Përgjysmohen testimet/ Shkalla e infeksionit mbetet mbi 25 për qind!

Shqipëria

Përgjysmohen testimet/ Shkalla e infeksionit mbetet mbi 25 për qind!

Më: 9 mars 2021 Në ora: 08:02
Foto ilustrim

Edhe pse ditët e fundit kanë qenë kritike për shkak të shifrave të larta të mortalitetit, por edhe të infeksionit, Ministria ka ulur ndjeshëm testimet, gati i ka përgjysmuar ato.

Të hënën janë kryer vetëm 2708 tamponë, nga ku kanë rezultuar të prekur me koronavirus 683 persona, çka dëshmon se shkalla e infeksionit vijon të jetë e lartë. Kështu, më shumë se 25 për qind e të testuarve kanë rezultuar të infektuar. “Rastet pozitive të konfirmuara janë identifikuar në këto bashki: 292 raste në Tiranë, 35 raste në Elbasan, 26 raste në Kuçovë, 25 raste në Lushnje, Gjirokastër, 20 raste në Kavajë, 18 raste në Berat, Sarandë, 16 raste në Shkodër, Vlorë, Pogradec, 15 raste në Lezhë, 13 raste në Mallakastër, 11 raste në Kurbin, Kamzë, 10 raste në Durrës, Fier, Peqin, 9 raste në Krujë, Kukës, 8 raste në Delvinë, 7 raste në Gramsh, Vorë, 5 raste në Korçë, Memaliaj, 4 raste në Tepelenë, Malësi e Madhe, Kolonjë, 3 raste në Tropojë, Maliq, 2 raste në Devoll, Has, Rrogozhinë, Përmet, Divjakë, Belsh, Bulqizë, Skrapar, Cërrik, Libohovë, Konispol, 1 rast në Mat, Selenicë, Dibër, Himarë, Poliçan”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

FATALITETET

Edhe të hënën janë raportuar një numër i lartë fatalitetesh si pasojë e COVID19. Në harkun e 24 orëve të kaluara kanë ndërruar jetë 17 persona të grupmoshave nga 53 deri në 85 vjeç. “Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 17 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19: 7 qytetarë nga Tirana, 3 qytetarë nga Shkodra, 2 qytetarë nga Elbasani, 2 qytetarë nga Vlora, 1 qytetar nga Korça, 1 qytetar nga Divjaka, 1 qytetar nga Tepelena, të moshave 53-85 vjeç”, kanë bërë me dije autoritet shëndetësore.

Prej fillimit të pandemisë janë 1,956 persona që kanë ndërruar jetë, nga të cilët 67 për qind janë burra dhe 33 për qind gra. Por, pavarësisht shkallës së lartë të infeksionit dhe shtimit të ndjeshëm të fataliteteve përgjatë javëve të fundit, Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi në fund të muajit shkurt që të mos ndryshojë planin e masave. Ndërkohë, në fund të kësaj jave përfundon edhe afati 2- javor për kufizimet e lëna në fuqi. Në këto kushte, Komiteti do të duhet të bëjë një vlerësim të situatës aktuale. Mbetet për t’u parë se cila do të jetë përgjigjja që qeveria do të japë ndaj kësaj situate, që ka dalë thuajse jashtë kontrollit.

SHTRIMET NË SPITAL

Lidhur me situatën në spital, të dhënat tregojnë se më pak se dy për qind e të infektuarve aktivë janë të shtruar. “Aktualisht, në spitalet COVID në Tiranë dhe tri spitalet rajonale po trajtohen 646 pacientë, 40 në terapi intensive, nga të cilët 15 pacientë janë të intubuar”. Ndërkohë, në të gjithë vendin janë 35,737 të infektuar me status aktivë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat