Mazi për negociatat: Duhet të flasim në një zë, topi në portën tonë sa kohë që …

Shqipëria

Mazi për negociatat: Duhet të flasim në një zë, topi në portën tonë sa kohë që …

Më: 25 janar 2021 Në ora: 14:10
Zef Mazi

Shqipëria shpreson që në qershor të këtij viti të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare për hapjen e negociatave me BE.

Kryenegociatori i Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Zef Mazi, teksa raportoi në Këshillin Kombëtar të Integrimit tha se kjo nuk do të thotë që puna do të ndalojë por duhen edhe më shumë rezultate në detyrat e lëna nga Komisioni Europian.

Duke kujtuar se topi mbetet në portën tonë përderisa nuk kalon në portën e BE, Mazi  apeloi të gjitha palët politike, që të punojnë bashkë pro avancimit të Shqipërisë drejt BE, pasi në Bashkimin Evropian, tha ai, integrohet Shqipëria dhe jo partitë politike.  

Mazi: Sot ende nuk i ka një datë për konferencën e parë ndërqeveritare. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet të vijojmë të japim rezultate konkrete në përmbushjen e prioriteteve. Së shpejti pritet një vlerësim tjetër nga KE për përmbushjen e kushteve para konferencës ndërqeveritare. Duhet të jemi të përgatitur, miratimi i kornizës negociuese mund të mos ndahet nga një kohë e gjatë nga mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare. Synimi është të mbahet në qershor 2021, edhe nga presidenca portugeze kemi njoftim se e ka prioritet mbajtjen e saj. Kjo kohë kërkon angazhim, impenjim më të plotë dhe të madh nga të gjithë. Jemi të vetëdijshëm se negociatat do të zhvillohen me metodologjinë e re. Kjo metodologji do të jetë me rigoroze dhe strikte. Sipas metodologjisë së re që do të zbatohet për herë të parë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nëse nuk do të ketë progres do të ketë me automatizëm regres, statuquoja më tej është e pamundur.

Do të ketë mekanizëm suspendimi në rast se nuk do të ketë progres. Është tepër e rëndësishme të ndiqen përpikmërisht të gjitha rekomandimet e KE, të vazhdohet qasja politike pozitive dhe gjithëpërfshirëse e Shqipërisë me rajonin. Objektivi ynë është të jemi sa më rezultativë, të bëjmë progres pa u ndalur në rrugën e integrimit europian. Kjo kërkon konsensus dhe komunikim të brendshëm konstruktiv mes të gjitha palëve të përfshirë në proces, në BE nuk integrohen partitë politike por vendi, në BE integrohet Shqipëria. Duhet të flasim në një zë, me vepra pro avancimit tonë në rrugën e integrimit në BE. Rezultatet dhe arritjet tona në përmbushjen e kërkesave të vendosura nga Këshilli janë domethënëse, topi mbetet në portën tonë përsa kohë nuk kalon në portën e BE. Është fakt se tani topi është në fushën e BE.

Teksa u pyet nga Rudina Hajdari për rezultate konkrete sa i takon  Krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta të qeverisë, ai u shpreh.

Mazi: Ju kam dërguar një raport prej 7 faqesh për 15 pikat. Janë bërë hapa të qarta përpara. Nuk mund të bëj komente me atë që lexoj në një gazetë, le tu lihen çështjet organeve të drejtësisë.

Lidhur me Byronë Kombëtare të Hetimit, ai tha se “kam dijeni se vijon puna konkrete për marrjen përmes procesit të vetimit të hetuesve përkatës. Byroja shpreson që në fund të marsit do ta ketë këtë proces pothuajse të mbyllur. Do të kem një takim me kryetaren”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat