Presidentja e Komisionit Evropian mesazh nga Shkupi: Mos humbisni shansin për integrim në BE!

Shkupi

Presidentja e Komisionit Evropian mesazh nga Shkupi: Mos humbisni shansin për integrim në BE!

Më: 30 tetor 2023 Në ora: 19:17
Foto nga takimi

Para se të nisej për në Prishtinë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen qëndroi në Shkup ku theksoi planet e Brukselit për ndihma ekonomike rajonit të Ballkanit Perëndimor në një shumë prej gjashtë miliardë eurosh. Ndërkohë, ajo tha se pret reforma të mirëfillta sepse, siç tha: “ekzison një dritare e hapur e shanseve për integrim dhe rajoni duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi”. Zonja von der Leyen inkurajoi të gjitha palët në Shkup që të mbështesin ndryshimet kushtetuese në mënyrë që vendi të përparojë më shpejtë në rrugën e integrimit evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian theksoi në Shkup ndihmën që Brukseli synon t’i japë Maqedonisë së Veriut dhe Ballkanit Perëndimor në një shumë prej 6 miliardë eurosh në formë të investime, por për këtë gjë duhen reforma në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian.

Zonja Von der Leyen arriti të dielën në mbrëmje në Shkup, ndërsa të hënën u prit me ceremoni të larta shtetërore nga Kryeministri, Dimitar Kovaçevski me të cilin kanë diskutuar mbi arritjet e Maqedonisë së Veriut në planin e integrimit, por dhe për aspekte të tjera.

“Ne jemi gati të ndajmë 100 milionë euro ndihmë mikrofinanciare që e kemi paralajmëruar, por duhet të punohet më tepër; duhet t’i afrojmë ekonomitë. Keni bërë zhvillim të suksesshëm, por ekonomia juaj është sa 42 përqind e të hyrave mesatare në Bashkimin Evropian dhe atë që synojmë ta bëjmë së bashku është ta dyfishojmë rritjen e ekonomisë suaj brenda dekadës së ardhme”, tha zonja Von der Leyen.

Ajo foli për mundësitë e investimeve në disa zona të Maqedonisë së Veriut për energjinë e rinovueshme, ndërsa vuri theksin tek nevoja e hapjes së tregjeve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor:

“Tregu i përbashkët rajonal, nëse realizohet, do të mund të ngritë Prodhimin e Brendshëm Bruto për 10 përqind dhe kjo është një mndësi e madhe për të lëvizur përpara”.

Por për këto, siç vërejti kreu i Komisionit Evropian, nevojiten reforma pozitive.

Në përgjithësi, Presidentja e Komisionit Evropian vlerëson se gjërat kanë ndryshuar për të mirë edhe brenda Bllokut: “Sepse, atë që shohim tani është çasti i vërtetë në procesin e zgjerimit”, u shpreh ajo.

“Ne duam që Ballkani Perëndimor t’i bashkohet BE-së dhe për këtë edhe ju duhet të jeni të gatshëm por edhe ne. Është shumë mirë që diskutimet konkrete kanë filluar brenda BE-së. Ky nuk ishte rasti me mandatin e kaluar, prandaj diçka ka ndryshuar thelbësisht gjatë këtij mandati dhe po konkretizohet”, tha ajo duke inkuarajuar lëvizjen përpara të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Sepse kjo është dritarja e shanseve që tani është e hapur”, tha zyrtarja e lartë evroiane duke theksuar se ky proces nuk është i ashpër; por bazohet tek sistemi i meritave, kështu që askush nuk duhet të presë për një datë të caktuar.

“Ju mund të shpejtoni. Sa më i mirë të jetë procesi i reformave, aq më shpejtë do të bëhet i mundur integrimi”, tha zonja von der Leyen duke iu përgjigjur një pyetje për synimet e Maqedonisë së Veriut që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në vitin 20230.

“Pra, ekziston dritarja e hapur e mundësive dhe ta kapim së bashku këtë moment!”, ritheksoi ajo.

Kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski thotë se vendi ka një shans të papërsëristshëm për të siguruar të ardhmen evropiane me marrjen e vendimeve të duhurua në parlament:

“Përvojat e këqija nga historia nuk guxojnë të përsëriten. Do të vazhdoj me partnerët e koalicionit të punojmë që ëndrra për një Maqedoni evropiane të realizohet deri në vitin 2030”, tha zoti Kovaçevski.

Presidentja e KE-së, ndërkohë i bëri thirrje Shkupit për ndryshimin e kushtetutës, në mënyrë që procesi të përshpejtohet në këtë rrugë.

Por, atë që Shkupi duhet ta bëjë sa më parë është ndryshimi i Kushtetutës ku duhet të futet pakica bullgare, një kusht ky i Bashkimit Evropian për vazhdimin e bisedimeve me Bllokun.

Zonja Ursula von der Leyen tha se shpreson që të gjitha partitë të mbështesin ndryshimin e Kushtetutës, “sepse bëhet fjalë për të ardhmen tuaj dhe të gjitha palët kanë përgjegjësi për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut”, u shpreh ajo./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat