Gjashtë deputetë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe dy partitë opozitare PDK dhe AAK kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër votimit të kandidatit për president i cili doli nga marrëveshja LVV- LDK, Bekim Sejdiu.
Gjashtë deputetët të LDK-së, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Arben Gashi, Armend Zemaj dhe Janina Ymeri, janë duke kundërshtuar marrëveshjen për president, duke thënë se vota e tyre është kundër bashkëpunimit me LVV-në dhe “zgjatjen e pushtetit” të Kurtit.
Ndërsa, qëndrimin e tyre kundër partitë opozitare kanë shprehur që nga fillimi, pavarësisht emrit të propozuar.
Partia Demokratike e Kosovës e cila ka 22 deputetë në Kuvend ka refuzuar të bashkëpunojë me Kurtin, si për Qeverinë, ashtu edhe për presidentin, duke deklaruar se këtë mandat do të qëndrojë në opozitë.
Kurse, AAK e cila ka shtatë deputetë kanë paraqitur gjashtë kushte në këmbim të mbështetjes për institucione, duke refuzuar edhe të takohen me Kurti pa realizimin e kushteve.
Analisti politik Lirim Gashi, i pyetur nga “Bota sot”, nëse PDK dhe AAK duhet ta rishqyrtojnë qëndrimin e tyre dhe ta votojnë Bekim Sejdiun, thotë se duhet.
Sipas tij, vota për Bekim Sejdiun nuk do të duhej të interpretohej domosdoshmërisht si votë për marrëveshjen Kurti-Abdixhiku
“Po, mendoj se duhet ta rishqyrtojnë seriozisht qëndrimin e tyre. Jo sepse PDK-ja apo AAK-ja duhet t’i bëjnë ndonjë favor Albin Kurtit, Lumir Abdixhikut apo cilësdo parti tjetër, por sepse zgjedhja e Presidentit dhe funksionalizimi i institucioneve janë në radhë të parë në interes të Kosovës dhe të qytetarëve të saj. Nëse për një kohë të gjatë ke kërkuar që vendi të dalë nga bllokada institucionale, atëherë momenti kur shfaqet një mundësi konkrete për tejkalimin e saj duhet trajtuar me përgjegjësi shtetërore dhe jo vetëm me kalkulime partiake.
Vota për Bekim Sejdiun nuk do të duhej të interpretohej domosdoshmërisht si votë për marrëveshjen Kurti-Abdixhiku. Ajo mund të jetë, mbi të gjitha, votë për funksionalizimin e shtetit. Dhe mendoj se pikërisht këtu qëndron thelbi i çështjes: një parti opozitare nuk duhet të ketë frikë nga funksionalizimi i institucioneve vetëm sepse një marrëveshje politike e ka bërë të mundur atë”, deklaron Gashi.
Sipas tij, opozita nuk është e detyruar të mbështesë çdo marrëveshje të shumicës, por ekziston edhe përgjegjësia që të bëhet dallimi ndërmjet kundërshtimit politik dhe interesit institucional.
“Natyrisht që është e drejtë e tyre që mos do ta mbështesin kandidaturën.
Opozita nuk është e detyruar ta mbështesë çdo marrëveshje të shumicës. Demokracia presupozon edhe të drejtën për të kundërshtuar, për të mos u pajtuar dhe për të kërkuar alternativa. Por krahas kësaj të drejte ekziston edhe një përgjegjësi: të bëhet dallimi ndërmjet kundërshtimit politik dhe interesit institucional. Nëse PDK-ja dhe AAK-ja kanë vërejtje konkrete ndaj Bekim Sejdiut — ndaj integritetit të tij, kompetencave, përvojës apo përshtatshmërisë së tij për postin e Presidentit — atëherë këto janë çështje legjitime dhe duhet të parashtrohen hapur para opinionit publik. Por nëse arsyeja kryesore për refuzimin është vetëm fakti se Sejdiu është produkt i marrëveshjes ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, atëherë kemi një problem tjetër: po e vendosim marrëveshjen partiake mbi nevojën institucionale.
Presidenti i Kosovës nuk është president i LVV-së, i LDK-së, i PDK-së apo i AAK-së.
Ai duhet të jetë President i Republikës së Kosovës”, pohon analisti për “Bota sot”.
Ekziston rrezik që vendi të hyjë përsëri në një cikël bllokimi politik, thotë Gashi, prandaj sipas tij, Kosova nuk e ka luksin të rikthehet vazhdimisht në të njëjtin rreth vicioz.
Ai kërkon që PDK dhe AAK të mos e shohin situatën si garë për të përcaktuar se kush po fiton pikë politike ndaj kujt, por si një mundësi për t’i dhënë fund një kapitulli të lodhshëm të bllokadës institucionale.
“Po, ky rrezik ekziston dhe nuk duhet nënvlerësuar. Kosova nuk e ka luksin të rikthehet vazhdimisht në të njëjtin rreth vicioz: partitë kërkojnë funksionalizimin e institucioneve kur janë në opozitë, ndërsa kur paraqitet një kompromis konkret për t’i funksionalizuar ato, kompromisi fillon të shihet si humbje politike.
Kjo nuk i bën mirë demokracisë dhe aq më pak shtetit.
Politika është edhe arti i kompromisit. Në një demokraci të shëndoshë, jo gjithmonë fiton ai që merr gjithçka që dëshiron. Ndonjëherë fiton shteti pikërisht atëherë kur palët pranojnë të marrin pak më pak nga ajo që do ta dëshironin për vete.
Prandaj do të doja që PDK-ja dhe AAK-ja ta shihnin këtë situatë jo si një garë për të përcaktuar se kush po fiton pikë politike ndaj kujt, por si një mundësi për t’i dhënë fund një kapitulli të lodhshëm të bllokadës institucionale.
Në fund të fundit, një kompromis politik nuk duhet të matet vetëm me atë se kush fiton politikisht, por edhe me atë se çfarë fiton shoqëria dhe shteti”, shprehet Gashi.
I pyetur nëse kundërshtimi ndaj Sejdiut një qëndrim parimor apo një betejë politike kundër shumicës së re, Gashi shprehet se duhet vlerësuar nga vetë PDK-ja dhe AAK-ja.
Por, sipas tij, debati duhet të zhvendoset nga pyetja se kush e propozoi Bekim Sejdiun te pyetja shumë më e rëndësishme: çfarë Presidenti mund të jetë ai për Republikën e Kosovës?
“Këtë duhet ta vlerësojnë vetë PDK-ja dhe AAK-ja. Unë nuk do t’u atribuoja motive që ato vetë nuk i kanë deklaruar.
Por mund të them një gjë: një kundërshtim parimor duhet të shoqërohet me një argument parimor.
Nëse thuhet: „Ne nuk e votojmë Sejdiun sepse ai është kandidat i marrëveshjes Kurti-Abdixhiku“, atëherë kemi të bëjmë me një qëndrim politik.
Nëse, ndërkaq, thuhet: „Ne nuk e votojmë sepse kemi kundërshtime konkrete ndaj personalitetit të tij, profesionalizmit, përvojës apo vizionit të tij për institucionin e Presidentit“, atëherë kemi një argument që mund dhe duhet të diskutohet seriozisht.
Prandaj mendoj se debati duhet të zhvendoset nga pyetja se kush e propozoi Bekim Sejdiun te pyetja shumë më e rëndësishme: çfarë Presidenti mund të jetë ai për Republikën e Kosovës?
Kjo do ta ngrinte debatin nga niveli i kalkulimit partiak në nivelin e interesit institucional”, thekson analisti.
Gashi Sejdiun e sheh një kandidat që ka dalë ka dalë nga një marrëveshje ndërpartiake dhe kjo, në vetvete, është diçka pozitive.
Sipas tij, LVV-ja dhe LDK-ja kanë treguar gatishmëri për kompromis në një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme për funksionimin e institucioneve.
“Do të isha pak më i kujdesshëm me termin „kandidat konsensual“.
Në kuptimin e plotë të fjalës, një kandidat konsensual do të ishte ai për të cilin ekziston një pajtim dukshëm më i gjerë politik.
Por është e padiskutueshme se Bekim Sejdiu është një kandidat që ka dalë nga një marrëveshje ndërpartiake dhe kjo, në vetvete, është diçka pozitive.
LVV-ja dhe LDK-ja kanë treguar gatishmëri për kompromis në një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme për funksionimin e institucioneve.
Tani është radha edhe e opozitës të tregojë nëse është e gatshme të bëjë një hap në drejtim të kompromisit, nëse vlerëson se kjo i shërben interesit të Republikës.
Sepse konsensusi nuk ndërtohet vetëm duke kërkuar që të tjerët të bëjnë kompromis. Konsensusi ndërtohet kur secila palë është e gatshme të lëvizë nga pozicioni i saj”, shton Gashi.
Tutje, ai i drejtohet PDK-së dhe AAK-së që nëse nuk e shohin të përshtatshëm Sejdiun duhet t’ua shpjegojnë qytetarëve me argumente.
“Do t’u thosha diçka shumë të thjeshtë:
Mos e votoni Kurtin. Mos e votoni Abdixhikun. Votoni atë që mendoni se është më i miri për Republikën e Kosovës.
Nëse mendoni se Bekim Sejdiu është kandidat i denjë dhe i përshtatshëm për këtë detyrë, atëherë votojeni.
Nëse mendoni të kundërtën, shpjegojuni qytetarëve me argumente pse nuk e votoni.
Por ajo që duhet shmangur është që Kosova të bëhet peng i një konflikti të pafundmë ndërmjet partive.
Qytetari nuk e sheh shtetin nga këndvështrimi i llogoreve partiake. Ai dëshiron të dijë nëse institucionet funksionojnë, nëse vendi ecën përpara dhe nëse politika është në gjendje të prodhojë zgjidhje.
Prandaj pyetja themelore nuk është:
„Kush fitoi sot, LVV-ja apo PDK-ja?“
Pyetja është:
„A kemi institucione funksionale? A funksionon shteti? A po ecën Kosova përpara?“
Kjo duhet të jetë pyetja që duhet ta udhëheq çdo vendim politik”, nënvizon analisti.
Në fund, ai thotë se Kosovës i duhet një fitues institucional.
Sipas tij, një opozitë e fortë nuk ka nevojë për një shtet të bllokuar për të qenë e fuqishme, por duhet ta sfidojë qeverinë brenda institucioneve funksionale, me argumente, alternativa dhe politika më të mira.
“Kosovës nuk i duhet edhe një fitues tjetër partiak. Kosovës i duhet një fitues institucional.
Nëse Bekim Sejdiu është një kandidat i denjë, atëherë PDK-ja dhe AAK-ja nuk duhet të kenë frikë ta votojnë vetëm nga shqetësimi se kjo mund ta forcojë Kurtin.
Sepse një shtet funksional nuk e forcon vetëm qeverinë.
Ai e forcon edhe opozitën.
Madje, një opozitë e fortë nuk ka nevojë për një shtet të bllokuar që të jetë e fortë. Ajo duhet të jetë në gjendje ta sfidojë qeverinë brenda institucioneve funksionale, me argumente, me alternativa dhe me politika më të mira.
Prandaj, nëse PDK-ja dhe AAK-ja kanë kërkuar vazhdimisht funksionalizimin e institucioneve, ky është momenti për ta dëshmuar se ajo kërkesë nuk ka qenë vetëm një instrument për ta kritikuar shumicën, por një qëndrim i sinqertë në interes të Republikës.
Në fund, partitë ndryshojnë. Qeveritë ndryshojnë. Shumicat ndryshojnë. Institucionet mbeten. Dhe shteti duhet të jetë gjithmonë më i rëndësishëm se çdo parti”, përfundon Gashi.