Shoqata e Infermierëve: Të hetohet pasuria e stafeve të spitaleve Covid

Shqipëria

Shoqata e Infermierëve: Të hetohet pasuria e stafeve të spitaleve Covid

Më: 26 janar 2021 Në ora: 20:07
Ilustrim

Shoqata e Infermierëve Shqiptarë ka reaguar pas arrestimit të Ronida Hysës, infermieres së Spitalit Infektiv që akuzohet se i vodhi një pacienti një shumë parash që kishte në portofol dhe më pas ka tërhequr nga llogaria e tij bankare një shumë tjetër parash pasi i kishte marrë kartën e bankomatit.

Shoqata e Infermierëve dënon me forcë çdo lloj forme korrupsioni dhe bën thirrje që çështja të hetohet. Në reagim thuhet se institucioneve u është kërkuar hetim të personelit që punon në spitalet Covid pasi pasuria e tyre është shtuar jo vetëm prej bonusit të dhënë nga qeveria, por edhe në forma të tjera të padeklaruara.

“Por na çudit fakti që është e disata herë që i bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që të nisë hetim të spitaleve Covid dhe të personelit që punon në këto spitale pasi pothuajse të gjithëve në mënyre të pajustifikuar ju janë rritur të ardhurat e tyre jo vetëm prej bonusit të dhënë nga qeveria, por në forma të tjera të padeklaruara dhe burimi i këtyre të ardhurave nuk justifikohet”.

Shoqata bëri thirrje që para drejtësisë të dalin të gjithë personat përgjegjës. Ndërkohë Ronida Hysa, infermierja e arrestuar këtë të martë ka qenë pjesë e grupit të dytë të infermierëve që shkuan në Itali për të ndihmuar në përballimin e Covid-19. Policia thotë se infermierja e ka pranuar akuzën kur u pyet nga hetuesit. Skandali u denoncua në emisionin Stop në Tv Klan, ku djali i të moshuarit që humbi jetën, akuzoi Spitalin Infektiv për vjedhjen.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat