Dorëhiqet një prej gjyqtareve, shtyhet seanca në Gjykatën e Posaçme për Luan Dacin

Shqipëria

Dorëhiqet një prej gjyqtareve, shtyhet seanca në Gjykatën e Posaçme për Luan Dacin

Më: 5 shkurt 2021 Në ora: 13:13
Luan Daci

Shtyhet në Gjykatën e Posaçme të Apelit seanca ndaj Luan Dacit, ish-anëtar i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i dënuar në shkallë të parë për ‘falsifikim dokumentesh’.

Shkak i shtyrjes se seancës është bërë mos formimi i trupës gjykuese. Gjyqtarja Anita Mici e caktuar në këtë proces dha dorëheqjen pas kërkesës së prokurorisë për përjashtimin e saj nga gjykimi.

Ajo është në proces Vettingu në KPA, ku i pandehuri është anëtar edhe pse i pezulluar. 

Pritet caktimi i anëtarit të ri nga ana e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit.  Daci u mor në hetim nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) pak muaj më parë.

Më 1 dhjetor të vitit të kaluar ai u dënua me 6 muaj burg, vendim i cili u konvertua në 1 vit shërbim prove, ku u akuzua për falsifikim dokumentesh, pasi ka fshehur shkarkimin nga detyra nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në vitin 1997.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë i asaj kohe e kishte shkarkuar nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi. Kjo shkelje sipas ligjit për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit përbën shkak për mosplotësimin e kritereve për të qenë pjesë Kolegjit të Posaçëm të Apelit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat