Rikthehen pyetjet me shtjellim në testin e maturës

Shqipëria

Rikthehen pyetjet me shtjellim në testin e maturës

Më: 4 shkurt 2021 Në ora: 15:24
Foto nga takimi

Maturantët duhet të sigurojnë të paktën 15 pikë nga 60 në total që të marrim një notë kaluese në provimet e maturës shtetërore 2021. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, i sqaroi maturantët mbi strukturën e testeve, në të cilat rikthehen edhe pyetjet me shtjellim.

“Në total, testi përmban 60 pikë. Nga këto 60 pikë, do të ketë 20 pyetje me alternativa (20 pikë) dhe pyetje me zhvillim (40 pikë)”.

Për vlerësimin e provimeve do të përdoren sërish 2 metoda. “Njëra metodë është metoda elektronike, me skanim, për pyetjet me alternativa – metodë që përdoret tashmë prej 2 vitesh dhe është një nga mënyrat më të sakta të korrigjimit të pyetjeve me alternativa kudo në botë. Ndërsa për pyetjet që janë me zhvillim, do të vlerësohen nga mësuesit tanë vlerësues, të cilët janë të certifikuar, kanë përvojë në arsimin e mesëm të lartë dhe janë të kualifikuar me vlerësim maksimal”.

Kushi paralajmëroi maturantët për penalitetet në rast të shkeljes së rregullores.

“Maturantët/kandidatë, të cilët paraqiten në qendrën e provimit dhe/ose konstatohen gjatë provimit me celular përjashtohen nga ai provim dhe kanë të drejtë ta japin atë në sesionin pasardhës, që do të thotë në sesionin e vjeshtës”.

Notat e të 4 provimeve, atyre me detyrim dhe me zgjedhje, do të shpallen jo me vonë se data 30 Qershor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat