Trafiku Urban nuk qarkulloi as sot, kërkohet ekzekutimi i pagave

Prishtina

Trafiku Urban nuk qarkulloi as sot, kërkohet ekzekutimi i pagave

Më: 1 dhjetor 2025 Në ora: 21:31
Foto ilustrim

Për disa ditë radhazi punëtorët e transportit publik në Prishtinë kanë protestuar para objektit të Komunës. Kërkesa e tyre mbetet ekzekutimi i pagave në mënyrë që t’i kthehen punës.

“Akoma nuk kemi marrë asnjë informatë për rrjedhën e asaj se çfarë duhet të bëjë ministria t’i alokojë parët, deri në alokimin e parave në xhirollogaritë e Trafikut Urban dhe sektorit privat, ne do të vazhdojmë me protesta njëjtë sikur sot nga ora 10:00 deri ora 12:00. Deri në kohën që i marrim paratë në xhirollogarinë tonë”,  tha  Elmi Gashi, përfaqësues i punëtorëve të Trafikut Urban.

“Ju kisha bërë thirrje institucioneve që janë përgjegjëse për bartjen e mjeteve që t’i alokojnë mjetet sa më shpejt, që më së keqi kanë mbetur qytetarët pa transport, me së shumti janë duke e vuajtur qytetarët. Sa më shpejt që të dalin mjetet, transporti fillon më shpejt”, tha  Ismet Haliti,  sekretar i Shoqatës se sektorit privat të autobusëve.

 Nga Komuna e Prishtinës të hënën nuk janë deklaruar lidhur me këtë situatë. Hulumtues nga instituti GAP thonë se pritjet që brenda ditës të tejkalohen problemet buxhetore janë të gabuara.

“Çdo vendim i Kuvendit Komunal, në secilin rast, duhet të marrë aprovimin e shqyrtimin e ligjshmërisë nga ana e MAPL-së, që në rrethana ideale zgjat 15 ditë. Kjo ministri vlerëson nëse votimi ka qenë në rregull dhe nëse janë përmbushur kushtet ligjore për thirrjen e seancës. Në shumë raste, MAPL konstaton të kundërtën, gjë që e detyron komunën ose ta përsërisë seancën, ose ta pezullojë vendimin, ose nëse komuna e kundërshton,  rasti/lënda përfundon në gjykatë”, ka shkruar Bekim Salihu nga Instituti GAP .

Protesta u paralajmërua se do të vazhdojë edhe nesër. Që një javë në kryeqytet nuk kanë qarkulluar autobusët e transportit publik ndaj banorët e Prishtinës, janë detyruar që të bëjnë zgjidhje alternative.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat