Kosova në shënjestër të fushatës zgjedhore në Serbi, ekspertët paralajmërojnë për skenarë të rrezikshëm

Politika

Kosova në shënjestër të fushatës zgjedhore në Serbi, ekspertët paralajmërojnë për skenarë të rrezikshëm

ARIFE MORINA-MULAKU Nga ARIFE MORINA-MULAKU Më 17 tetor 2026 Në ora: 13:28
Fotoilustrim: Kosova në shënjestër të retorikës zgjedhore në Serbi. Deklaratat e Ivica Daçiqit dhe zhvillimet politike në Beograd ngrenë shqetësime për tensione të reja. Personazhi në prapavijë është simbolik dhe nuk paraqet Daçiqin.

Në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, Kosova po rikthehet sërish në qendër të retorikës nacionaliste të Beogradit, përmes deklaratave provokuese, pretendimeve territoriale dhe mesazheve që vënë në pikëpyetje sovranitetin e Republikës së Kosovës.

Deklaratat provokuese për vendosjen e flamurit serb në Prizren dhe shfaqja e kryekriminelit Milan Radoiçiqit, i lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, në një tubim elektoral, kanë nxitur shqetësime për mesazhet që politika serbe po përçon në prag të procesit zgjedhor.

Këto zhvillime kanë rikthyer në vëmendje një praktikë të vazhdueshme të politikës së Beogradit, ku çështja e Kosovës përdoret për mobilizimin e elektoratit, forcimin e ndjenjave nacionaliste dhe zhvendosjen e vëmendjes nga problemet e brendshme politike.

Megjithatë, përtej përfitimeve të mundshme elektorale, deklaratat e tilla ngrenë pikëpyetje serioze për qëllimet politike dhe të sigurisë që mund të fshihen pas tyre..

A janë këto deklarata vetëm pjesë e strategjisë elektorale të Beogradit, apo dëshmojnë se Serbia vazhdon të mbajë gjallë ambiciet territoriale ndaj Kosovës?

Për ekspertët e sigurisë, shqetësimi nuk qëndron vetëm te deklaratat politike, por edhe te mundësia që mesazhet nacionaliste të shoqërohen me veprime provokuese, dezinformim dhe përpjekje për destabilizim në terren.

Në këtë kontekst, shtrohet edhe çështja e reagimit institucional: a po ndërmarrin institucionet e Kosovës masat e nevojshme për t'iu përgjigjur këtyre zhvillimeve dhe a duhet bashkësia ndërkombëtare të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj retorikës së Beogradit?

Dashevci: Serbia nuk ka hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës

Fillimisht, eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, vlerëson se përdorimi i Kosovës në fushatat zgjedhore të Serbisë është një praktikë e vazhdueshme e Beogradit, që synon përfitime politike dhe mobilizimin e elektoratit përmes retorikës nacionaliste.

Image
Arben Dashevci

Sipas tij, Kosova përdoret si instrument politik jo vetëm gjatë zgjedhjeve, por edhe në periudha protestash apo krizash të brendshme në Serbi.

“Në prag të çdo palë zgjedhjesh parlamentare në Serbi, ose në çdo protestë atje, Kosova përdoret gjithmonë si instrument në fushatën politike të Beogradit, për fitim votash, zhvendosje të vëmendjes apo edhe për çfarëdo qëllimi tjetër të tyre. Përmes deklaratave provokuese dhe mesazheve nacionaliste sulmohet Republika e Kosovës, por edhe rajoni i Ballkanit”, ka deklaruar Dashevci në prononcimin e tij për “Bota sot”.

Ai i cilëson si të kota premtimet për vendosjen e flamurit serb në Prizren, ndërsa shfaqjen e Milan Radoiçiqit në një tubim elektoral e sheh si një tjetër provokim ndaj Kosovës.

“Premtimet që janë të kota, kinse për vendosjen e flamurit serb në Prizren, dhe shfaqja e kryekriminelit Milan Radoiçiq në një tubim elektoral kanë nxitur reagime gjithandej dhe kanë rikthyer në vëmendje qëndrimet e Serbisë ndaj Kosovës”, është shprehur ai.

Dashevci thekson se Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, ndërsa mesazhet e tilla nga Serbia, sipas tij, dëshmojnë vazhdimësinë e pretendimeve territoriale.

“Dihet se Republika e Kosovës ka flamurin e saj, i respekton edhe flamujt e komuniteteve, por mesazhi i tyre qëndron te pretendimet territoriale. Kosova është e pavarur dhe sovrane, është në vigjilencë maksimale, mendoj unë, dhe përgjigjet seriozisht kundrejt çdokujt që ka çfarëdo lloj pretendimi”, ka theksuar eksperti i sigurisë.

Duke folur për arsyet pse Beogradi vazhdon ta përdorë Kosovën për qëllime elektorale, ai vlerëson se politika serbe ende nuk është shkëputur nga mendësia nacionaliste e viteve '90.

“Beogradi vazhdon ta përdorë Kosovën për mobilizimin e elektoratit, sepse ka mendësi të viteve '90, mendësi kjo e kasapit të Ballkanit, Millosheviqit. Ka edhe sot atë establishment të kontaminuar dhe synon të arrijë vetëm vota me këto mesazhe nacionaliste”, ka deklaruar ai.

Sipas ekspertit, Serbia nuk ka hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës, pavarësisht përfundimit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe në qershor të vitit 1999.

“Politika serbe nuk ka hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës që prej 12 qershorit 1999, kur kapitulloi përfundimisht, dhe këto deklarata nxitëse, provokuese e shtytëse janë rrezik për stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, ka paralajmëruar ai.

Në këtë situatë, Dashevci kërkon një qasje më aktive të institucioneve të Kosovës dhe një reagim më të vendosur të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë.

“Institucionet e Kosovës duhet të reagojnë me qasje shumë më proaktive se tani, por edhe bashkësia ndërkombëtare gjithashtu duhet të jetë më e ashpër sesa është. Duhet gjithsesi ta sanksionojë Serbinë për qasjen e saj shumë destruktive, luftënxitëse ndaj fqinjëve në Ballkan”, ka përfunduar Arben Dashevci për “Bota sot”.

Racaj: Kosova nuk duhet të jetë instrument i fushatave nacionaliste të Beogradit

Në anën tjetër, profesori dhe gjenerali në pension, Muhamet Racaj, vlerëson se përdorimi i Kosovës për qëllime elektorale në Serbi është një fenomen i përsëritur, i cili përveç ndikimit politik mund të ketë edhe pasoja në aspektin e sigurisë.

Image
Muhamet Racaj

Sipas tij, rikthimi i Kosovës në diskursin nacionalist të Beogradit lidhet me përpjekjet për mobilizimin e votuesve dhe mbajtjen gjallë të pretendimeve ndaj shtetësisë së Kosovës.

“Përdorimi i Kosovës në fushatat politike të Beogradit nuk është dukuri e re. Sa herë Serbia përballet me procese zgjedhore dhe me nevojën për të mobilizuar elektoratin, çështja e Kosovës rikthehet përmes deklaratave nacionaliste, pretendimeve simbolike dhe mesazheve që vënë në pikëpyetje realitetin politik e juridik të krijuar pas luftës”, ka deklaruar Racaj për “Bota sot”.

Ai konsideron se premtimet për vendosjen e flamurit serb në Prizren dhe shfaqja e Milan Radoiçiqit në një tubim elektoral duhet të analizohen edhe nga këndvështrimi i sigurisë, për shkak të ndikimit që mund të kenë në nxitjen e tensioneve.

“Deklaratat për vendosjen e flamurit serb në Prizren dhe shfaqja e Milan Radoiçiqit në një tubim elektoral duhen parë edhe nga këndvështrimi i sigurisë. Ato mund të shërbejnë për mobilizim elektoral, por njëkohësisht të ushqejnë narrativën e mosnjohjes së sovranitetit të Kosovës dhe të krijojnë hapësirë për tensione të reja”, është shprehur ai.

Racaj paralajmëron se rreziku nuk kufizohet vetëm te deklaratat politike, por edhe te mundësia e ndërthurjes së tyre me propagandën dhe veprimet provokuese në terren.

“Rreziku nuk qëndron vetëm te deklaratat individuale, por te ndërthurja e retorikës politike me propagandën, dezinformimin dhe mundësinë e nxitjes së veprimeve provokuese në terren. Kur figura të lidhura me zhvillime të rënda të sigurisë shfaqen në skenën politike, institucionet duhet të vlerësojnë me kujdes mesazhin e përcjellë dhe ndikimin e tij të mundshëm”, ka theksuar profesori.

Megjithatë, ai sqaron se jo çdo deklaratë provokuese duhet të interpretohet si paralajmërim i një veprimi ushtarak, por nënvizon se retorika e tillë mund të krijojë kushte për incidente të sigurisë.

“Kjo nuk do të thotë se çdo deklaratë provokuese paralajmëron domosdoshmërisht veprim ushtarak. Megjithatë, retorika e tillë mund të normalizojë pretendimet territoriale, të nxisë polarizimin ndëretnik dhe të krijojë kushte për incidente të qëllimshme, veçanërisht në veriun e Kosovës dhe në zona të tjera me ndjeshmëri të lartë”, ka deklaruar Racaj.

Duke folur për reagimin e institucioneve të Kosovës, ai kërkon maturi dhe vendosmëri, duke theksuar rëndësinë e forcimit të kapaciteteve të sigurisë dhe koordinimit institucional.

“Institucionet e Kosovës duhet të reagojnë me maturi, por edhe me vendosmëri. Kjo kërkon forcimin e inteligjencës dhe analizës së rrezikut, koordinimin ndërmjet Policisë së Kosovës, institucioneve të sigurisë dhe organeve të drejtësisë, si dhe monitorimin e kërcënimeve hibride, financimit të strukturave të paligjshme dhe fushatave të dezinformimit”, ka thënë ai.

Sipas Racajt, çdo kërcënim duhet të trajtohet mbi bazën e provave, ndërsa institucionet duhet të shmangin reagimet që mund të shfrytëzohen për përshkallëzimin e situatës.

“Çdo kërcënim konkret duhet të trajtohet mbi bazën e provave dhe në përputhje me ligjin. Njëkohësisht, Kosova duhet të shmangë reagimet impulsive dhe deklaratat që mund të përdoren për përshkallëzim. Përgjigjja më e mirë është kombinimi i gatishmërisë institucionale, komunikimit të qartë publik dhe ruajtjes së rendit kushtetues”, ka vlerësuar ai.

Racaj kërkon gjithashtu një rol më aktiv të partnerëve ndërkombëtarë në ruajtjen e stabilitetit dhe parandalimin e veprimeve destabilizuese në rajon.

“Bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe KFOR-i, duhet t’i vlerësojë këto zhvillime në kuadër të stabilitetit rajonal. Retorika që nxit pretendime territoriale duhet të kundërshtohet përmes diplomacisë, ndërsa çdo shkelje konkrete e sigurisë duhet të dokumentohet dhe të trajtohet në mënyrë të koordinuar”, ka deklaruar ai.

Në këtë drejtim, profesori thekson se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të shërbejë për zgjidhjen e problemeve, e jo si mjet për ushtrimin e presionit politik.

“Dialogu Kosovë–Serbi duhet të mbetet instrument për zgjidhjen e çështjeve të hapura, jo mbulesë për presion politik apo veprime destabilizuese”, është shprehur Racaj.

Në fund, ai thekson se ruajtja e paqes dhe stabilitetit kërkon respektimin e sovranitetit, përgjegjësi politike dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me aleatët ndërkombëtarë.

“Paqja në rajon nuk mund të ndërtohet mbi kërcënime dhe pretendime territoriale, por mbi respektimin e sovranitetit, përgjegjësinë politike dhe marrëveshjet e zbatueshme. Kosova duhet të jetë e përgatitur për çdo skenar, pa krijuar panik dhe pa rënë në grackën e provokimeve. Vigjilenca, profesionalizmi dhe bashkëpunimi me partnerët strategjikë mbeten garancia më e mirë për mbrojtjen e sigurisë dhe stabilitetit”, përmbylli Muhamet Racaj për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat