BE shtyn bisedimet me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut

Shqipëria

BE shtyn bisedimet me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut

Më: 1 dhjetor 2020 Në ora: 13:29
BE

 Ambasadorët e BE nuk kanë rënë dakord për fillimin e bisedimeve të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në dhjetor, njofton Euronews.

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm (Coreper) ra dakord në konkluzionet e tyre se Shqipëria nuk është akoma e gatshme të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare me BE, pasi ka ende punë për të bërë për kushtet e vendosura që nga Marsi 2020.

Ambasadorët vlerësuan punën e Shqipërisë mbi reformat, por theksuan se vendi ynë duhet të tregojë më shumë përparim në përmbushjen e kushteve.

Lidhur me Maqedoninë e Veriut, u deklarua se data për konferencën e parë do të caktohet sapo vendi të zgjidhë çështjet e tij me Bullgarinë. Kujtojmë se Bullgaria ka bllokuar fillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut. Ajo pretendon se gjuha maqedonase është një dialekt i bullgarishtes dhe se nuk ka asnjë pakicë maqedonase në Bullgari. Të dy deklaratat kërkohet të përfshihen në dokumentin përfundimtar që lejon fillimin e bisedimeve. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev deri më tani ka refuzuar të heqë dorë nga kërkesat.

Italia thuhet se u përpoq të zbuste ‘gjuhën’ e konkluzioneve për Shqipërinë, por kërkesa u refuzua.

Drafti i konkluzioneve të arritura sot nga ambasadorët e BE do të miratohet nga Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme, i përbërë nga ministra të punëve të jashtme dhe evropiane të vendeve anëtare të BE, në 8 dhjetor.

Fillimi i negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mund të miratohet në Mars 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat