Çfarë e pret Kosovën pas ndryshimeve në Kongresin amerikan? Bekteshi flet për lobimin, raportet me Uashingtonin dhe NATO-n

Politika

Çfarë e pret Kosovën pas ndryshimeve në Kongresin amerikan? Bekteshi flet për lobimin, raportet me Uashingtonin dhe NATO-n

Nga: A.M. Më: 5 nëntor 2026 Në ora: 12:01
Flamuri i Kosovës dhe SHBA-së

Zgjedhjet e mesit të mandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mbajtura më 3 nëntor 2026, kanë sjellë ndryshime të rëndësishme në skenën politike amerikane, pasi demokratët kanë siguruar kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit. Ky zhvillim pritet të ndikojë në dinamikat politike në Uashington dhe në raportet ndërmjet Kongresit dhe administratës amerikane.

Për Kosovën, këto ndryshime kanë rëndësi të veçantë, pasi mbështetja e SHBA-së ka qenë ndër faktorët kryesorë në rrugëtimin e saj drejt lirisë, pavarësisë dhe konsolidimit të shtetësisë. Megjithatë, ndryshimi i shumicës në Kongres ngre pyetje për mënyrën se si shteti ynë duhet t'i përshtatë raportet me Uashingtonin dhe ta ruajë përkrahjen dypartiake.

Lidhur me këtë zhvillim, për “Bota sot” ka folur veprimtari shqiptar në SHBA, Ramazan Bekteshi, i cili vlerëson se ndryshimet në Kongres nuk duhet të interpretohen automatikisht si ndryshim i politikës amerikane ndaj Kosovës.

Image
Veprimtari shqiptar në SHBA, Ramazan Bekteshi

Ai thekson se Kosova duhet të ndërtojë marrëdhënie të qëndrueshme me të dyja partitë amerikane, duke mos e lidhur diplomacinë e saj vetëm me një administratë, parti apo individ të caktuar. Sipas tij, vendit i nevojitet një strategji afatgjatë lobimi, diplomaci profesionale dhe konsensus politik për çështjet strategjike kombëtare.

“Ndryshimet në Kongresin amerikan kanë rëndësi të veçantë për Kosovën, sepse Kongresi nuk është vetëm institucion ligjvënës, por edhe një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e prioriteteve të politikës së jashtme, buxhetit, sigurisë dhe mbikëqyrjes së politikës së administratës amerikane.

Zgjedhjet e 3 nëntorit 2026 kanë sjellë ndryshimin e kontrollit të të dyja dhomave në favor të demokratëve. Kjo do të krijojë një dinamikë të re politike në Uashington, por nuk duhet interpretuar automatikisht si ndryshim i politikës amerikane ndaj Kosovës.

Për Kosovën, mesazhi kryesor është se marrëdhëniet me SHBA-në duhet të ndërtohen mbi bazën e interesave të përbashkëta strategjike dhe jo mbi afërsitë me një administratë, një parti të caktuar apo vetëm me një grup politikanësh ose një individ si Grenell”, shprehet Bekteshi.

Ai rikujton se mbështetja amerikane për Kosovën ka qenë historikisht një çështje me përkrahje të gjerë dypartiake, duke theksuar se kontributi i administratave demokrate dhe republikane, i Kongresit dhe i institucioneve të tjera amerikane ka qenë përcaktues për shtetndërtimin e Kosovës.

Sipas tij, ndryshimi i shumicës në të dyja dhomat e Kongresit nuk duhet të jetë arsye për ndryshimin e orientimit të politikës së jashtme të Kosovës, por një mundësi për zgjerimin e komunikimit me të gjithë faktorët politikë në SHBA.

“Mbështetja amerikane për Kosovën ka qenë historikisht një çështje që ka gëzuar përkrahje të gjerë dypartiake. Kontributi i administratave demokrate dhe republikane, i Kongresit amerikan dhe i institucioneve të tjera amerikane ka qenë përcaktues në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe konsolidimit të shtetësisë.

Prandaj, politikanët tanë duhet ta kuptojnë se ndryshimi i shumicës së dy dhomave në Uashington nuk ka arsye të sjellë ndryshim të politikës, por paraqet një mundësi reale për të zgjeruar komunikimin me aktorët politikë të të dyja partive dhe assesi vetëm me njërën”, deklaron ai.

Duke folur për mënyrën se si duhet të veprojë diplomacia kosovare për ta ruajtur mbështetjen e të dyja partive amerikane, Bekteshi vlerëson se Kosovës i nevojitet një qasje e re, më profesionale dhe më aktive në marrëdhëniet me institucionet e SHBA-së.

Ai thekson se diplomacia nuk duhet të aktivizohet vetëm në kohë krizash politike apo diplomatike, por të funksionojë në vazhdimësi, përmes komunikimit me administratën amerikane, Kongresin, Senatin dhe komisionet që merren me politikën e jashtme dhe sigurinë.

“Mendoj se diplomacia e Kosovës duhet të kalojë nga një diplomaci kryesisht reaktive në një diplomaci profesionale, proaktive dhe institucionale.

Kosova duhet të ndërtojë komunikim të qëndrueshëm me të dyja partitë amerikane, me administratën, Kongresin, Senatin, komisionet për politikë të jashtme dhe siguri, si dhe me organizatat që merren me marrëdhëniet transatlantike.

Shtetit tonë i nevojitet një strategji afatgjatë lobimi, e cila nuk aktivizohet vetëm kur paraqitet ndonjë krizë politike apo diplomatike. Lobimi duhet të jetë i vazhdueshëm, profesional dhe i mbështetur mbi interesat e përbashkëta”, shprehet Bekteshi.

Ai konsideron se në këtë proces duhet të përfshihen jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe miqtë tradicionalë të Kosovës në Kongresin amerikan, komuniteti shqiptaro-amerikan, ekspertët e politikës së jashtme, universitetet dhe qarqet akademike.

Sipas tij, Kosova duhet ta argumentojë rëndësinë e partneritetit me SHBA-në përmes interesave konkrete strategjike, si siguria rajonale, stabiliteti i Ballkanit Perëndimor, NATO-ja, parandalimi i ndikimeve destabilizuese të fuqive rivale, sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik.

“Duhet të angazhohen jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe miqtë tradicionalë të Kosovës në Kongres, komuniteti shqiptaro-amerikan, ekspertët e politikës së jashtme, universitetet dhe qarqet akademike.

Kosova duhet të flasë gjuhën e interesave strategjike amerikane: sigurinë rajonale, stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, NATO-n, parandalimin e ndikimeve destabilizuese të fuqive rivale, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik.

Por diplomacia nuk mund të mbështetet vetëm në kërkimin e përkrahjes amerikane. Ajo duhet të shoqërohet edhe me përgjegjësi institucionale nga vetë Kosova: koordinim me aleatët dhe forcim të institucioneve demokratike”, thekson ai.

Bekteshi paralajmëron gjithashtu se përçarjet e brendshme politike në Kosovë nuk duhet të reflektohen në marrëdhëniet me Uashingtonin. Sipas tij, miqësia me SHBA-në nuk duhet të shndërrohet në çështje të rivalitetit ndërmjet partive politike, pasi interesi shtetëror duhet të jetë mbi çdo interes partiak.

“Një element tjetër me rëndësi është që Kosova të mos lejojë që mosmarrëveshjet e brendshme politike, si në të kaluarën, të reflektohen në mënyrë negative në marrëdhëniet me Uashingtonin. Politika e jashtme duhet të ketë konsensus për çështjet strategjike kombëtare.

Miqësia me Amerikën nuk duhet të jetë monopol i asnjë partie politike në Kosovë, siç po pretendohet tani. Pra, interesi i shtetit duhet të mbetet mbi rivalitetet partiake”, deklaron Bekteshi.

Një tjetër çështje që ai e konsideron me rëndësi të veçantë është rikthimi i Dialogut Strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bekteshi vlerëson se ky mekanizëm duhet të jetë ndër prioritetet kryesore të politikës së jashtme, pasi mundëson shndërrimin e partneritetit me SHBA-në në bashkëpunim konkret dhe afatgjatë.

Duke komentuar pezullimin e këtij dialogu në vitin 2025, ai e cilëson atë si një sinjal serioz diplomatik, të cilin Kosova duhet ta trajtojë me përgjegjësi dhe realizëm. Ai përmend edhe gatishmërinë e shprehur nga Qeveria e Kosovës në shtator të vitit 2026 për rifillimin e tij, përmes një agjende që përfshin sigurinë, energjinë, investimet dhe sundimin e ligjit.

“Pa dyshim, Dialogu Strategjik duhet të jetë ndër prioritetet kryesore të politikës së jashtme të Kosovës, sepse ai përfaqëson një mekanizëm institucional për ta shndërruar partneritetin me SHBA-në në bashkëpunim konkret dhe afatgjatë.

Pezullimi i këtij dialogu në vitin 2025 ishte një sinjal serioz diplomatik, të cilin Kosova duhet ta trajtojë me përgjegjësi dhe realizëm. Në shtator 2026, Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmërinë për rifillimin e tij, duke propozuar një agjendë që përfshin sigurinë, energjinë, investimet dhe sundimin e ligjit”, shprehet ai.

Megjithatë, Bekteshi nënvizon se rikthimi i Dialogut Strategjik nuk duhet të mbetet vetëm një veprim protokollar apo një mundësi për fotografi, por duhet të shoqërohet me objektiva konkrete, afate dhe mekanizma të qartë zbatimi.

Ai veçon tri fusha kryesore ku, sipas tij, duhet të përqendrohet bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së: siguria dhe mbrojtja, ekonomia dhe investimet, si dhe energjia dhe teknologjia.

“Rikthimi i dialogut nuk duhet të jetë vetëm një akt protokollar apo vetëm për fotografi, por një proces me objektiva, afate dhe mekanizma të qartë zbatimi.

Unë këtu do të veçoja tri fusha me prioritete:

Siguria dhe mbrojtja: Thellimi i bashkëpunimit ushtarak, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe avancimi i integrimit euroatlantik të Kosovës, përfshirë anëtarësimin në NATO.

Ekonomia dhe investimet: Rritja e investimeve amerikane.

Energjia dhe teknologjia: Diversifikimi energjetik, siguria energjetike dhe bashkëpunimi në teknologjitë e reja”, deklaron Bekteshi.

Në fund, veprimtari shqiptar në SHBA vlerëson se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë moment për të dëshmuar seriozitetin e saj si partnere e Shteteve të Bashkuara, duke ndërtuar raporte të qëndrueshme me të gjithë spektrin politik amerikan dhe duke e vendosur interesin shtetëror mbi ndasitë e brendshme.

“Tani është koha që Kosova të dëshmojë se di të sillet si një aleate serioze dhe e besueshme e Amerikës”, përfundon Ramazan Bekteshi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat