Ndërpritet tubimi për zgjedhjet e Serbisë në Mitrovicë, ish hetuesi: Kosova është shtet, ligji duhet të zbatohet

Politika

Ndërpritet tubimi për zgjedhjet e Serbisë në Mitrovicë, ish hetuesi: Kosova është shtet, ligji duhet të zbatohet

Nga: A.M. Më: 7 tetor 2026 Në ora: 20:10
Fotoilustrim

Policia e Kosovës ka ndërprerë një tubim që po zhvillohej në ambientet e një shkolle në Mitrovicën e Veriut, i dyshuar se lidhej me aktivitetet parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare në Serbi

Lidhur me këtë rast, ish hetuesi Agim Rexhepi, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlerësuar se rasti duhet të trajtohet para së gjithash përmes prizmit të ligjit, autoritetit institucional dhe respektimit të të drejtave të komunitetit serb.

“Ndërprerja e një tubimi të dyshuar si aktivitet parazgjedhor për zgjedhjet e Serbisë në ambientet e një shkolle në Mitrovicën e Veriut duhet parë mbi të gjitha në prizmin e zbatimit të ligjit dhe të autoritetit institucional të Republikës së Kosovës, e jo te Serbisë.

Nëse një aktivitet politik i lidhur drejtpërdrejt me zgjedhjet e një shteti tjetër organizohet në territorin e Kosovës, atëherë institucionet e Kosovës kanë përgjegjësi që të përcaktojnë qartë se çfarë aktiviteti po zhvillohet dhe nëse ai është në përputhje me ligjet dhe rregullat që vlejnë në territorin e Republikës së Kosovës. Në rastin konkret, Policia e Kosovës ka thënë se kishte informacion operativ se bëhej fjalë për aktivitet parazgjedhor, ndërsa pjesëmarrësit kanë pretenduar se ishte aktivitet edukativ.

Çështja kryesore nuk është se cilës përkatësi etnike u takojnë pjesëmarrësit, por se çfarë aktiviteti po zhvillohet, kush e organizon dhe mbi çfarë baze ligjore zhvillohet ai aktivitet”, ka thënë ai.

Image
Agim Rexhepi

Gjithashtu, Rexhepi ka vlerësuar se autoriteti i institucioneve të Kosovës duhet të shtrihet në të gjithë territorin e vendit, duke nënvizuar se një veprim i tillë nuk duhet të shihet si veprim kundër komunitetit serb.

“Kosova është shtet dhe institucionet e saj duhet të kenë autoritet në çdo pjesë të territorit të saj. Kjo nuk duhet të interpretohet si veprim kundër komunitetit serb, por si zbatim i njëjtë i rregullave për të gjithë qytetarët dhe për çdo subjekt politik që vepron në territorin e Kosovës.

Në këtë kuptim, ndërprerja e aktiviteteve parazgjedhore të Serbisë në Kosovë mund të shihet si pjesë e procesit të konsolidimit të autoritetit institucional të Kosovës, sidomos në veri. Megjithatë, çdo veprim i institucioneve duhet të jetë i bazuar qartë në ligj, proporcional dhe transparent, në mënyrë që të mos krijojë hapësirë për interpretime se po synohet komuniteti serb në vend të një aktiviteti konkret politik.

E rëndësishme është  të bëhet dallim i qartë mes të drejtave të komunitetit serb dhe aktiviteteve politike të një shteti tjetër në territorin e Kosovës. Të drejtat e komunitetit serb duhet të respektohen dhe garantohen, ndërsa aktivitetet politike duhet t'u nënshtrohen rregullave dhe ligjeve të Kosovës”, ka shtuar Rexhepi.

Duke folur për atë nëse rasti në fjalë paraqet vazhdim të shtrirjes së sovranitetit të Kosovës, Rexhepi ka theksuar se ushtrimi i autoritetit institucional duhet parë si një proces më i gjerë, që nuk kufizohet vetëm te veprimet policore.

“Sa i përket pyetjes: Nëse kjo paraqet vazhdim të shtrirjes së sovranitetit të Kosovës në veri, faktet e sotme tregojnë se Policia e Kosovës e ka ushtruar autoritetin e saj në një institucion publik në Mitrovicën e Veriut dhe aktiviteti është ndërprerë pa incident. Kjo është një shenjë se autoriteti institucional po ushtrohet edhe në këtë pjesë të vendit.

Sovraniteti i shtetit nuk matet vetëm me ndërhyrje policore. Ai konsolidohet edhe përmes institucioneve funksionale, sundimit të ligjit, ofrimit të shërbimeve publike, respektimit të të drejtave të komuniteteve dhe krijimit të besimit të qytetarëve”, ka theksuar ai.

Në fund, Rexhepi ka bërë thirrje për kujdes institucional, transparencë dhe proporcionalitet në çdo veprim, në mënyrë që të shmangen tensionet e panevojshme dhe të ruhet besimi i komuniteteve.

“Institucionet duhet të shmangin çdo veprim të panevojshëm që mund të prodhojë tensione të reja. Çdo ndërhyrje duhet të jetë e argumentuar me prova dhe bazë ligjore, komunikimi publik duhet të jetë i qartë dhe transparent, ndërsa komuniteti serb duhet të informohet qartë se masat nuk janë të drejtuara kundër tij si komunitet, por kundër aktiviteteve konkrete që bien ndesh me rregullat në fuqi.

Në fund të fundit, qëllimi duhet të jetë i qartë se në veri të Kosovës të ketë më shumë ligj, më shumë institucione funksionale dhe më shumë siguri – jo tensione të reja.

Pra, shteti e forcon autoritetin e vet jo vetëm duke vepruar, por duke vepruar drejt, ligjërisht, proporcionalisht dhe njësoj për të gjithë”, ka përfunduar Rexhepi për “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat