Hidhet shorti për të drejtën e emërimit të anëtarit të shtatë të KZAZ-ve

Shqipëria

Hidhet shorti për të drejtën e emërimit të anëtarit të shtatë të KZAZ-ve

Më: 7 janar 2021 Në ora: 19:13
KQZ

Shorti i hedhur në mbledhjen e sotme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka përcaktuar të drejtën e partive për të propozuar anëtarin e shtatë të komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ).

Kështu Partia Demokratike do të ketë të drejtë për të propozuar anëtarin në KZAZ-të me numër tek ndërsa Partia Socialiste ato me numrin çift. Në gjithë vendin janë në total 90 KZAZ.

Shqipëria ka 61 bashki dhe KZAZ-të në parim kanë të njëjtën shtrirje me territorin administrativ të bashkive apo njësive administrative. Mirëpo në bashkitë që kanë më shumë se 80 mijë banorë me të drejtë vote ndahen nga KQZ-ja me më shumë se një zonë administrimi.

Po gjatë ditës së sotme KQZ miratoi formatin dhe specifikimet e vulave dhe shenjave dalluese të logjistikës zgjedhore për KZAZ-të.

Mbledhja u zhvillua pa praninë e mediave për shkak të pandemisë, por ajo u transmetua online në rrjetet sociale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat