SHBA-ja me paralajmërim për zyrtarët shqiptarë/ Letra drejtuar Rubios ngre pikëpyetje për qeverinë Rama, çfarë pritet të ndodhë?

Politika

SHBA-ja me paralajmërim për zyrtarët shqiptarë/ Letra drejtuar Rubios ngre pikëpyetje për qeverinë Rama, çfarë pritet të ndodhë?

Arife Morina-Mulaku Nga Arife Morina-Mulaku Më 30 tetor 2026 Në ora: 19:01
Marco Rubio

Letra e dy kongresmenëve republikanë amerikanë, Joe Wilson dhe Keith Self, drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, ka rikthyer në vëmendje shqetësimet për gjendjen e demokracisë, korrupsionin dhe funksionimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Përmes kësaj letre, Wilson, republikan nga Karolina e Jugut, dhe Self, republikan nga Teksasi dhe kryetar i Nënkomisionit për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve, i kanë kërkuar administratës amerikane të shqyrtojë vendosjen e kufizimeve të vizave për zyrtarët shqiptarë të përfshirë në korrupsion të rëndësishëm.

Dy kongresmenët kanë ngritur shqetësime edhe për të ardhmen e reformës në drejtësi, duke theksuar se, pavarësisht investimeve të konsiderueshme të Shteteve të Bashkuara, përparimi i arritur mbetet i brishtë dhe rrezikon të kthehet pas.

Në këtë drejtim, ata kanë kërkuar shqyrtimin e përdorimit të nenit 7031(c) të legjislacionit amerikan, i cili mundëson kufizimin e hyrjes në SHBA për zyrtarët e huaj për të cilët ekzistojnë informacione të besueshme për përfshirje në korrupsion të rëndësishëm. Masa të tilla, në rastet e parashikuara, mund të përfshijnë edhe familjarët e tyre të afërt.

Një vëmendje e veçantë në letër i është kushtuar edhe çështjes së ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është përballur me hetime lidhur me dyshimet për ndërhyrje në procedurat e prokurimit publik. Kërkesa e prokurorëve për heqjen e imunitetit të saj, me qëllim mundësimin e arrestimit, nuk mori miratimin e nevojshëm në Kuvend, ndërsa kryeministri Edi Rama e kishte kundërshtuar atë, duke e cilësuar antikushtetuese.

Kongresmenët kanë kërkuar gjithashtu informacione mbi mbështetjen amerikane për reformën në drejtësi dhe bashkëpunimin e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë me autoritetet shqiptare për mbrojtjen e protestuesve dhe gazetarëve, duke kërkuar përgjigje nga administrata amerikane deri më 5 nëntor.

Kjo nismë ka ngritur pikëpyetje nëse Uashingtoni po paralajmëron një qasje më të ashpër ndaj zyrtarëve shqiptarë të dyshuar për korrupsion dhe nëse kufizimet e mundshme të vizave mund të ndikojnë në zhvillimet politike në Shqipëri.

Megjithatë, mbetet të shihet nëse shqetësimet e ngritura nga kongresmenët do të pasohen me masa konkrete dhe çfarë ndikimi mund të kenë ato në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Lidhur me këto zhvillime, publicistët Ilir Çumani dhe Llesh Ndoj, në prononcime për “Bota sot”, kanë dhënë vlerësimet e tyre për sinjalet që vijnë nga Kongresi amerikan, mundësinë e vendosjes së kufizimeve të vizave dhe pasojat që një vendim i tillë mund të ketë për politikën shqiptare.

Çumani: Vizat amerikane nuk janë privilegj për pushtetarët e korruptuar

Fillimisht, lidhur me letrën e dy kongresmenëve amerikanë dhe mundësinë e vendosjes së kufizimeve të vizave për zyrtarët shqiptarë, foli publicisti nga Shqipëria, Ilir Çumani.

Image
Ilir Çumani

Në një prononcim për “Bota sot”, ai vlerëson se kjo nismë nuk duhet parë vetëm si një zhvillim diplomatik, por si një mesazh i rëndësishëm për përgjegjësinë e zyrtarëve publikë dhe domosdoshmërinë e respektimit të ligjit.

Sipas tij, korrupsioni në nivelet më të larta të pushtetit përbën një kërcënim serioz për demokracinë, interesin publik dhe besimin e qytetarëve te institucionet.

“Letra e dy kongresmenëve amerikanë, Joe Wilson dhe Keith Self, drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, nuk duhet parë thjesht si një zhvillim diplomatik apo si një tjetër deklaratë që do të kalojë pa lënë gjurmë në politikën shqiptare.

Ajo rikthen në vëmendje një çështje thelbësore për të ardhmen e vendit, për të kuptuar dhe për të qenë më të qartë se askush, pavarësisht postit, pushtetit apo ndikimit politik, nuk duhet të jetë mbi ligjin.

Nisma për shqyrtimin e kufizimeve të vizave amerikane ndaj zyrtarëve të lartë shqiptarë të përfshirë në korrupsion të rëndësishëm është një çështje që meriton vëmendje dhe mbështetje në parimin e saj themelor.

Është e qartë si drita e diellit se korrupsioni domethënës në nivelet e larta të pushtetit politik nuk është thjesht një shkelje ligjore, por një rrezik potencial për demokracitë funksionale dhe shtetin e së drejtës.

Korrupsioni në nivelet më të larta të pushtetit është një akt që ligjvënësit duhet ta trajtojnë dhe ta sanksionojnë me ashpërsinë më të madhe të ligjit, si një nga format më të rënda të tradhtisë ndaj interesave madhore të kombit.

Ai nuk përbën thjesht një shkelje të ligjit, por një goditje të drejtpërdrejtë ndaj interesit publik, sepse varfëron qytetarët, grabit pasurinë e përbashkët, minon besimin te institucionet dhe cenon vetë themelet e demokracisë”, deklaroi ai.

Duke folur për reformën në drejtësi dhe pritjet e qytetarëve shqiptarë, Çumani thekson se premtimet për luftimin e pandëshkueshmërisë duhet të shoqërohen me rezultate konkrete.

Ai kritikon standardet e dyfishta në trajtimin e zyrtarëve dhe kërkon që përgjegjësia përpara ligjit të vlejë njësoj për të gjithë, pavarësisht pozitës politike.

“Për vite me radhë, shqiptarëve u është kërkuar të besojnë te reforma në drejtësi, te institucionet e reja, te lufta kundër pandëshkueshmërisë dhe te premtimi se askush nuk do të jetë më i paprekshëm.

Por ky premtim nuk mund të mbetet vetëm një slogan politik në retorikën e zakonshme të komunikimit publik.

Sot, më shumë se kurrë, është imperative që ky premtim të dëshmohet përmes shembujve konkretë, duke u materializuar në veprime dhe rezultate të prekshme, veçanërisht në rastet kur hetimet prekin zyrtarët e niveleve më të larta të pushtetit.

Nuk mund të kërkojmë drejtësi për qytetarët e zakonshëm dhe, njëkohësisht, të tolerojmë në mënyrë kaq abuzive imunitetin e pushtetarëve, siç ndodh rëndom në politikën shqiptare.

Koha e standardeve të dyfishta duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Në një shtet të së drejtës, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin dhe askush nuk duhet të jetë i paprekshëm prej tij”, u shpreh publicisti.

Sa i përket marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, Çumani vlerëson se partneriteti strategjik nuk duhet të mbetet vetëm në nivelin e deklaratave diplomatike, por duhet të mbështetet në standarde demokratike dhe në luftën kundër korrupsionit.

Sipas tij, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe aspiratat për integrim në Bashkimin Evropian kërkojnë përgjegjësi më të madhe nga institucionet dhe përfaqësuesit politikë.

“Pikërisht këtu qëndron rëndësia e nismës së kongresmenëve amerikanë. Mesazhi që përcillet është i qartë dhe nuk lë pas asnjë ekuivok.

Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara nuk mund të reduktohen te fotografia diplomatike, te deklaratat e miqësisë apo retorika e partneritetit strategjik.

Ato duhet të mbështeten mbi vlera konkrete: demokracinë, shtetin e së drejtës, transparencën dhe luftën pa kompromis kundër korrupsionit.

Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Por këto nuk janë ‘medalje gjoksi’ që mund të përdoren për konsum politik, por mirëfilli janë angazhime që kërkojnë standarde të larta demokratike dhe institucione të pavarura. Nuk mund të pretendojmë integrim evropian, ndërkohë që korrupsioni në nivelet më të larta të administratës dhe politikës mbetet një shqetësim serioz”, theksoi ai.

Më tej, publicisti ndalet te mekanizmat ligjorë amerikanë që mundësojnë vendosjen e kufizimeve të vizave për zyrtarët e huaj të përfshirë në korrupsion të rëndësishëm.

Çumani shpjegon se masa të tilla nuk duhet të interpretohen si veprime kundër Shqipërisë apo qytetarëve të saj, por si instrumente që synojnë përgjegjësinë individuale.

Megjithatë, ai thekson se çdo vendim duhet të mbështetet në informacione të besueshme dhe në respektimin e procedurave ligjore.

“Një nga elementet më të rëndësishme të kësaj nisme është referimi te neni 7031(c) i legjislacionit amerikan. Ky mekanizëm i jep Sekretarit amerikan të Shtetit mundësinë të shpallë të papërshtatshëm për hyrje në SHBA çdo zyrtar të huaj dhe, në rastet e parashikuara, familjarët e tyre të afërt, kur ekzistojnë informacione të besueshme për përfshirje në korrupsion të rëndësishëm apo shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Kjo nuk është një masë kundër Shqipërisë dhe aq më pak kundër qytetarëve shqiptarë, por një instrument që synon individët për të cilët ekzistojnë prova dhe informacion i besueshëm, në përputhje me ligjin amerikan.

Dhe këtu duhet bërë një dallim i qartë: një politikan i hetuar nuk është automatikisht fajtor, një i akuzuar nuk është i dënuar dhe çdo masë duhet të mbështetet në kritere ligjore, prova dhe procedura të drejta. Por asnjë funksion publik nuk mund të shërbejë si mburojë ndaj përgjegjësisë.

Pasaporta diplomatike, pushteti dhe lidhjet politike nuk mund të kthehen në imunitet ndërkombëtar për t’u mbrojtur nga ndëshkueshmëria e ligjit.

Nëse një zyrtar shqiptar mund të përballet me kufizime për të hyrë në Shtetet e Bashkuara për shkak të korrupsionit të dokumentuar, ky është një sinjal se përgjegjësia publike nuk mbaron te kufijtë e vendit ku ushtrohet pushteti”, nënvizoi Çumani.

Një tjetër çështje që publicisti e konsideron të rëndësishme është mbrojtja e SPAK-ut dhe garantimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.

Sipas tij, suksesi i reformës në drejtësi nuk mund të matet vetëm me krijimin e institucioneve të reja, por me aftësinë e tyre për të hetuar pa ndërhyrje politike dhe për të trajtuar në mënyrë të barabartë të gjithë zyrtarët.

“Për më tepër, kjo nismë duhet parë edhe në raport me mbrojtjen e SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë. Një reformë në drejtësi nuk mund të quhet e suksesshme vetëm sepse janë krijuar institucione të reja. Çdo tregues i rezultateve të këtij institucioni të pavarur matet nga aftësia për të hetuar dhe vepruar pa presion, pa ndërhyrje politike dhe pa dallime mes zyrtarëve të zakonshëm dhe atyre që mbajnë postet më të larta.

Nëse drejtësia godet vetëm të dobëtit, ndërsa të fuqishmit mbrohen përmes ndikimit politik, atëherë besimi i qytetarëve në shtet do të vazhdojë të gërryhet.

Sigurisht, përgjegjësia për të ndërtuar një shtet të së drejtës është para së gjithash shqiptare. Nuk mund t’ia delegojmë Uashingtonit apo Brukselit detyrën për të pastruar politikën tonë.

Por partnerët ndërkombëtarë kanë të drejtë dhe interes legjitim të kërkojnë llogaridhënie, sidomos kur kanë investuar politikisht dhe financiarisht në reformën institucionale të Shqipërisë”, deklaroi ai.

Duke iu rikthyer letrës së kongresmenëve amerikanë, Çumani vlerëson se rëndësia e saj shkon përtej mundësisë së kufizimeve të vizave.

Ai thekson se shqetësimet për korrupsionin dhe funksionimin e demokracisë shqiptare tashmë po diskutohen në nivele të rëndësishme të politikës amerikane, ndërsa përgjigjja e administratës së SHBA-së do të tregojë nëse kjo qasje do të pasohet me veprime konkrete.

“Prandaj, rëndësia e kësaj letre nuk qëndron vetëm te mundësia e vendosjes së kufizimeve të vizave, por edhe te fakti se çështja e korrupsionit, pavarësisë së drejtësisë dhe funksionimit të demokracisë shqiptare po shtrohet në nivele të rëndësishme të politikëbërjes amerikane.

Në këtë kuptim, përgjigjja e administratës amerikane do të jetë një tregues i rëndësishëm për vazhdimësinë e kësaj qasjeje. Nuk duhet paragjykuar vendimi i saj, por duhet pritur që çdo vlerësim të bëhet mbi bazën e fakteve dhe standardeve të njëjta për të gjithë, pavarësisht përkatësisë politike.

Shqipëria nuk ka nevojë për politikanë që shqetësohen se mos humbasin privilegjin e udhëtimit drejt Amerikës, por për politikanë të ndershëm e dinjitozë, njerëzorë dhe me integritet, që shqetësohen për mënyrën se si jetojnë qytetarët, për paratë publike, për funksionimin e drejtësisë dhe për besimin që njerëzit kanë humbur te shteti.

Në fund të fundit, një vend demokratik nuk matet nga numri i zyrtarëve që kanë viza amerikane, por nga numri i zyrtarëve që japin llogari përpara ligjit.

Amerika nuk duhet të jetë destinacioni ku pushtetarë shqiptarë, të cilët kanë shpërdoruar besimin dhe mandatin e qytetarëve, shkojnë sa herë të dëshirojnë për të gëzuar privilegjet e përfituara përmes abuzimit me detyrën dhe pushtetin, ndërkohë që në vendin e tyre qytetarët vazhdojnë të presin drejtësi, llogaridhënie dhe ndëshkimin e korrupsionit”, u shpreh publicisti.

Në vijim, Çumani e lidh nismën amerikane edhe me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, veçanërisht me përplasjen mes mazhorancës dhe SPAK-ut për çështjen e Belinda Ballukut.

Ai paralajmëron se një reagim konkret i Uashingtonit mund të ndikojë në raportet me zyrtarë të caktuar të qeverisë shqiptare, ndërsa qëndrimi i mëtejshëm i mazhorancës ndaj drejtësisë mund të ketë pasoja edhe për besueshmërinë ndërkombëtare të vendit.

“Zhvillimet e fundit në vendin tonë tregojnë se Shqipëria mund të hyjë në një fazë të re të vëmendjes dhe presionit ndërkombëtar për çështjen e korrupsionit dhe pavarësisë së drejtësisë.

Letra e kongresmenëve amerikanë Joe Wilson dhe Keith Self, veçanërisht në kontekstin e përplasjes së mazhorancës me SPAK-un për çështjen e Belinda Ballukut dhe mosmiratimit të kërkesës për heqjen e imunitetit të saj, përbën një sinjal që nuk duhet nënvlerësuar.

Nëse Uashingtoni vendos t’i japë këtij shqetësimi një përgjigje konkrete, përmes kufizimeve të vizave apo mekanizmave të tjerë ligjorë, kjo mund të shënojë një ndryshim të rëndësishëm në raportin me zyrtarë të caktuar të qeverisjes shqiptare.

Në thelb, çështja nuk është thjesht privilegji i udhëtimit drejt Amerikës, por respektimi i shtetit të së drejtës.

Një qeveri që kërkon të konsiderohet partnere strategjike e Shteteve të Bashkuara dhe kandidate serioze për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të dëshmojë se nuk e kushtëzon drejtësinë sipas interesave të pushtetit dhe se askush, sado i lartë të jetë posti i tij, nuk mund të vendoset mbi ligjin.

Prandaj, përgjigjja e Uashingtonit dhe sjellja e mëtejshme e mazhorancës ndaj SPAK-ut mund të përcaktojnë jo vetëm klimën politike të muajve të ardhshëm, por edhe besueshmërinë ndërkombëtare të Shqipërisë”, theksoi ai.

Në përfundim, Çumani vlerëson se debati i hapur nga kongresmenët amerikanë duhet të trajtohet si një çështje me rëndësi kombëtare dhe jo si një përplasje mes partive politike.

Sipas tij, respektimi i ligjit dhe përgjegjësia e zyrtarëve publikë duhet të jenë parime të panegociueshme për një shtet demokratik.

“Është e papranueshme që ata që dyshohen se kanë cenuar interesat e vendit të gëzojnë privilegje jashtë tij, ndërsa qytetarët që u kanë besuar të presin ende drejtësinë në atdheun e tyre.

Kjo është edhe arsyeja pse debati i hapur nga kongresmenët amerikanë Joe Wilson dhe Keith Self meriton vëmendje të veçantë dhe duhet të trajtohet si një debat për standardet, përgjegjësinë dhe të ardhmen demokratike të Shqipërisë. Jo si një betejë mes partive, por si një çështje me interes të lartë kombëtar që prek interesin e çdo shqiptari që dëshiron një shtet ku ligji është mbi pushtetin.

Sepse në një demokraci të vërtetë, askush nuk duhet të jetë i paprekshëm. As në Tiranë, as në Uashington dhe askund tjetër”, përfundoi Ilir Çumani për “Bota sot”.

Ndoj: Sinjalet amerikane janë serioze, por marrëdhëniet strategjike nuk cenohen nga raste individuale

Në anën tjetër, publicisti Llesh Ndoj vlerëson se qëndrimet e Shteteve të Bashkuara kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimet politike të vendit.

Image
Llesh Ndoj

Në një prononcim për “Bota sot”, ai thekson se mesazhet diplomatike amerikane duhet të interpretohen me kujdes, duke shmangur leximet e tyre sipas interesave të politikës së brendshme shqiptare.

“Lidhur me kërkesën e dy kongresmenëve amerikanë ndaj Sekretarit të Shtetit, Rubio, ku ata shprehin shqetësim për zhvillimet e demokracisë në Shqipëri dhe kërkojnë sanksionimin e zyrtarëve të korruptuar duke ua pamundësuar udhëtimin drejt SHBA-së, si dhe pyetjet tuaja lidhur me këtë zhvillim, më lejoni të shpreh sa më poshtë:

Qëndrimet e SHBA-së ndaj zhvillimeve panshqiptare janë të rëndësisë së posaçme, por ndaj Shqipërisë zyrtare, edhe për shkak të orientimit mbarëpopullor si filoamerikan, kanë peshë të jashtëzakonshme dhe ndikojnë në ecurinë e ngjarjeve në vijimësi.

Le të presim e të shohim vijimin dhe zbërthimin e mëtejshëm të gjuhës diplomatike, pasi ne shqiptarët atë gjuhë e ‘përkthejmë’ sipas orekseve tona, e të shohim qëndrime më konkrete përmes ambasadorit amerikan në Shqipëri”, u shpreh ai.

Sa i përket mundësisë që letra e kongresmenëve të paralajmërojë ndryshim të qëndrimit amerikan ndaj qeverisë shqiptare, Ndoj shprehet skeptik.

Sipas tij, Uashingtoni mund të kërkojë më shumë respektim të standardeve demokratike, por kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të politikës amerikane ndaj qeverisë së Shqipërisë.

“Nuk besoj se do të ketë ‘një tjetër qëndrim të SHBA-së’ ndaj qeverisë shqiptare. Mbase një ‘tërheqje veshi’, për më shumë demokraci, po.

Kjo sepse amerikanët janë të pranishëm prej vitesh këtu dhe qeveria e viteve të fundit (Rama 1–4) kurrë s’ka vepruar ndryshe nga sa i kanë sugjeruar amerikanët”, deklaroi publicisti.

Duke folur për mundësinë e vendosjes së kufizimeve të vizave ndaj zyrtarëve shqiptarë, Ndoj thekson se sinjalet që vijnë nga Shtetet e Bashkuara duhet të trajtohen gjithmonë me seriozitet.

Megjithatë, ai vlerëson se edhe në rast të vendosjes së masave ndaj individëve të caktuar, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA-së nuk do të pësonin ndryshime thelbësore.

Për të argumentuar qëndrimin e tij, Ndoj përmend rastin e Sali Berishës dhe çështjet e zyrtarëve të lartë shqiptarë që janë përballur me drejtësinë.

“Sinjalet që vijnë nga shteti amerikan janë kurdoherë serioze dhe duhet të vlerësohen drejt, seriozisht e shpejt, gjë që nuk besoj të hasë në rezistencë nga pala shqiptare.

A mund të sanksionohen një apo disa zyrtarë? Nuk e di. Por edhe nëse bëhet, asgjë nuk ndryshon.

Shihni rastin Berisha! Shihni se dy ish-zëvendëskryeministra janë për burg! Shihni se të tjerë ministra vuajnë ose do të kenë destinacion të pashmangshëm burgun, por marrëdhënia Shqipëri-SHBA qëndron përtej rasteve”, theksoi ai.

Në përfundim, Ndoj rithekson se partneriteti mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara mbetet i qëndrueshëm, pavarësisht zhvillimeve politike apo masave të mundshme ndaj zyrtarëve të veçantë.

Sipas tij, marrëdhëniet strategjike ndërmjet dy vendeve janë më të rëndësishme sesa rastet individuale dhe nuk pritet të cenohen nga zhvillime të tilla.

“Ritheksoj se marrëdhëniet me SHBA-në, sado të lëkunden, mbeten strategjike dhe të paprekshme nga pala shqiptare. Besoj edhe nga pala amerikane”, përmbylli Llesh Ndoj për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat