Rivlerësimi i shtëpive me 3%, afat deri në dhjetor 2021! Deri më tani rreth 50 mijë aplikime nga qytetarët

Shqipëria

Rivlerësimi i shtëpive me 3%, afat deri në dhjetor 2021! Deri më tani rreth 50 mijë aplikime nga qytetarët

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 16:02
Foto Ilustrim

Në prag të ndërrimit të viteve, Kuvendi ka kaluar për miratim edhe projektligjin “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”, në të cilin përcaktohet shtyrja e afatit me një vit për rivlerësimin e shtëpive me 3 për qind. Numri i ulët i aplikimeve, kryesisht prej situatës së krijuar nga pandemia, ka bërë që brenda një periudhe të shkurtër kohore qeveria të ndryshojë 3 herë afatin.

Fillimisht u caktua që afati të mbyllej në fund të shtatorit, më pas u zgjat deri në 31 dhjetor dhe me ndryshimet e fundit, qytetarët do të kenë edhe 1 vit kohë për të përfituar nga amnistia. Ligji i miratuar dje përcakton 31 dhjetorin e vitit që vjen afatin përfundimtar për rivlerësimin e shtëpive dhe pronave me 3 për qind nga 15 për qind që është detyrimi tatimor në kushte normale.

“Përfitues nga ky ligj janë të gjithë individët, të cilët kanë në pronësi pasuri të paluajtshme, si dhe individëve të cilët janë në proces legalizimi dhe regjistrimi të pasurisë apo kanë lidhur kontrata sipërmarrjeje dhe vazhdojnë të jetojnë në pallate të palegalizuara, si dhe personat juridikë, të cilët kanë të regjistruara në pasqyrat e tyre financiare pasuri të paluajtshme me vlerë më të vogël se ajo e tregut; shtyrja e afatit përmes këtij projektligji bëhet për shkak të përballjes me pandeminë Covid-19, fakt ky që ka pasur ndikim të ndjeshëm dhe ka sjellë vështirësi për sa i përket procesit të aplikimit nga ana e personave të interesuar për të kryer rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”, theksohet në relacion.

Por si llogaritet detyrimi tatimor? Konkretisht nga vlera aktuale e banesës apo pronës zbritet vlera e saj fillestare dhe 3 për qindëshi i diferencës do të jetë edhe tatimi që do të paguhet. Si bazë për rivlerësimin do të shërbejnë çmimet minimale fiskale që aplikohen për zonën kadastrale në të cilën ndodhet banesa, ndërsa për banesat që janë në proces regjistrimi, pra e kanë lejen por nuk kanë marrë certifikatën e pronësisë, do të merret si referuese kostoja e ndërtimit në momentin që është dhënë leja e legalizimit. Në mënyrë hipotetike, një qytetar që ka një banesë 100 metra katrorë në Tiranë, kostoja e ndërtimit është 32 113 lekë për metër katror, atëherë vlera fillestare e objektit është 3 211 300 lekë.

Nëse rivlerësohet, vlera e këtij objekti do të përcaktohet mbi bazën e çmimeve që janë sot në treg dhe për Tiranën çmimi për metër katror është 89 137 lekë. Në këto kushte, vlera e shtëpisë sot është 8 913 700 lekë. Tatimi llogaritet nga diferenca mes dy vlerave. Pra (8 913 700-3 211 300) *3% = 171 072 lekë është tatimi që do të paguhet për përditësimin e vlerës së banesës. Përditësimi i çmimeve është një mundësi e mirë për ata të cilët duan ta shesin më pas këtë pronë, pasi në momentin e transaksionit detyrimi tatimor reduktohet ndjeshëm. Nga të dhënat zyrtare, mësohet se janë rreth 52 mijë familje të cilat kanë aplikuar për të kryer rivlerësimin e banesës, por pothuajse gjysma prej tyre nuk kanë kryer ende pagesën. Lidhur me afatet, udhëzimi i Agjencisë së Kadastrës përcakton 5 ditë afat për përmbylljen e procedurave të rivlerësimit.

“Drejtoria vendore e ASHK-së, brenda 5 ditëve nga verifikimi i pagesës së tatimit të rivlerësimit të pasurisë dhe tarifave të shërbimit, duhet të kryejë shënimet përkatëse në regjistrat e pasurive të paluajtshme, për pasqyrimin e rivlerësimit, nëpërmjet punonjësit të ngarkuar me këtë detyrë”. Krahas pagesës së taksës që për shtëpitë dhe tokat që është 3 për qind dhe për bizneset është 5 për qind, qytetarët do të kenë në ngarkim edhe një tarifë tjetër, ajo është tarifa e shërbimit, e cila është 1200 lekë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat