Greqia ndan vaksina anti-COVID për Shqipërinë

Shqipëria

Greqia ndan vaksina anti-COVID për Shqipërinë

Më: 8 janar 2021 Në ora: 18:22
Vizita e Ramës në Greqi

Një sasi vaksinash anti-COVID ka ndarë Greqia për Shqipërinë, është mësuar pas takimeve që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur me krerë të Greqisë.

Vizita e Ramës në Greqi erdhi pak pas vizitës zyrtare që kishte në Turqi, ku u takua me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, takim i cili nga mediat në Greqi u cilësua si “takimi mes armiqve të Greqisë”. Rama në Greqi, ku shkoi për vizitë jozyrtare, u takua me ministrin e jashtëm Nikos Dendias dhe kryeministrin Kyriakos Mitsotais.

Në përfundim të takimit kokë më kokë me kreun e qeverisë shqiptare, shefi i diplomacisë greke, Dendias bëri me dije në rrjetet sociale se me Ramën bisedoi për tre çështje: marrëdhëniet mes dy vendeve, e ardhmja Evropiane e Shqipërisë dhe zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit.

Në njoftimin e Nikos Dendias nuk specifikohet nëse në bisedën për zhvillimet në rajon, kryetemë ishin diferencat që ndajnë dy vendet për përcaktimin e kufirit ujor mes Shqipërisë dhe Greqisë para shqyrtimit nga gjykata ndërkombëtare të drejtësisë në Hagë. As në njoftimin e bërë nga vetë kreu i qeverisë shqiptare, kjo si çështje nuk renditet në arsyet që e çuan në vizitën jozyrtare në Greqi, pas takimit zyrtar me presidentin turk.

Mësohet se Athina zyrtare ka vendosur t’ia sigurojë një sasi vaksinash anti-COVID Shqipërisë për ta ndihmuar në luftën ndaj koronavirusit. Ndihma cilësohet si jetike, sidomos pas refuzimit të vendeve evropiane për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor.

Ndërkohë lidhur me takimin me kryeministrin e Greqisë, pas përfundimit të drekës, kryeministri i Shqipërisë , ka qenë tepër i kënaqur. Edhe pala greke është shprehur se mes vendeve “ka qasje të re me largpamësi dhe pozitive”.

“Për një drekë pune me Kryeministrin Mitsotakis, për të diskutuar mbi koordinimin e mëtejshëm në luftën e përbashkët kundër Covid19, forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian të rajonit tone”, shkruan Edi Rama pas takimit me homologun grek.

Në harkun e katër muajve, jozyrtarisht Edi Rama është takuar dy herë me Kyriakos Mitsotakis. Nëse në të parin, dy drejtuesit u dakordësuan që kufiri detar mes dy vendeve të gjykohet nga drejtësia ndërkombëtare, në të dytin, Kyriakos Mitsotakis e pret homologun e tij pas dekretit presidencial për t’u shtrirë me 12 milje në detin Jon. Për këtë vendim të shtetit fqinj, Rama ishte deklaruar se Greqia është në të drejtën e saj bazuar në Konventën e të Drejtës së Detit ashtu siç edhe Shqipëria veproi me Italinë në 1990.

Edhe për mediat greke, qëllimi i vizitës është shprehja e diferencave që kanë dy vendet për kufirin detar, përcaktimin e zonës ekonomike ekskluzive detare dhe të ujërave territorialë. Qëndrimi njëditor i Ramës në Athinë vjen pas asaj dyditore në Turqi, ku nënshkroi me presidentin turk deklaratën që i vendos të dyja vendet në marrëdhënie strategjike po aq sa ato me Greqinë.

Ditë më parë, Shqipëria njoftoi se ka siguruar 500 mijë vaksina nga kompania “Pfizer”, duke shtuar se do të ndajë një sasi prej tyre për Kosovën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat