Faturat dhe kontratat e energjisë elektrike, regjistrohen 101 mijë ankesa nga qytetarët

Shqipëria

Faturat dhe kontratat e energjisë elektrike, regjistrohen 101 mijë ankesa nga qytetarët

Më: 19 shkurt 2021 Në ora: 16:16
Foto ilustrim

Rreth 101 mijë kërkesa dhe ankesa u depozituan pranë Furnizuesit të Shërbimit Universal për 9-mujorin e vitit 2020. Sipas të dhënave zyrtare, peshën kryesore të ankesave e zë ndryshim i të dhënave të kontratës me  40% të totalit, ndërsa në vendin e dytë renditen ankesat për faturim në masën 31%.

Pas tyre vijnë ankesat për ndryshim matësish në masën 25%, për cilësi shërbimi 2.3% dhe ankesa për kreditime në 1.1%. Sipas FSHU-së për periudhën janar –shtator  2020, janë zgjidhur rreth 95 mijë ankesa – kërkesa te depozituara nga të cilat rreth 28 mijë apo 30%  i përkasin çështjeve të faturimit, çka sipas këtij dikasteri ka përmirësuar cilësinë e shërbimit ndaj klientit dhe ka rritur cilësinë e faturimit. Megjithatë, kompania e konsideron të ulët numrin e ankesave në raport me numrin e faturave të emetuara gjatë kësaj periudhe, raporton Scan.

Sipas FSHU, mesatarja mujore e ankesave, ndaj numrit total të faturave të emetuar është më e vogël se 0.3%.  Paralelisht Furnizuesi i Shërbimit Universal, një prej kompanive të krijuara nga ndarja e OSHEE-së nuk ka kërkuar rritje çmimi të energjisë elektrike për konsumatorët fundorë.

Mbajtja e pandryshuar e tarifave bazohet në parashikimet e treguesve ekonomikë për vitin 2021, ku ndër të tjera shoqëria parashikon një rënie të shpenzimeve për blerjen e energjisë elektrike. Sipas parashikimeve, në vitin 2021 do të shpenzohen rreth 15.1 mld lekë, nga 17.5 mld lekë që u shpenzuan gjatë vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat