Olta Xhaçka zbardh detaje nga diskutimet në Bruksel: Ja pritshmëritë e BE-së

Shqipëria

Olta Xhaçka zbardh detaje nga diskutimet në Bruksel: Ja pritshmëritë e BE-së

Më: 1 mars 2021 Në ora: 16:36
Olta Xhaçka

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, tha në një lidhje telefonike nga Brukseli se Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe Komisioneri Europian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, kanë vlerësuar se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë për të nisur procesin e integrimit në BE.

Mes të tjerash, ministrja Xhaçka zbuloi tre temat kryesore që janë diskutuar në Bruksel mes kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të lartë të BE, që janë integrimi në BE, një mekanizëm i ri për marrjen shpejt të vaksinave anti-Covid dhe një paketë e re financiare, që do të ndihmojë në rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë.

“Ka qenë një takim shumë pozitiv, me Borrell e Varhelyi. Tema e diskutimit ka qenë integrimi. Ka pasur një diskutim shumë të hapur mbi ato që kanë qenë detyrat e shtëpisë të Shqipërisë, të cilat sipas zyrtarëve të BE janë përmbushur plotësisht. Ndoshta për të qenë pak më koncize, 3 janë temat kryesore, e para që detyrat e shtëpisë janë kryer të 15. Është koha që të kemi konferencën e parë ndërqeveritare mes BE dhe Shqipëri, por data nuk është vendosur ende. Ka pasur shumë avancime pozitive dhe përmbushje të 15 kushteve, ndaj dhe vlerësimi i bërë nga dy zyrtarët ka qenë që Shqipëria meriton të avancojë në këtë fazë tjetër, pra të vendosjes së datës për konferencën. Tema e dytë ka të bëjë me pandeminë, me një mekanizëm të ri për të ofruar vaksina për vendet e Ballkanit, dhe sigurisht edhe Shqipërinë. Për këtë mekanizëm po punojnë zyrtarët e BE, për të ofruar një dhënie të drejtpërdrejtë të vaksinave në një kohë sa më të shpejtë, por duke pasur parasysh edhe pjesën financiare. Edhe mekanizmi i Covax pritet të funksionojë shumë shpejt dhe presim që këto ditë të marrim vaksinat e para. Bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme. Çështja e tretë është paketa financiare, një paketë që është vënë në dispozicion të vendit për të shëruar plagët e pandemisë dhe për të financuar fuqizimin e ekonomisë. Kjo paketë do të ndihmojë për rimëkëmbjen e ekonomisë. Ka qenë një takim shumë pozitive dhe i efektshëm. Ne i kemi kryer të gjitha detyrat tona dhe tani topi është në anën e tyre”, u shpreh ministrja e Jashtme.

Cilat janë pritshmëritë e BE për zgjedhjet e 25 prillit?

Pritshmëritë janë ato që kemi edhe ne si një qeveri shumë e angazhuar për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo është dhe pritshmëria që ata kanë.

Çfarë takimesh të tjera keni?

Për pak do të futemi në një takim me z.Ursula Von der Leyen dhe më pas me Presidentin e Parlamentit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat