Rama komenton deklaratat e Yuri Kim për blerjen e votës dhe ironizon opozitën

Shqipëria

Rama komenton deklaratat e Yuri Kim për blerjen e votës dhe ironizon opozitën

Më: 16 prill 2021 Në ora: 22:37
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama thotë se Presidenti i Republikës, Ilir Meta duhet të rrijë në zyrë dhe të luaj rolin e tij si President.

“Presidenti i Republikës nuk mbron asgjë. Por Presidenti duhet të rrijë në zyrë dhe duhet të lërë forcat politike të bëjnë punën e tyre. Nuk e ka caktuar njeri Presidentin të mbrojë Shqipërinë nga forcat politike. Nuk ekziston kjo. Këtu jemi në një nivel komunikimi që kërkon psikiatër dhe nuk mund të trajtohet me instrumentet që ne kemi”, tha Rama.

Kryeministri u pyet edhe për deklaratat e ambasadores amerikane ditë më parë, e cila u bëri apel shqiptarëve që “nëse duan të votojnë të votojnë për ndryshimin dhe nëse duan krimin të votojnë krimin”, duke nënvizuar se deklaratat e saj u keqpërdorën nga opozita.

Rama thotë se i njëjti mesazh i ambasadores u mbështet edhe nga Komuniteti Mysliman dhe Kisha Katolike.

“Ambasadorja amerikane është keqpërdorur në mënyrën më brutale, duke e kthyer krejt jashtë kontekstit në një ikonë propagande të atyre që duan të kthehen në qeveri, qoftë me mediat e tyre qoftë me sistemet e tyre të komunikimit me foton e ambasadores që thotë dua ndryshim. Ambasadorja amerikane ka thënë një gjë që ka bazë, që është mbështetur edhe nga kleri katolik dhe mysliman në lidhje me blerjen e votës.

Nuk di çfarë të dhënash ka ajo. Nuk di të ketë të dhëna për të shprehur këtë shqetësim sepse në të shkuarën ka pasur njerëz ka blerë vota. Para pak ditësh, patëm një fakt që policia arrestoi dikë duke blerë vota dhe më rezulton i Partisë së Ilir Meta. Nuk e pashë gjëkundi Ilir Metën me shpatë në dorë. Në Dibër janë dënuar 20 persona, komisionerë. Ata ishin të të gjitha forcave politike dhe shumica ishin e këtyre forcave që bëjnë rolin e virgjëresha që po mbrojnë shqiptarët nga prostitucioni elektoral”, shtoi ai në Vizion Plus.

Ndërsa prej vitit 2019, Shqipëria nuk është në një situatë normale, ku opozita akuzon kryeministrin për kontrollin e të gjitha pushteteve, Edi Rama thotë se nuk kontrollon asgjë përtej asaj që i parasheh ligji.

Ai akuzoi edhe një herë opozitën se tentoi të prodhonte një skenar destabilizimi. Rama pranon se situata në vend është anormale.

“Jam absolutisht jo relativisht kundër këtij opinioni sepse do të mund të kishte legjitimitet nëse ky kontroll do të ishte rezultat i ushtrimit të presionit dhe pushtetit jashtë normave dhe standardit të Kushtetutës. E kundërta është e vërtetë. Parlamentin e ka braktisur Presidenti dhe Partia e tij dhe partia e Saliut. Zgjedhjet vendore i braktisën vetë. Qoftë në Parlament ku erdhën njerëz që ata i kanë vendosur vetë qoftë në pushtetin vendor, kemi një situatë e cila është anormale, sepse u prodhua në bazë të një skenari destabilizimi dhe shkatërrimit. Të ikim nga Parlamenti dhe të detyrojmë Edi Ramën të dorëzohet sepse me zgjedhje nuk e mundim dot.

E fundit, jo vetëm që unë nuk kontrolloj asgjë jashtë atyre që kam detyrë të kontrolloj, por në Shqipëri sot ka një sistem drejtësie që po reformohet në vijimësi që është komplet jashtë politikës. Ka një institucion si SPAK-u që po formohet çdo ditë. Ka një Byro Kombëtare të Hetimit që po formohet. Ka dy institucionet si KLP dhe KLGJ që janë komplet jashtë kontrolli. Ku është parë kjo që një opozitë të hyjë në një rrugë qorre të një skenari destabilizimi për të rrëzuar qeverinë pa zgjedhje dhe të akuzohet qeveria”- u shpreh më tej.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat