Bylykbashi: Para nga korrupsioni shtetëror dhe OSHEE po përdoren në fushatë

Shqipëria

Bylykbashi: Para nga korrupsioni shtetëror dhe OSHEE po përdoren në fushatë

Më: 16 shkurt 2021 Në ora: 22:30
Oerd Bylykbashi

Oerd Bylykbashi, anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike thotë se opozita nuk ofron vetëm një mundësi për rrotacion por një qeverisje ndryshe.

Z. Bylykbashi duke folur në “Ilva Now” u shpreh se PD është duke kompletuar listën e kandidatëve për deputetë dhe vendimi përfundimtar do të merret nga Lulzim Basha dhe anëtarët e kryesisë tha ai.

Lidhur me premtimet e PD për zgjedhjet e 25 prillit, z. Bylykbashi tha se ekspertët garantojnë se është program i realizueshëm.

“Nuk është thjesht rritje rrogash dhe çështje taksash, është çështje shtet i drejtë. Çdo ulje taksash nëse shteti vazhdon funksionon në formë brutale nuk jep rezultat”, tha ai.

Në zgjedhjet e kaluara nuk kanë munguar akuzat për manipulim të votave, por për 25 prillin, Oerd Bylykbashi deklaroi se pavarësisht se po përdoren para të jashtëligjshme, vota në kuti nuk do të manipulohet.

“Kodi Zgjedhor është një bazë e shëndoshë për të bërë zgjedhje demokratike. Ndryshimet që janë bërë në Kodin Zgjedhor kanë rritur mekanizmin e mbrojtjes së votës, nuk e garanton dot 100% por ka më tepër garanci. Një mekanizëm është identifikimi biometrik, që pengon të mos mbushën kutitë me votat e emigrantëve. Gjë që e provojë dosja 339. Biometria këtë e pengon. Projekti ecën mbarë deri tani”, deklaroi anëtari i kryesisë së PD.

Nga ana tjetër, z. Bylykbashi foli për mos respektimin e ligjit për përdorimin e burimeve shtetërore në fushatë, ku iu referua gjobitjes së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjobë e cila më pas u anulua, Komisionin e Apelimeve dhe Sanksioneve, ku mazhorancën e ka qeveria.

“Kemi vendosur një standard në marrëveshjen e 5 qershorit, të vendosim sa më shumë  kufizime ligjore për të penguar përdorimin e burimeve shtetërore në fushatë. Kemi një kryeministër dhe kryetar bashkie që shkel ligjin dhe bën fushatë siç nuk duhet të bëhet. E dimë shumë mirë në këtë moment që para që vijnë nga korrupsioni shtetëror, nga OSHEE nga të gjithë, po përdoren sot, bandat janë përsëri po përpiqen që t’i sjellin, kjo nuk e ndalon PD. Nuk do të guxojnë që të fusin duar në kutitë e votimit për të ndryshuar rezultatin. Kjo nuk ka për të ndodhur”, përfundoi z. Bylykbashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat