Tre dyshimet për mbërritjen e varianteve të reja të COVID-19 në vend

Shqipëria

Tre dyshimet për mbërritjen e varianteve të reja të COVID-19 në vend

Më: 8 shkurt 2021 Në ora: 13:10
Ogerta Manastirliu dhe Edi Rama

Autoritetet shëndetësore në Shqipëri kanë konfirmuar sot zyrtarisht se kanë 'dyshime të arsyeshme' se variantet e reja të COVID-19 mund të jenë të pranishme në vendin tonë. 

Në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat, ku u ngrit alarmi për përmasat që po merr coronavirusi në vend dhe respektimin e masave, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se në javët e fundit ka trend të lartë të rasteve të infektimit.

"Një trend që ekspertët vlerësojnë që është i pritshëm, i lidhur ngushtësisht me sezonin dimëror, tendencën e mbledhjeve në ambiente të mbyllura, por edhe të jashtme dhe probabilisht me qarkullimin e mutacioneve të reja,” – u shpreh ministrja.

Sipas ministres, këto dyshime mbështeten në tre arsye:

Vërehet një qarkullim më i madh i virusit tek të rinjtë.

Ka raste të riinfektimeve.

Sinjale në laboratorin e virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, ku vlerësojnë dyshimet e arsyeshme.

"Jemi në pritje dhe po çojmë mostrat e analizës së radhës në laboratorin e referencës në Berlin për të vërtetuar nëse dyshimet tona do të rezultojnë të vërteta," shtoi ministrja Manastirliu.

Euronews Albania ka ndjekur në vazhdimësi raportimet e COVID-19 dhe shfaqjen e mutacioneve të reja në vend. 

Më 27 nëntor, Nëndrejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku, ishte i ftuar sot në emisionin Good Morning Albanians ku i pyetur nga gazetarja Esmeralda Mulaj mbi hyrjen e varianteve të reja të virusit në Shqipëri i konfirmoi ato, bashkë me sqarimin se ISHP ka kapacitetet laboratorike për t’i identifikuar dhe po punon në këtë drejtim.

Por disa orë më vonë për arsye të paqarta për redaksinë tonë dhe sidomos për interesin publik, z.Ulqinaku reagoi përmes një postimi në Facebook, ku ka saktësuar se nuk janë identifikuar mutacione të reja të virusit, por që jemi në gjendje t’i identifikojmë nëse do të ketë qarkullim të tyre.

E pyetur nga gazetarja Dorina Halili më 2 shkurt, Manastirliu mohoi ekzistencën e varianteve të reja deri në atë çast.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut i konfirmuan mutacionet e COVID-19 javën e shkuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat