Gafa e radhës/ SPAK harron në burg të ekstraduarin nga Gjermania

Shqipëria

Gafa e radhës/ SPAK harron në burg të ekstraduarin nga Gjermania

Më: 22 janar 2021 Në ora: 18:37
SPAK

Pas rastit të fletë-arrestit për dy komisionerët e vdekur të Durrësit, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar akuzohet se ka bërë një tjetër gafë, ku ka harruar në burg 8 ditë duke mos e çuar para gjykatës një të arrestuar.

Më datën 26 Nëntor 2020 Gjergji Çollaku është arrestuar në Stuttgart të Gjermanisë për llogari të Republikës së Shqipërisë, pasi është shpallur në kërkim ndërkombëtar më 11 Shtator 2019, në kuadër të operacionit “limit”, ku janë lëshuar dhe 24 urdhër arreste, pothuaj të gjitha të ekzekutuara në atë kohë, përveç Gjergji Çollakut dhe Rexhep Ipek, ky i fundit, i arrestuar ne Bullgari dhe i ekstraduar këto ditë në Shqipëri, raporton gazetarja Glidona Daci.

Ndonëse Gjergji Çollaku është ekstraduar në 14 Janar 2021 në Tiranë, avokati i tij pretendon se ai nuk ka dalë para gjykatës brenda 3 ditëve siç parashikon ligji procedural penal, për t’u njohur me masën e sigurisë si pasojë e harresës të prokurorëve të çështjes.

Në këto kushte, avokat Arbër Hoxha thotë se Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është vënë në lëvizje pas ankesës së tij. Pavarësisht kësaj, avokati pretendon se në shkelje flagrante me ligjin Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën, duke mos e shuar masën e sigurimit arrest në burg.

Arbër Hoxha u shpreh se ky është një rast i paprecedent në shkelje dhe “që normalisht do ta ankimojmë në Gjykatën e Posaçme të Apelit” tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat