Abuzimi me mikrokreditë/ Ekspertët kërkojnë edhe hetim për institucionet jo-banka

Shqipëria

Abuzimi me mikrokreditë/ Ekspertët kërkojnë edhe hetim për institucionet jo-banka

Më: 7 mars 2021 Në ora: 19:58
Foto ilustrim

Vendimi i bankës së Shqipërisë për të vendosur një tavan për interesat e kredive konsumatore është një masë e drejtë, por e pamjaftueshme veçanërisht për institucionet jo banka.

I këtij mendimi është eksperti për ekonominë, Arbi Agalliu, sipas të cilit institucionet e mikrokredisë po japin hua me interesa tepër të larta. Për shkak të abuzueshmërisë së madhe që kryejnë ndaj klientëve shton ai, duhet të jenë objekt hetimi nga institucionet përkatëse.

“Do ta gjykoja një vendim të drejtë edhe pse prek rregullat e lojës nën një treg të lirë, por një vendim të drejtë sa i përket institucioneve jo banka.  Është vënë re vitet e fundit që këto njësi operojnë në mënyrë jo shumë profesionale sepse klientët e tyre janë një kontigjent pa kulturë financiare, bien pre e mashtrimit.  Përveç fiksimit të normës së interesit, unë do të gjykoja më me vend një hetim qoftë nga banka qendrore qoftë apo dhe nga Prokuroria sa u përket këtyre njësive.

Sipas ekspertit Agalliu, situata nga pandemia ka nxitur ndjeshëm përdorimin e këtyre njësive jo banka, pasi individët që qasen më shumë drejt tyre kanë mungesë të ardhurash dhe kulturë të dobët financiare.

“Kanë shfrytëzuar këtë nevojë konsumatore në Shqipëri për të ofruar finacim me shuma të ulëta por me interesa jashtë çdo lloj logjike që i përket tregut. Nuk mundet që një qytetar shqiptar të paguajë interesa kaq të larta. Nuk ndodh në vendet e tjera.”

Aktualisht, projekt rregullorja e Bankës së Shqipërisë që vendos kufi për interesat e kredive konsumatore është në proces konsultimi me bankat dhe institucionet e mikrokredisë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat