Protesta e kontrollorëve në Rinas/ Sandër Lleshaj: Kemi ndërtuar një sistem pagash absurd

Shqipëria

Protesta e kontrollorëve në Rinas/ Sandër Lleshaj: Kemi ndërtuar një sistem pagash absurd

Më: 9 prill 2021 Në ora: 21:12
Sandër Lleshaj

Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar pas protestës së kontrollorëve ajrorë në Rinas, ndërsa hodhi poshtë pretendimet e tyre se janë të pazëvendësueshëm.

I ftuar në emisionin “Java”, në RTSH, Lleshaj u shpreh se avionët nuk përplasen se nuk janë kontrollorët për një moment në detyrë, pasi avionët janë autonomë mjaftueshmërisht.

“Dëgjoja ata protagonistët e ngjarjes që me një lloj nënqeshje cinike thonin nuk ka kush na zëvendëson ne. Jo mo ka kush ju zëvendëson fare mirë. Avionët i drejtojnë pilotët dhe avionët janë autonomë mjaftueshmërisht që të mos bien pre e kësaj. Ky është profesioni im i parë, po t’ia rrisja rëndësinë do rrisja rëndësinë e profesionit tim”, deklaroi Lleshaj.

Po ashtu ish-ministri i Brendshëm tha se momenti për të zhvilluar këtë protestë ishte më i keqi i mundshëm, ndërsa theksoi se Shqipëria ka ndërtuar një sistem absurd pagash pasi paguajmë në varësi të dëmit që një person mund të bëjë.

“Momenti i zgjedhur është më i keqi i mundshëm dhe është një inteligjencë shumë e vonuar kur pas një viti reagojnë. Kur kanë duruar një vit mund të duronin edhe një muaj. Për këtë kategori kemi paga ekstravagante. Ne kemi ndërtuar një sistem pagash absurd dhe i paguajmë ata në varësi të rëndësisë që ata kanë për të na bërë dëm”, tha Lleshaj.

Kujtojmë se edhe vetë ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ka deklaruar avionët nuk lëvizen me duar nga kontrollorët, por që ata janë një pjesë shumë e rëndësishme e kontrollit të hapësirës ajrore.

“Kontrollorët duhet të jenë të qetë kur punojnë. Nuk është se i lëvizin avionët me duar. Por jo se avionët kanë teknologjinë e vet. Se kanë thënë se avionët mund të përplasen kokë më kokë. Kontrollet kalojë teste psikologjike dhe janë të mirë trajnuar. Nuk bëjnë filma të tillë. Kontrollorët janë profesionistë dhe ka teknologji nuk janë lodra që të përplasen kokë më kokë. Ka pajisje navigimi. Kontrollorët janë shumë të aftë”, ka thënë balluku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat