Basha: Unë i hap negociatat me BE-në, për 100 ditë

Shqipëria

Basha: Unë i hap negociatat me BE-në, për 100 ditë

Më: 13 prill 2021 Në ora: 15:58
Lulzim Basha

Nga Tirana lideri i opozitës Lulzim Basha ka premtuar se do të hapë negociatat për anëtarësimin në BE, brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.

Basha ka shfrytëzuar një takim në kryeqytet për të deklaruar se nëse shqiptarët votojnë PD në 25 prill, deri në dhjetor vendi do të mbajë konferencën e parë ndërqeveritare.

“Hapja e negociatave brenda 100 ditëve është zotimi i qeverisë që ju do të votoni në 25 prill, i qeverisë së ndryshimit dhe i imi personalisht si kryeministër i ardhshëm pas 25 prillit.”

Ndërsa për reformën në drejtësi Basha ka theksuar se qeveria duhet t’i mbajë duart larg nga gjyqësori e prokuroria

“Garancia e 25 prillit e votës për ndryshim, është që do të kemi një drejtësi të pavarur nga qeveria. E vetmja gjë që do të insistojmë është që gjyqtarët dhe prokurorët, dhe reforma në drejtësi të funksionojnë sipas kritereve perëndimore.”

Basha ka theksuar se këto janë zgjedhjet më të rëndësishme në 30 vite, duke sulmuar rivalin politik Rama.

“Trim prapa xhamit dhe frikacak për t’u përballur,  tregon qartë që ka zero bilanc, s’ ka asnjë përgjigje dhe me marifetet dhe truket që mendon se mund të shmangë të pashmangshmen vetëm vërteton atë që tani e di cdo shqiptar, më 25 prill është dita e ndryshimit. “

Ndërsa gjatë një takimi me të rinjtë në zonën e Farkës Basha ka komentuar bazën e të dhënave që PS ka mbledhur në funksion të zgjedhjeve duke e cilësuar një marifet për të fituar në 25 prill.

“E di edhe ai dhe nuk ka marifet që e shpëton. E keni parë atë marifetin që publikuan dje që rrinë dhe mbledh numra të kartave të identitetit, e tjerë, e tjerë. Nuk ka marifet që e shpëton. 25 prilli është dita e bashkimit më të madh të shqiptarëve për ndryshim. Pas 25 prillit ndryshimi do të marrë formë konkrete.

Partia Demokratike ka firmosur një marrëveshje me organizatat që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, marrëveshje e cila parashikon ndryshimin e kuadrit ligjor për të garantuar të drejtat e tyre si dhe mbështetje financiare për ta.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat