Ende nuk ka konfirmim për armën që u gjet pas vrasjes së Klodian Rashës

Shqipëria

Ende nuk ka konfirmim për armën që u gjet pas vrasjes së Klodian Rashës

Më: 9 dhjetor 2020 Në ora: 21:26

Policia nuk konfirmon zyrtarisht, nëse pistoleta që u gjet në Laprakë, shumë larg vendit ku u vra Klodian Rasha është e 25-vjeçarit apo ndonjë personi tjetër.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme tha se ka administruar provat filmike të bizneseve pranë vendit të ngjarjes, por nga hetimet e deritanishme nuk konfirmohet se i riu i ka drejtuar policëve ndonjë armë të dyshuar.

Ndërsa përcollën për në banesën e fundit Klodian Rashën, të afërm të tij këmbëngulin se 25-vjeçari nuk ishte problematik dhe se nuk kishte asnjë pistoletë me vete, siç thotë policia.

Shokët që ishin me të deri pak orë para se të vritej, tregojnë se 25-vjeçari doli për të blerë cigare.

“Ai ka qenë me ne deri në orën 11:00 të natës dhe nuk ka pasur kurrë asnjë armë. Familja e di shumë mirë se ai në jetën e tij kurrë nuk ka pasur armë. Ai ka dalë për të blerë cigare në një kioskë te Don Bosko që rri 24 orë hapur. Arma nuk i përket Klodian Rashës. Ne na dhemb shumë fakti që është njollosur figura e tij. E kemi pasur shok prej 20 vitesh. Ai jo vetëm nuk mbante armë, por i urrente dhe i kishte fobi. Policia e ka sajuar ngjarjen për të mbuluar krimin. Se ky është krim, nuk është vrasje nga pakujdesia”.

Edhe familjarët e denojnë ngjarjen dhe kërkojnë ndëshkimin e autorit.

Ndërkohë në dëshminë e dytë, oficeri i forcave “Shqiponja” që vrau Klodian Rashën, u shpreh se ai u ndje i kërcënuar dhe e qëlloi vetëm pasi mendoi se në dorë mbante një pistoletë.

Klodian Rasha u qëllua nga efektivi N.H, 2 herë, ku plumbat e kapën në shpinë dhe në kokë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat