Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Adem Salihaj, ka komentuar zhvillimet politike në Serbi dhe ndikimin e mundshëm të tyre në Ballkan.
Salihaj ka ngritur pikëpyetje nëse largimi i Aleksandar Vuçiqit mund të sjellë ndryshime në politikën serbe dhe t’i japë fund, siç e cilëson ai, narrativës së urrejtjes, miteve të rreme dhe shovinizmit të trashëguar nga periudha e Millosheviqit.
Megjithatë, ai thekson se një ndryshim i tillë nuk mund të merret si i mirëqenë, pasi këto narrativa janë kultivuar për shekuj. Sipas Salihajt, studentët që kundërshtuan politikën e Vuçiqit mund të përfaqësojnë një qasje ndryshe nga ajo e deritanishme.
“A do të marrë politika serbe një kthesë dhe sa do të jetë kjo me ndikim për Ballkanin? A do të marrë fund logjika e miteve dhe shovinizmit primitiv millosheviçian me humbjen e pinjolllit të tij, Vuçiqit?
Në një përfundim të tillë ende nuk mund të vijmë, duke marrë parasysh se narrativa serbe e urrejtjes dhe miteve të rrejshme është kultivuar me shekuj. Do të jetë vështirë, por nuk është e pamundur. Studentët, si bartës të kësaj lëvizjeje, që luftuan kundër konceptit të Vuçiqit, nuk mund të jenë njësoj si ai”, tha ai për “Bota sot”.
Salihaj ka theksuar se qëndrimi i politikës së re serbe ndaj Kosovës dhe raportet me Rusinë e Bashkimin Evropian do të jenë treguesit kryesorë të drejtimit që do të marrë Serbia.
Sipas tij, një ndryshim i qasjes serbe mund të ulë tensionet në rajon dhe të lehtësojë integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Në dy çështje kryesore do të shihet qëndrimi i strukturës së re politike serbe: në çështje e Kosovës dhe në raportin ndaj Rusisë, respektivisht BE-së. Një shtet si Serbia, i rrethuar nga vendet të NATO-s, BE--së dhe vendeve proevropiane, nuk mund të mbijetojë gjatë me politika proruse dhe me një qasje agresive ndaj vendeve fqinje. Nëse Serbia vërtetë ndryshon, do të krijohet në klimë tjetër, do të bien tensionet, ndërsa të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të integrohen më lehtë në Bashkimin Evropian. Serbia historikisht ka luajtur rol destruktiv dhe e ka përgjakur Ballkanin. A do të ndryshojë kjo, besoj se shumë shpejt do ta shohim” – deklaroi ai.