​Shembja e rrugës në Prishtinë, Rama pezullon nga puna inspektorët

Prishtina

​Shembja e rrugës në Prishtinë, Rama pezullon nga puna inspektorët

Më: 29 mars 2026 Në ora: 22:20
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bën të ditur se bashkë me ekipet e Kryeqytetit dhe Policinë janë në terren duke monitoruar nga afër situatën e krijuar pas rrëshqitjes së dheut në rrugën “Don Shtjefen Kurti”, në vazhdim të rrugës “Malush Kosova”.

Rama ka kërkuar nga Prokuroria që të nisë menjëherë procedurat hetimore për zbardhjen e rastit, duke ofruar bashkëpunim të plotë institucional dhe qasje në çdo informacion të nevojshëm.

Ai gjithashtu ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Drejtoria e Inspeksionit pezullimin e menjëhershëm nga detyra të inspektorëve të përfshirë, si dhe ndalimin e çdo angazhimi të tyre në këtë rast deri në përfundim të hetimeve.

Paralelisht, është iniciuar edhe një hetim i brendshëm për të verifikuar raportet e inspektimit, frekuencën e kontrolleve në terren dhe për të identifikuar çdo lëshim, neglizhencë apo shkelje të mundshme të detyrës.

“Nëse konstatohen shkelje, do të ketë masa të menjëhershme, nga largimi nga puna deri në ndjekje penale”, ka theksuar Rama.

Sipas tij, autoritetet janë në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kryeqytetit, e cila ka vendosur që të gjitha njësitë të kenë prioritet menaxhimin e situatës dhe ruajtjen e rendit publik në zonën e prekur.

Kryetari Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjen në këtë zonë deri në stabilizimin e plotë të situatës.

Rruga “Don Shtjefën Kurti” në Prishtinë sot pasdite është ndarë përgjysmë, shembur.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat