​Vizita e Ramës tërheq vëmendjen e medias italiane

Shqipëria

​Vizita e Ramës tërheq vëmendjen e medias italiane

Më: 6 mars 2021 Në ora: 16:19
​Vizita e Ramës në Itali

Vizita zyrtare e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të 30-vjetorit të emigrimit të shqiptarëve në Itali është ndjekur me vëmendje nga media italiane.

”La Reppublicca”

Në Pulia, Italia dhe Shqipëria kujtojnë zbarkimet e para të emigrantëve shqiptarë në ’91/ Rama: “Tani jemi gati për në BE”.

Pulia dhe Shqipëria, së bashku, përkujtojnë 30-vjetorin e emigracionit masiv të shqiptarëve nga Toka e Shqiponjave në Itali dhe Europë. Ishte ky rajon bregu i parë: këtu, emigrantët që mbërritën me mjete të improvizuara, u mirëpritën dhe u ndihmuan me një ndjenjë të madhe miqësie.

“Në këtë çast, do të doja të them faleminderit për gjithçka që kanë bërë italianët, puliezët, njerëzit e thjeshtë: ata hapën dyert, duke mirëpritur ata të huaj, krejt të ndryshëm… Atë ditë fitoi bujaria dhe shpirti i solidaritetit të popullit dhe institucioneve italiane”, tha kryeministri Edi Rama.

Midis çështjeve të diskutuara ishte edhe hyrja e Shqipërisë në BE, e përsëritur në mënyrë të vazhdueshme nga Rama gjatë fjalimeve të tij.

“Shpresa është që negociatat e pranimit të Shqipërisë në BE të mund të happen, më në fund, gjatë këtij viti”, tha ministri i Jashtëm Luigi di Maio.

Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, në një videomesazh në Këshillin e Rajonit gjatë ceremonisë tha: “Parlamenti Europian mbështet fuqimisht procesin e pranimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Zgjerimi do të sjellë përfitime për qytetarët dhe shtetet”.

Nga ana e tij, kryebashkiaku i Barit, Antonio Decaro, gjithashtu, përsëriti: “Unë shpresoj se një ditë këto vende, të ndarë vetëm nga Adriatiku, por që janë shumë afër, të mund të jenë së bashku në Europë”.

”BariToday”

Kryeministri shqiptar Edi Rama u prit sot në Palazzo di Città, nga kryebashkiaku i Barit Antonio Decaro.

“Ata janë njerëz. Këto janë fjalët, që kryetari i Bashkisë Dalfino tha 30 vjet më parë, kur pa 18 000 burra dhe gra të mbërrinin në molin e kanalit, në një anije të vjetër kubane që kishte transportuar më parë sheqer. Në këto dy fjalë erdhi mësimi më i fuqishëm politik, njerëzor dhe institucional që ky qytet mund të marrë dhe, nga ana tjetër, të transmetojë në botë”, tha Decaro.

“Unë do të doja të falënderoja zyrtarisht kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe të gjithë vendin e tij, në emër të qytetit të Barit, për ndihmën që i kanë dhënë Italisë gjatë muajve të fundit të urgjencës shëndetësore. Unë do ta bëj duke përdorur fjalët e tij, “si një angazhim reciprok për atë gjest të madh solidariteti”, sa herë që Shqipëria do të ketë nevojë për Italinë, Pulian dhe qytetin e Barit: ne nuk jemi të pasur, por as edhe pa kujtesë, qyteti i Barit do të jetë gjithmonë i gatshëm për t’i shtrirë dorën Shqipërisë kurdo dhe nëse do të na e kërkoni.

Gjatë ceremonisë, kryetari i bashkisë Decaro i dha Kryeministrit Rama një pikturë të bërë nga artisti Giovanni Giusto për të përkujtuar zbarkimin e anijes “Vlora” dhe një shishe me manat e shenjta të Shën Nikollës, me këtë tekst shoqërues: “Edi Ramës dhuratën më të madhe e të çmuar që qyteti i Barit mund t’u ofrojë mysafirëve të tij, me shpresën se Shën Nikolla ynë, mbrojtës i marinarëve dhe sipërmarrjeve të guximshme, do ta shoqërojë gjithmonë në udhëtimin e tij të jashtëzakonshëm personal dhe institucional të udhëhequr nga vlerat e solidaritetit, dialogut dhe bashkëjetesë paqësore”, përfundoi kryebashkiaku.

”Agenzia Nova”

Itali-Shqipëri/ Kryeministri Rama: Miqtë e vërtetë e njohin njëri-tjetrin në kohë të vështira

“Italia ka qenë gjithmonë e gatshme të ndihmojë Shqipërinë, kur ka qenë në momente të vështira, gjë që tregon miqësi të vërtetë”, deklaroi nga Kryeministri shqiptar Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp, së bashku me ministrin e Jashtëm Luigi Di Maio dhe guvernatorin e rajonit të Pulias Michele Emiliano, me rastin e 30-vjetorit të emigracionit shqiptar në Itali.

“Unë jam i sigurt se kjo periudhë e historisë sonë nuk do të harrohet kurrë, edhe në brezat e ardhshëm”, vazhdoi Rama, duke falenderuar autoritetet italiane dhe pulieze për atë që bënë “duke mirëpritur ata të huaj, krejt të ndryshëm që ishin gjithashtu të frikshëm.

“Kundrejt asaj frike u lëshuan edhe fushatat e urrejtjes, por shpirti i bujarisë dhe solidaritetit të institucioneve italiane fitoi mbi frikën”, shtoi kreu i qeverisë së Tiranës, duke vërejtur se pavarësisht nga ngjyra politike, Italia ka qenë gjithmonë në anën e Shqipërisë.

Rama falënderoi ministrin Di Maio duke e quajtur atë “avokati më të madh të popullit shqiptar” dhe “me të vërtetë një mik me pesë yje”.

”AntennaSud85”

Kryeministri shqiptar Edi Rama kujton zbarkimet e shqiptarëve në 1991: Faleminderit përgjithmonë.

“Nesër në Brindisi do të kujtojmë përqafimin e dy popujve, atë shqiptar dhe atë të Brindizit. Shteti mungonte; vetëm zemra e madhe, solidariteti dhe mikpritja e banorëve nga Brindisi bënë një mrekulli. Në ato ditë, nderi i Italisë u shpëtua falë Brindizit dhe njerëzve bujarë të tij. Ajo medalje e trimërisë civile, e pa marrë ende, do të ishte njohja e duhur. Shihemi nesër, në Brindisi, ku ndodhi gjithçka”, kujtoi kryeministri Edi Rama, i prekur dhe i sinqertë.

”La Gazzetta Del Mezzogiorno”

Kryebashkiaku i Barit, Antonio Decaro, kryeministrit shqiptar Edi Rama: Komuniteti shqiptar pjesë përbërëse e qytetit.

“Tridhjetë vjet më parë, Bari, ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme, kuptoi kuptimin e një fjale të re. Më 8 gusht 1991, qyteti ynë dhe e gjithë Italia, e cila ka qenë gjithmonë një vend emigracioni, shqiptoi për herë të parë fjalën emigrim, sikur historia të kthehej përmbys, duke na vendosur në qendër të një përvoje krejt të re”, tha Decaro, gjatë ceremonisë së pritjes së kryeministrit Rama në Palazzo di Citta.

Në fund të takimit, delegacioni, i shoqëruar nga kryebashkiaku Decaro, vendosi një kurorë me lule në pllakën kushtuar Luigj Gurakuqit, politikanit dhe shkrimtarit shqiptar (1879-1925), i vrarë në Bari.

ANSA

Unë kurrë nuk do të ndalem për t’i thënë falemnderit mikut tim Edi Rama për ndihmën gjatë pandemisë, shkruan në Facebook ministri i Jashtëm italian, Lugi Di Maio.

“Tridhjetë vjet më parë mijëra njerëz nga Shqipëria zbarkuan në Itali, në bregdetin e Pulias. Sot, 30 vite më vonë, ne jemi në Bari së bashku me guvernatorin e Pulias, Michele Emiliano dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për të kujtuar ato momente”, shkruan ai në FB.

“Gjatë kësaj pandemie, italianët vuajtën shumë, vendi ynë ishte në nevojë dhe qeveria shqiptare u tregua e gatshme, duke dërguar mjekë dhe infermierë në urgjencë të plotë për të mbështetur bluzat tona të bardha që iu nënshtruan turneve masakruese në spitalet tona”, thekson Di Maio.

“Një solidaritet i paçmueshëm dhe për këtë arsye unë kurrë nuk do të ndalem duke i thënë faleminderit mikut tim Edi Rama. Ne nuk do ta harrojmë atë. Le të qëndrojmë të bashkuar. Mbetemi të bashkuar “, përfundon Di Maio, ndërkohë që shprehjen e fundit në postimin e tij në Facebook, ministri i Jashtëm italian, Luigi Di Maio, “mbetemi të bashkuar”, e shkruan në shqip.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat