BE-ja kundërshton ndryshimet për Specialen, dy zëra publikë japin alarmin për Kosovën

Politika

BE-ja kundërshton ndryshimet për Specialen, dy zëra publikë japin alarmin për Kosovën

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 11 tetor 2026 Në ora: 12:04
Kuvendi i Kosovës

Bashkimi Evropian ka kundërshtuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të miratuara nga Kuvendi më 6 tetor, duke kërkuar respektimin e pavarësisë dhe mandatit aktual të Gjykatës Speciale në Hagë.

Në reagimin e 8 tetorit, Brukseli ka theksuar se Dhomat e Specializuara janë pjesë e sistemit juridik të Kosovës dhe se funksionimi i tyre duhet të garantojë drejtësi për viktimat, llogaridhënie dhe mbrojtjen e dëshmitarëve.

Ndryshimet ligjore përfshijnë çështje që lidhen me juridiksionin e gjykatës, kufizimin e dënimeve me burgim deri në 15 vjet dhe mundësinë e vuajtjes së dënimeve në Kosovë.

Nisma, e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, ka nxitur debat politik lidhur me përputhshmërinë e ndryshimeve me detyrimet ndërkombëtare të vendit dhe ndikimin e tyre në mandatin e Gjykatës Speciale.

Tahiraj: Kosova nuk duhet ta dëmtojë vetveten

Veprimtari Saim Tahiraj, në një përgjigje për “Bota sot”, ka kritikuar presionin politik për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se drejtësia nuk duhet të jetë selektive dhe se vendimet gjyqësore duhet të kundërshtohen përmes rrugëve ligjore.

Image
Saim Tahiraj

Ai ka paralajmëruar se ndërhyrjet nën presionin e protestave mund të dëmtojnë besueshmërinë e institucioneve të Kosovës dhe ka theksuar rëndësinë e dëgjimit të qëndrimeve të partnerëve ndërkombëtarë. 

“Ajo që ndodhi në Kosovë gjatë këtyre javëve nuk mund të shihet vetëm si një reagim emocional ndaj një vendimi gjyqësor. Pas vendimit të Gjykatës Speciale u zhvillua një presion i fuqishëm politik dhe shoqëror për ndryshimin e ligjit mbi të cilin është ndërtuar dhe funksionon kjo gjykatë.

Kosova ka kaluar nëpër një histori të dhimbshme. Gjatë dhe pas luftës janë vrarë njerëz edhe për motive politike dhe shumë familje ende presin drejtësi. Pikërisht për këtë arsye, drejtësia nuk mund të jetë selektive dhe nuk mund të varet nga emri, pozita apo përkatësia e personit që gjykohet.

Nëse një vendim gjyqësor konsiderohet i padrejtë, ai duhet të kundërshtohet nëpërmjet mjeteve juridike dhe instancave të përcaktuara me ligj. Drejtësia nuk mund të vendoset në rrugë dhe as të ndryshohen rregullat e një gjykate nën presionin e protestave.

Paradoksi më i madh i këtyre zhvillimeve është se, në emër të drejtësisë, u kërkua ndërhyrje ndaj një procesi gjyqësor. Në emër të mbrojtjes së shtetit, u ndërmor një hap që mund të dëmtojë besueshmërinë e vetë shtetit.

Dhe këtu duhet të dëgjohet me shumë seriozitet zëri i miqve tanë ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Ai ka theksuar se kundërshtimi i BE-së dhe shqetësimet e Ambasadës Gjermane për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara janë sinjale serioze që Kosova nuk duhet t’i anashkalojë, duke rikujtuar rëndësinë e partnerëve ndërkombëtarë në shtetndërtimin e vendit.

“Bashkimi Evropian ka deklaruar qartë se ndryshimet e miratuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara bien ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së. BE-ja ka kërkuar që Kosova të respektojë pavarësinë e Dhomave të Specializuara, si dhe detyrimin për të siguruar përgjegjësi penale dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë. 

Edhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë është shprehur thellësisht e shqetësuar, duke theksuar se Dhomat e Specializuara janë institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar sipas ligjit të Kosovës dhe i mbështetur në Kushtetutën e Kosovës, dhe se pavarësia e tyre nuk duhet të cenohet. 

Këto nuk janë deklarata që Kosova mund t’i anashkalojë. Janë sinjale serioze nga partnerët tanë ndërkombëtarë, partnerë që kanë qenë me Kosovën në ditët më të vështira të historisë sonë dhe që kanë ndihmuar në çlirimin, ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit tonë”, shprehet ai.

Gjithashtu, Tahiraj ka vlerësuar se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara rrezikojnë të cenojnë obligimet ndërkombëtare të Kosovës, besueshmërinë e institucioneve dhe marrëdhëniet me aleatët. 

Ai ka mbështetur qëndrimin e LDK-së kundër ndryshimeve, duke theksuar se drejtësia duhet të vendoset përmes gjykatave dhe jo nën presionin politik.

“Kosova nuk mund të sillet sikur obligimet ndërkombëtare janë të vlefshme vetëm atëherë kur na përshtaten politikisht. Marrëveshjet dhe zotimet ndërkombëtare kanë vlerë pikërisht atëherë kur janë të vështira për t’u respektuar.

Ndryshimi i ligjit në një mënyrë që kufizon kompetencat e Speciales, prek mandatin e saj dhe parashikon mundësi që vendimet e saj të trajtohen ndryshe në Kosovë, rrezikon të krijojë përplasje me obligimet që shteti ynë ka marrë përsipër.

Pasojat nuk duhet të nënvlerësohen. Nëse Kosova krijon përshtypjen se ndërhyn politikisht në një institucion gjyqësor ndërkombëtar të krijuar me ligjin dhe Kushtetutën e saj, kjo mund të dëmtojë besueshmërinë e institucioneve, sundimin e ligjit dhe marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. Në një kohë kur Kosova synon integrimin evropian dhe forcimin e pozitës së saj ndërkombëtare, ky është një rrezik që nuk duhet marrë lehtë.

Ne nuk duhet t’i japim askujt argumente kundër Kosovës.

Shteti ynë duhet të jetë më i fortë se emocionet politike të momentit.

Në këtë situatë, qëndrimi i LDK-së për të mos e mbështetur ndryshimin e ligjit ishte një qëndrim që e vendosi përgjegjësinë shtetërore dhe obligimet ndërkombëtare përpara presionit politik të çastit.

Drejtësia duhet të vazhdojë të bëjë punën e saj.

Nëse dikush është fajtor, le të shpallet fajtor mbi bazën e provave. Nëse dikush është i pafajshëm, le të lirohet mbi bazën e ligjit dhe drejtësisë. Për këtë ekzistojnë gjykatat dhe instancat e apelit.

Kosova nuk fitoi lirinë për ta zëvendësuar drejtësinë me presion politik.

Ne duhet ta mbrojmë shtetin duke respektuar ligjin, duke respektuar obligimet ndërkombëtare dhe duke ruajtur besimin e miqve tanë.

Sepse Kosova ka nevojë për aleatë, për institucione të besueshme dhe për një shtet që respekton fjalën e dhënë.

Drejtësia nuk vendoset në rrugë. Drejtësia vendoset në gjykatë.

Dhe shteti mbrohet duke respektuar ligjin, jo duke e ndryshuar atë sa herë që një vendim na dhemb”, thekson Tahiraj në fund për “Bota sot”.

Makolli: Popull euforik, biem lehtë pre e kauzave të ndryshme

Kurse, analisti Vesel Makolli, ka deklaruar se përgjegjësia për formimin e Gjykatës Speciale bie mbi vetë Kosovën, duke theksuar mungesën e unitetit politik ndërmjet lëvizjes paqësore dhe krahut të luftës. 

Image
Vesel Makolli

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” ka kritikuar gjithashtu euforinë dhe qasjen folklorike në politikë, që sipas tij, i bëjnë qytetarët të përkrahin kauza jo domosdoshmërisht të dobishme për shtetin.

“Së pari, duhet theksuar dhe duhet ta dinë të gjithë, edhe ata që protestuan, në veçanti ata që morën pozitën e liderit të protestës tri javore, se për formimin e Gjykatës Speciale fajtorë jemi na vetë, jo askush tjetër, e sidomos jo ata që na e sollën lirinë – SHBA-ja dhe BE-ja.

Po të kishim pasur unitet të mirëfilltë në mes të lëvizjes paqësore të Dr. Ibrahim Rugovës, e cila krijoi institucionet shtetërore, e sensibilizoi çështjen e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar dhe i hapi rrugë intervenimit të NATO-s, me krahun e luftës, me Adem Demaçin në krye, para, gjatë dhe pas luftës, do të na kishte forcuar si faktor kombëtar e shtetëror dhe do të na kishte kursyer nga shumë prej ngjarjeve tronditëse që i përjetuam e që vazhdojmë t’i vuajmë edhe sot, me pasoja të thella në zhvillimet politike, shoqërore dhe institucionale të vendit.

Uniteti i këtyre dy grupimeve, në të mirë të Kosovës, do t’i pamundësonte zhvillimet që kanë lënë pasoja të rënda për shtetin tonë, siç janë: Plani i Ahtisaarit me Asociacionin, raporti i Dick Martyt, i cili ishte pararendës i Gjykatës Speciale dhe, rrjedhimisht, nuk do t’i kishim dënimet e shqiptuara më 16 shtator në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Jemi një popull euforik, i zhytur thellë në indoktrinimin folkloriko-glorifikues. Prandaj, biem lehtë pre e kauzave të ndryshme, të cilat mund të jenë gjithçka, por jo domosdoshmërisht të dobishme për kombin dhe shtetin” – shprehet Makolli.

Po ashtu, analisti ka krahasuar protestat e fundit me ato të vitit 2004 dhe kundërshtimet ndaj marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi, duke vlerësuar se kanë ndikuar negativisht në proceset politike të Kosovës. 

Ai ka theksuar se ndryshimet ligjore nuk do të prodhonin efekte juridike ndaj Gjykatës Speciale, ndërsa protestat mund të kenë ndihmuar në tejkalimin e ngërçit institucional për zgjedhjen e presidentes.

“Kauza e protestës ishte identike me ato të vitit 2004 dhe me kauzën kundër ratifikimit të marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi. Të gjitha këto ndikuan negativisht në zhvillimet politike dhe në proceset që synonin finalizimin e shtetësisë së Kosovës.

Për secilin prej nesh, e në veçanti për ata që merren me politikë, është dashur të jetë e qartë se ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara nuk do të prodhojë asnjë efekt juridik, gjegjësisht nuk do të mund të ndryshojë juridiksionin, mandatin apo funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, të cilat e kanë bazën juridike në Kushtetutë dhe në legjislacionin përkatës.

E mira e këtyre protestave është se, sado pak, ndikuan në konsolidimin e institucioneve shtetërore, përkatësisht në krijimin e kushteve politike për zgjedhjen e Presidentes. Në këtë kuptim, ato mund të kenë shërbyer si një shtysë për tejkalimin e ngërçit institucional, ndonëse efekti i tyre duhet parë në kontekstin më të gjerë të zhvillimeve politike në vend”, thotë ai.

Makolli ka vlerësuar se mosmbështetja e ligjit nga Qeveria mund të ndihmojë në shmangien e përplasjeve me BE-në dhe partnerët ndërkombëtarë. Ai ka bërë thirrje për përgjegjësi politike, konsolidim institucional dhe diplomaci aktive, duke theksuar se prioritet duhet të jenë integrimi evropian dhe forcimi i partneritetit me SHBA-në.

“Ndërkaq, një aspekt tjetër me rëndësi është se Kosova zyrtare, përkatësisht Qeveria, de facto nuk e ka përkrahur këtë ligj. Kjo qasje krijon premisa që, në vazhdim, të shmangen përplasjet e panevojshme me BE-në dhe me miqtë tanë të tjerë ndërkombëtarë, duke ruajtur marrëdhëniet e partneritetit dhe besimin e ndërtuar me ta.

Pas dy vitesh vakum institucional, Kosova nuk ka më kohë për humbje, zvarritje dhe përplasje politike. Konsolidimi i institucioneve duhet të shënojë një fillim të ri, me përgjegjësi të plotë politike dhe angazhim maksimal nga Kryeministri dhe Presidentja e sapozgjedhur.

Është koha që institucionet e vendit të dëshmojnë vullnet politik, pjekuri shtetërore dhe përkushtim konkret ndaj interesave të Kosovës. Prioritet duhet të jenë zhvillimi i brendshëm, forcimi i demokracisë, përmirësimi i imazhit ndërkombëtar të vendit dhe rikthimi i besimit të partnerëve tanë strategjikë, veçanërisht të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kosova ka nevojë për diplomaci aktive, koordinim institucional dhe rezultate konkrete, jo vetëm për deklarata politike. Duhet të ndërmerren hapa të qartë për avancimin e integrimit evropian, thellimin e partneritetit me SHBA-në dhe përmbylljen e procesit të konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës” – përmbylli ai për gazetën “Bota sot”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat