitojë avantazh politik. Kjo lëvizje ka një efekt të dyfishtë: forcon identitetin e saj opozitar dhe e paraqet si një subjekt me vizion e përgjegjësi institucionale. Prandaj, nuk ka dyshim se synimi kryesor është konsolidimi i profilit të saj si opozitë”, thotë ai.

Duke vazhduar, publicisti shton se AAK po përpiqet të paraqitet si një faktor konstruktiv në zgjidhjen e krizës politike, pa hequr dorë nga identiteti i saj opozitar.

Ai vlerëson se qasja e AAK-së ka qenë më transparente dhe më e qartë se ajo e PDK-së dhe LDK-së gjatë kësaj periudhe të krizës.

“Nga ky këndvështrim, kjo deklaratë mund t’i shërbejë AAK-së për të zgjuar interesimin e elektoratit dhe për ta pozicionuar si një faktor konstruktiv në zgjidhjen e krizës politike, e cila vazhdon ta mbajë peng funksionimin normal të institucioneve dhe të ardhmen politike të Kosovës.

Në të njëjtën kohë, AAK-ja po përpiqet të krijojë një kthesë në favor të pozitës së saj elektorale, por pa e cenuar identitetin opozitar. Një bashkëpunim me LVV-në, të cilën e ka kundërshtuar vazhdimisht dhe me tone të ashpra, do të ishte vështirë i pajtueshëm me këtë identitet dhe, për rrjedhojë, duket politikisht pothuajse i pamundur.

E vlerësoj pozitivisht transparencën e AAK-së në këtë qasje. Deri më tani, ajo po e ushtron rolin e opozitës më qartë dhe më konsekuent se PDK-ja dhe LDK-ja, të cilat, të paktën në këtë fazë të krizës politike, po shfaqin më shumë hezitim dhe luhatje në qëndrimet e tyre”, foli Zogaj për “Bota sot”.

Haziri: Kushtet të cilat i ka paraqitur Aleanca për të qenë pjesë e procesit për formimin e institucioneve të reja janë pozitive

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Nexhat Haziri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, vlerëson se AAK është partia që ka shprehur më qartë qëndrimin e saj për formimin e institucioneve dhe se kjo tregon gatishmëri për të ndihmuar në tejkalimin e krizës politike.

Ai thotë se ky qëndrim lidhet edhe me interesin e liderit të ri, Ardian Gjini, për të shmangur zgjedhjet e reja dhe për të konsoliduar udhëheqjen e tij në parti.

Image
Nexhat Haziri

“Mendoj se, nga të gjitha partitë parlamentare, vetëm Aleanca e ka bërë të qartë pozicionin e vet në raport me procesin për formimin e institucioneve të Kosovës. Kjo duhet parë si vullnet i mirë dhe përkushtim i kësaj partie politike për të dhënë kontributin e vet që vendi të dalë nga kjo krizë politike dhe institucionale, e cila po vazhdon tash e dy vite.

Ky pozicion i Aleancës mund të interpretohet edhe nga një prizëm tjetër, ku tani ajo ka një lider të ri, siç është Ardian Gjini, i cili mund ta shohë se një proces i ri zgjedhor, në të cilin mund të shkojë vendi sërish, nuk do të ishte i mirëpritur për të dhe për subjektin e tij. Jo vetëm për faktin se mund ta rrezikonte pozitën e Aleancës si parti parlamentare, por edhe sepse do të ishte pengesë e madhe për konsolidimin e udhëheqjes së z. Gjini si kryetar i partisë, si dhe për zbatimin e reformave dhe ndryshimeve të reja që ai ka në plan t'i bëjë, në mënyrë që Aleanca të jetë më garuese dhe me më shumë peshë në skenën politike kosovare”, shpjegon analisti.

Në fund, ai potencon se kushtet e AAK-së janë në interes të qytetarëve dhe i bën thirrje LVV-së t’i marrë parasysh, duke shpresuar që kjo qasje të ndiqet edhe nga partitë e tjera për të zhbllokuar institucionet.

“Kushtet të cilat i ka paraqitur Aleanca për të qenë pjesë e procesit për formimin e institucioneve të reja janë pozitive dhe esenciale për qytetarët dhe vendin, prandaj do të duhej të merreshin parasysh nga partia e parë, në këtë rast nga LVV-ja.

Dhe krejt në fund, shpresoj se ky vullnet i mirë dhe serioziteti i Aleancës të jetë shembull edhe për partitë e tjera, në mënyrë që të formohen institucionet dhe vendi të fillojë të funksionojë normalisht”, përfundoi analisti Haziri për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat