Dibranët po prekin me dorë çdo ditë ndryshimin

Shqipëria

Dibranët po prekin me dorë çdo ditë ndryshimin

Nga: Gëzim Loka Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 20:34
Dionis Imeraj

Takimin e parë me kryetarin e porsazgjedhur të bashkisë Dibër Dionis Imeraj e kam bërë më 23 gushtin e vitit që kaloi, kur isha në Peshkopi për të marrë pjesë në festimet e krijimit të Brigadës XVIII Sulumese dhe çlirimit të Dibrës nga okupatori nazifashist. Ishim shumë miq e të ftuar nga Tirana dhe ai na priti e na shoqëroi gjatë gjithë kohës, i gjendshëm dhe i gatshëm për të na vënë në dispozicion gjithçka që na nevojitej, për të qenë sa më komodë në këtë veprimtari.

Më bëri shumë përshtypje thjeshtësia e tij, ngrohtësia në komunikim, korrektesa dhe predispozita e përkushtimi për të vënë në lëvizje çdo “agregat” në dobi të Dibrës dhe dibranëve. I gatshëm për t’iu dhënë përgjigje të gjithëve, për t’i sajdisur të gjithë, mbi të gjitha, për të vepruar me pasion dhe përkushtim në dobi të interesave të qytetarëve, kështu do ta profilizoja shkurt, me pak fjalë, portretin e këtij kryebashkiaku.

Gjatë gjithë kohës, Dionisi ka qenë në shërbim të qytetarëve, orar e pa orar, duke lëvizur të gjithë “gurët” institucionalë, që qeverisja lokale të bëhet sa më efikase dhe e prekshme për nevojat e çdo dibrani.

Do të veçoja faktin, se ai ka shfaqur predispozita konstante për të vlerësuar figurat dhe kontributet e Luftës antifashiste, gjurmët e tyre në kohë, lidhjen e tyre me brezat e sotëm, çfarë dëshmohet dhe me lidhjet e ngushta që mban me organizatën e veteranëve në Dibër, duke qenë gjithmonë pranë tyre, në çdo veprimtari përkujtimore e më gjërë.

Takimi i dytë me Dionisin ka qenë virtual, me mjetet e teknologjisë së modernitetit, kur i kërkova të bënte një përshëndetje në video-sesionin shkencor, që organizuam para disa ditëve në kujtim të veprës së Heroit të Popullit Gjokë Doçi, si homazh dhe respekt ndaj kësaj figure embelmatike të Lurës, Dibrës e shqiptarisë, ku me këtë rast u bë dhe promovimi i librit tim monografik kushtuar këtij Heroi të pashlyeshëm në kujtesën e kohëve dhe brezave.

bëri përshtypja gadishmëria e kryebashkiakut Imeraj për t’iu përgjigjur ftesës sime dhe jo vetëm me fjalë por me veprim konkret, ku brenda njëzet e katër orëve solli përshëndetjen për të cilën e falenderoj së bashku me lurianët e mi.

Nuk është rasti të bëjmë një bilanc të punëve të bëra prej tij që kur mori mandatin e kryebashkiakut, por disa gjëra janë të prekshme dhe të matshme dhe, mbi të gjitha, modestia e kryebashkiakut, gadishmëria e tij për të qenë pranë njerëzve, pavarësisht nëse e kanë votuar apo jo, për t’iu dhënë shërbimet e nevojshme, në mënyrë sa më të shpejtë dhe sa më cilësore.

Tanimë Dibra, Peshkopia dhe të gjithë fshatrat që e përbëjnë këtë bashki vërtetë po rilindin, po kthehen tek vetvetja, tek hallët e përditshme të qytetarëve, tek përballja me nevojat e përditshmërisë, larg presioneve politike dhe çdo forme tjetër trysnie partiake dhe kjo falë një kryebashkiaku si Dionisi, që vështron përtej vetes, përtej interesave partiake.

Qytetarët e Peshkopisë dhe të gjithë fshatrave të Dibrës, po e shikojnë dhe prekin me dorën e tyre çdo ditë ndryshimin, kanë nisur investimet në të gjithë sektorët e jetës dhe ekonomisë, po jetësohet plani i rilindjes urbane dhe mund të themi me plot gojën se sot Bashkia Dibër është e qytetarëve, të cilët dëgjohen dhe i jepet përgjigje çdokujt, sipas hallit dhe mundësisë. Ata janë vendimmarrës dhe përbejnë forcën shtytëse të zhvillimeve të mëdha që po ndodhin cdo ditë e më shumë në Dibrën që po rilind.

Këto radhë nuk mund të mos i shkruaja për një titullar të lartë lokal si Dionis Imeraj, që me punë e përkushtim, po mundëson që qeverisja vendore në Dibër të zbres e prekshme dhe me bilanc pozitiv tek çdo qytetar dibranë, të cilët janë njerëz të zgjuar dhe dijnë të vlerësojnë gjithëkënd që punon për ta pa hile dhe me objektiva të qarta, për përmisimin e kushteve të jetës në këtë trevë me resurse të mëdha historike, tursitike e, mbi të gjitha, me kapacitete të forta intelektuale e njerëzore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat