​Vazhdon vendosja e kamerave në shkolla, Komuna e Prishtinës s’ka raporte për efektet e tyre

Prishtina

​Vazhdon vendosja e kamerave në shkolla, Komuna e Prishtinës s’ka raporte për efektet e tyre

Më: 19 mars 2023 Në ora: 09:40
Së fundmi, kamerat janë vendosur edhe në shkollën “Ali Kelmendi”, në Barilevë

Komuna e Prishtinës ka filluar vendosjen e kamerave të sigurisë edhe nëpër shkollat dhe çerdhet në fshatrat e kësaj komune, në tentim për të minimizuar dhunë dhe rastet tjera penale nëpër këto institucione.

Plani për vendosjen e kamerave të sigurisë nëpër shkollat dhe çerdhet në kryeqytet ka filluar që në dhjetor të vitit 2022 dhe komuna e Prishtinës tashmë ka kaluar edhe në fshatra.

Së fundmi, kamerat janë vendosur edhe në shkollën “Ali Kelmendi”, në Barilevë, me qëllim që nxënësit të ndihen të sigurt në ambientet e shkollës.

Drejtoresha e arsimit në Prishtinë, Besiana Musmurati ka theksuar se vendosja e kamerave po bëhet pasi rastet e dhunës në shkolla duhet të minimizohen.

Musmurati: Përveç shkollave, kamera kemi vendosur edhe nëpër çerdhe

“Kemi përfunduar të gjitha shkollat e Prishtinës, gjithashtu edhe çerdhet. Më herët ka pasur çerdhe që nuk kanë fare kamera të sigurisë dhe i kemi vendosur edhe ato. Disa shkolla kanë pasur edhe më herët kamera ekzistuese që kanë qenë jashtë funksionit por edhe ato po i riparojmë që të jenë funksionale në të gjitha shkollat... Plan i veprimit të sigurisë në shkolla, kanë qenë kamerat e sigurisë, sepse e kemi parë si një veprim që e rrit sigurinë brenda shkollave, kamerat janë të vendosura në pikat e nxehta të konfliktit ,ashtu si thuhet edhe nga raportet për sigurinë e shkollave në nivel global si: korridori, oborrin e shkollës”, ka thënë Musmurati.

Ajo ka shtuar se kamerat janë vendosur në hapësirat ku lejohet me ligj, por ka nënvizuar se ende nuk kanë statistika të qarta nëse kamerat e vendosura po kontribojnë në parandalimin e rrahjeve dhe kacafytjet e nxënësve nëpër shkolla.

Musmurati: Ende nuk kemi statistika se çfarë rezultate kanë sjell kamerat e sigurisë

“Ende nuk kemi statistika sepse ato prodhohen një herë në vit që i marrim nga Policia e Kosovës, sepse raportim për rrahje në mes së nxënësve bëhet së pari në Polici dhe për krahasimin në mes së statistikave duhet që të presim edhe një kohë që të shohim se çfarë rezultate kanë sjell këto kamera, në uljen dhe zvogëlimit të rasteve të incidenteve nëpër shkolla...Kemi ndarë një buxhet rreth 30 mijë euro që të shohim nëse diçka na mbetet pa mbuluar sepse ndonjë kamerë mund të prishet ose ndonjë sistem mund të mos funksionojë dhe do të mirëmbajmë sistemin aktual dhe do të jetë projekt në vazhdimësi”, ka thënë ajo.

Drejtoresha e shkollës fillore e mesme e ulët “Ali Kelmendi”, në fshatin Barilevë, Bedrie Pireva ka thënë për KosovaPress se që nga vendosja e kamerave të sigurisë në shkolla nuk kanë hasur as bullizëm, por nuk as shkelje të drejtave të fëmijëve, pasi tanimë ata e dimë që janë nën vëzhgimin e kamerave.

Pireva: Arsyeja e vendosjes së kamerave është rritja e sigurisë së nxënësve në shkolla

“Arsyeja e vendosjes së kamerave është rritja e sigurisë së nxënësve në shkolla...Raste të rrahjes nuk kemi pasur të specifikuara dhe me vendosjen e kamerave është rritur qind për qind siguria si nga ana e mësimdhënësve, nxënësve, punëtorëve teknik, që tani e tutje nuk kemi as bullizëm, nuk kemi as shkelje të drejtave të fëmijëve, sepse tani më e dimë që jemi nën vëzhgimin e kamerave...Kamerat i mbikëqyri unë, vetë e kam marrë përsipër që mbikëqyrjen ta bëjë unë”, ka thënë Pireva.

Ndërkohë, sipas drejtoreshës së arsimit në Prishtinë, Besiana Musmurati, Komuna e Prishtinës deri në fund të mandatit ka synim të përfundojnë me vendosjen e kamerave në të gjitha shkollat në kryeqytet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat