Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës Presidente e Republikës së Kosovës me 81 vota i ka dhënë fund dilemës së gjatë politike rreth asaj nëse vendi do të shkonte në zgjedhje të reja apo do të zgjidhej një presidente e re.
Pas një procesi të ngarkuar politik, vëmendja tashmë është përqendruar te roli që ajo do të ketë në funksionimin e institucioneve, në raportet ndërpartiake dhe në përfaqësimin e Kosovës.
Çfarë pritet nga Presidentja e re, cilat duhet të jenë prioritetet e saj në muajt e parë të mandatit dhe a mund të sjellë profili i saj një qasje të re në Presidencë? Po ashtu, mbetet të shihet se si do të zhvillohen raportet e saj me Qeverinë, Kuvendin dhe partitë politike, si dhe çfarë roli mund të ketë Presidenca në tejkalimin e përplasjeve politike në vend.
Analistët vlerësojnë se ardhja e Shiroka-Pulës në krye të shtetit mund të ndikojë në stabilitetin institucional dhe në normalizimin e raporteve politike. Sipas tyre, profili i saj akademik dhe përvoja në jetën publike mund të ndihmojnë në krijimin e një klime më bashkëpunuese ndërmjet partive politike, ndërsa një rol i rëndësishëm pritet edhe në avancimin e marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimin Evropian, SHBA-në dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Shiroka-Pula merr drejtimin e Presidencës, Muçiqi paralajmëron rolin e saj në politikë
Publicisti dhe analisti politik Ismail Muqiqi, në një prononcim për “Bota sot”, e ka cilësuar këtë zhvillim si një moment të rëndësishëm për stabilitetin institucional dhe politik të Kosovës, duke vlerësuar njëkohësisht profilin dhe përvojën e presidentes së re.
“Është fat i mire për Republikën e Kosovës, për institucionet e shtetit, për qytetarët e këtij vendi që më në fund u zgjodh Presidentja e Kosovës Justina Shiroka-Pula. Pas ngjarjeve dramatike që ndodhën përmes bllokadave të partive politike dhe protestave të ndihmuara nga një numër i të ashtuquajturve gazetarë që punojnë në disa mjete të informimit e të cilët i fryn zjarrit që të krijohet mjegull dhe kaos në Kosovë më në fund mbizotëroj arsyeja e deputetëve për ta zgjedhur kreun e institucionit më të lartë të shtetit”, ka thënë ai.
Po ashtu, Muçiqi ka vlerësuar edhe profilin e Shiroka-Pulës, duke shprehur pritshmëri se ajo do të luajë një rol në normalizimin e raporteve politike dhe institucionale në vend.
“Mendoj se Justina Shiroka-Pula ka një profil të begatshëm intelektual, shkencorë e politikë dhe pa asnjë dyshim do të jetë në shërbim të avancimit dhe ndërtimit të raporteve normale ndërmjet partive politike dhe do të jetë urë lidhëse në normalizimin e gjendjes politike dhe institucionale në Kosovë.
“Po ashtu, vlerësoj se Presidentja e zgjedhur me bagazhin e saj intelektual dhe me përvojën e gjatë te saj në jetën publike do të kontribuoj në përafrimin e raporteve ndër njerëzorë të rivalëve politikë që u rrënuan kohë më pare për shkak të interesave personale e parciale për të ardhurat në pushtet”, ka shtuar Muçiqi.
Sipas tij, një tjetër rol i rëndësishëm i presidentes së re pritet të jetë edhe në planin diplomatik, veçanërisht në raport me partnerët ndërkombëtarë të Kosovës.
“Justina Shiroka-Pula shpresoj se do ta luaj rolin e saj si Presidente e vendit edhe në avancimin e Kosovës në raportet diplomatike me institucionet ndërkombëtare të shteteve të Bashkimit Evropian, të SHBA-së dhe më gjerë”, ka përfunduar Muçiqi.
Mehmeti: Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës i dha fund pasigurisë rreth kreut të shtetit
Kurse, opinionisti Gani Mehmeti ka vlerësuar se zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës në krye të shtetit mund të sjellë një qasje të re institucionale dhe shpresa të reja për Kosovën.
“Kur në krye të shtetit vjen njeriu i dijes e i shkencës, gjithsesi se shpresat janë shumë të mëdha për shtetin tonë të lodhur nga politika dhe mosmarrëveshjet ndërpartiake.
Kohët e fundit kemi qenë në ankth se çfarë do bëhet me formimin e institucioneve, edhe pas formimit të qeverisë dhe kuvendit pas zgjedhjeve të 7 qershorit 2026. Të gjithë ishim të orientuar se çfarë po bëhet me institucionin më të lartë të shtetit, me zgjedhjen e kryetarit-res së shtetit. Kjo sepse, brenda një viti e gjysmë u mbajtën tri palë zgjedhje dhe kërcënohej Kosova të mbaheshin edhe zgjedhje tjera, pikërisht në rast se nuk do të zgjedhje kryetarja e shtetit”, ka thënë ai.
Tutje, Mehmeti në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot”, e cilësoi zgjedhjen e Shiroka-Pulës si një vendim të mirëpritur, duke theksuar edhe të kaluarën e saj akademike dhe institucionale.
“Prandaj, zgjedhja e kryetares së Kosovës, zonjës Justina Shiroka – Pula, e ardhur nga Akademia e Shkencës dhe Arteve të Kosovës, ku ishte kryetare, është mirëpritur tejmase nga të gjithë të interesuarit dhe që po përcillnin politikën zgjedhore të saj.
Me rastin e zgjedhjes së një Akademikeje në krye të shtetit, flet shumë. Kjo, gjithsesi është një meritë e madhe dhe kryesore e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, i cili, pas shumë orvatjesh, më në fund hoqi dorë nga interesi i tij partiak dhe doli në PDK, ku kjo akademike ishte më parë edhe ministre.
Bedri Hamza, sikur ishte i detyruar ta pranonte një figurë të tillë edhe si anëtare e aktiviste e PDK-së edhe si akademike. Dhe, sikur të mos e pranonte, mbetej të kuptohej se ishte për shkuarje në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme.
Kështu, me zgjedhjen e Justina Shiroka-Pula kryetare e Republikës së Kosovës me 81 vota, iu dha fund një periudhe të gjatë pasigurie rreth postit të kreut të shtetit”, ka potencuar ai.
Sipas tij, pritshmëritë për mandatin e ri lidhen edhe me një ndryshim të qasjes së Presidencës në raport me partitë politike dhe me faktorin ndërkombëtar.
“Pritet që profili i kryetares Justina Shiroka – Pula të sjellë një qasje të re në institucionin e presidencës, prioritetet e së cilës do të jenë bashkëpunimi me të gjitha partitë politike si dhe ngritjen e prestigjit të Kosovës në botë, duke krijuar marrëdhënie të forta sa më shpejt me shtetet e tjera. Lidhur me këtë, me sa u pa, iu hapën rrugët edhe me rastin e urimit të saj pas zgjedhjes kryetare, që i shtrijnë dorën e bashkëpunimit nga BE dhe shtetet e tjera. Pra, bashkëpunimi i saj nuk do të mungojë, për çka e urojmë që të ngritë sa më lart marrëdhëniet brenda e jashtë Republikës së Kosovës. Urojmë që të ketë strategji në çuarjen përpara të Kosovës gjatë mandatit të saj!”, ka shtuar ai.
Gjithashtu, Mehmeti ka vlerësuar se pozita e re e Shiroka-Pulës mund të ndikojë në krijimin e një balance mes dy partive më të mëdha politike në vend, LVV-së dhe PDK-së.
“Deri sa kryetarja i ka takuar një tabori tjetër partiak, ndërsa është propozuar nga vetë kryeministri, kjo do të qëndrojë si në mes dhe do të krijojë një balancë ndërmjet këtyre dy partive më të mëdha, ani që LVV është në pozitë e PDK është në opozitë. Kjo nuk do të thotë se janë armiq, kjo do të thotë se duhet të afrohen dhe të kenë një bashkëpunim më ta madh mesvetit, duke i ditur rolet dhe detyrat secila. Por, kështu do të ndodhë edhe me dy partitë tjera në kuvend, me LDK dhe me AAK”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.