Basha me zv.Presidetin e KE: Brenda 100 ditëve të para të qeverisjes time nisim negociatat

Shqipëria

Basha me zv.Presidetin e KE: Brenda 100 ditëve të para të qeverisjes time nisim negociatat

Më: 15 prill 2021 Në ora: 11:11
Margaritis Schinas dhe Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, gjatë një bisede të zhvilluar online me zv. Presidentin e Komisionit Europian, njëkohësisht Komisioner për Mënyrën Europiane të jetesës, Margaritis Schinas ka theksuar se “pa integrimin europian të Shqipërisë nuk do të jemi në gjendje të sigurojmë standardet e jetesës”.

Basha shprehu bindjen e tij se ai dhe ekipi që drejton janë “në gjendje ta realizojnë anëtarësimin e plotë të vendit në Bashkimin Europian”.

Për kryedemokratin, integrim në BE do të thotë “ndihmë për ekonominë që të dalë nga kriza, rritje pagash dhe investime publike”.

Basha u shpreh se është angazhuar që nëse vjen në pushtet, “brenda 100 ditëve të para të qeverisë sime ta bëjmë të mundur hapjen e negociatave.”

Temë e bisedës ishte edhe pandemia dhe çështja e vaksinimit. Basha e konsideroi përparësi kryesore transparencën dhe bashkëpunimin me BE për të sjellë në Shqipëri vaksina të çertifikuara nga unioni.

Për Bashën, Shqipërinë e pret një e ‘ardhme e ndritur’.

‘Të rinjtë shqiptarë do të trajnohen në teknologji dhe profesione të tjera që të sigurojnë paga të larta nga investimet europiane që do të vijnë dhe do të hapin vende të reja pune të mirëpaguara’.

Ai u shpreh se Shqipëria ka “nevojë për ndihmën tuaj, kemi nevojë për udhëzimin tuaj dhe unë mund t’ju siguroj që kemi ekipin më të mirë së bashku, kemi një projekt dhe vizion shumë të qartë. 8 vitet në vendnumëro, e kanë lënë Shqipërinë pas çdo vendi në rajon, prandaj nuk duhet të humbasim më shumë kohë”.

Komisioneri Schinas e vlerësoi si “krejtësisht të mundur hapjen e negociatave pas zgjedhjeve të 25 prillit” dhe e nxiti kryetarin e PD që të çojë përpara “mesazhin e ringjalljes ekonomike”.

Schinas vlerësoi edhe rolin e Bashës në arritjet e mëparshme të vendit në fushën e integrimit europian.

“Ju personalisht si ish-Ministër i Brendshëm, keni shumë arsye për t’u krenuar me atë që është bërë tashmë dhe natyrisht ky liberalizim i vizave nuk është një gjë e lehtë dhe nuk ishte e sigurtë. Ju e dini sa komplekse ishte dhe këshilla ime është të mos tregoheni shumë modestë në lidhje me të. Kjo është diçka që ju, si udhëheqës dhe si individ, duhet ta tregoni më shumë, si diçka në politikë që ka ndryshuar gjërat për mirë.”

Nga ana e tij Basha nënvizoi angazhimin për të kthyer ‘normalitetin në kulturën politike shqiptare’. Këto zgjedhje – u shpreh Basha – kanë të bëjnë më njerëzit, të ardhmen e tyre.

“Ne propozojme një taksë të sheshtë prej 9%, barazinë para ligjit ku të gjithë trajtohen njësoj dhe jo ku një pjesë e njerëzve po gllabërojnë buxhetin, pronat , pasuritë publike të vendit dhe të gjithë të tjerët vuajnë. Këto zgjedhje kanë të bëjnë me ecjen përpara drejt të ardhmes në BE ose për të vazhduar qëndrimin në vendnumëro si ne keto tetë vjet. Këto zgjedhje nuk jane  një luftë personale midis meje dhe kundërshtarit tim.

Por ato duhet të jenë të lira dhe të ndershëm siç kanë nënvizuar dhe vazhdojne të nënvizojnë çdo ditë komisioni dhe këshilli dhe partnerët tanë strategjikë të SHBA” – përfundoi Basha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat