Genc Pollo kritika Bashës: Ndoqi strategjinë e gabuar

Shqipëria

Genc Pollo kritika Bashës: Ndoqi strategjinë e gabuar

Më: 28 prill 2021 Në ora: 16:16
Genc Pollo

Genc Pollo ish ministër e deputet i PD në një shkrim të gjatë në facebook ka bërë një arsyetim ku kritikon kreu e PD se ndoqi strategjinë e gabuar.

“Sikur PD e pas saj tërë opozita të mos kishte bojkotuar zgjedhjet lokale, nuk parashikoj se do arrinte triumf në to; por PD e vetme fitoi 1/4 e bashkive në 2015 nga Shkodra në Përmet e nga Kukësi në Selenicë. Opozita e 2019 mund të shpresonte me realizëm për më shumë se kaq. Edi Rama i mori pa garë të tëra bashkitë në vend dhe i keqpërdori për zgjedhje duke rritur masivisht punësimin elektoral. Nuk do të doja të rekomandoja që bashkitë e munguara të PD të bënin të njëjtën gjë. Por është e qartë se ato do të ndihmonin shumë fushatën në terren. Sidomos në tre katër qarqe ku formula d’Hondt për dyqind a treqind vota e dërgoi mandatin e fundit nga partitë e opozitës tek PS.

Nëse opozita nuk do të kuturisej në pranverën 2019 me shumë gjasë ajo do të arrinte të fitonte të paktën 70-71 mandate. Nëse qeveria Rama në fushatë nuk do të blinte vota, nuk do abuzonte me shtetin, nuk do të thërriste në ndihmë banditët, nuk do të kontrollonte mediat e me radhë, fitorja e opozitës do të ishte më e thellë. Por këto të fundit opozita nuk i ndalte dot. Mund të vazhdoja më tutje me nëse opozita nuk do të bënte gabimin X e Y po do të ishte teprim i panevojshëm. Motivi për këtë shënim nuk është të qarët mbi qumështin e derdhur. Jeta politike vazhdon. Po ashtu edhe detyrimi për të nxjerrë mësime e për të mos përsëritur gabimet”, shkruan ai.

Postimi i Genc Pollos

Mea culpa politike e mendtë në kokë
1- Surpriza e formulës D’Hondt sipas ligjit të vjetër
Ditët e para kësaj jave mbasi u shpallën rezultatet zgjedhore bëra një ushtrim në kompjuter duke pjesëtuar rezultatin e çdo subjekti në secilin qark e duke renditur herësit të cilët korespondojnë me mandatet e deputetit të fituara. E thënë ndryshe aplikova formulën D’Hondt që mban emrin e një matematikani belg të shekullit të 19-të e që përdoret rëndom në botë për shpërndarjen e mandateve. Nuk po bëja atë që gjëndej në çdo portal!
Po imagjinoja sikur Kodi Zgjedhor nuk ishte ndryshuar njëanshëm nga Edi Rama në vjeshtë dhe se PD e LSI po garonin të dyja brenda koalicionit të Opozitës së Bashkuar por secila me listën e vet. Rezultati i këtij ushtrimi më befasoi: Opozita në pesë qarqe merrte një mandat më shumë se aktualisht; pikërisht në Tiranë, Durrës, Berat, Vlorë e Gjirokastër. Me këtë rezultat PS merrte vetëm 69 mandate deputetësh dhe Opozita e Bashkuar 68. Kingmaker mbetej PSD e cila me gjasë në shtator do të bënte me votë atë që tha të hënën kryetari i saj me gojë.
2- Përgjegjësia personale dhe ajo kolektive.
Një të hënë në shkurt 2019 grupi parlamentar i Partisë Demokratike diskutoi e miratoi një propozim të pazakonshëm që deputetët e degjuan një ditë më parë në TV: largimin definitiv nga Kuvendi ose siç njihet “djegien e mandateve”. Plot dy muaj më vonë Këshilli Kombëtar i PD-së diskutoi e miratoi një tjetër propozim të pazakonshëm: “të angazhohet të pamundësojë mbajtjen e zgjedhjeve fasadë” ose siç tashmë njihet bojkotin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.
Vendimmarrja u krye në atmosferë të ndikuar prej muajsh nga një bestytni popullore se masa të tilla ekstreme do të sillnin vetvetiu ndryshimin e qeverisë. Por edhe ata anëtarë të grupit e të Këshillit të cilit ishin pak të ndikueshëm nga bestytnitë u ndodhën para një dileme të vështirë: refuzimi i propozimit do të thoshte edhe delegjitimim publik i udhëheqjes; e gjitha kjo para zgjedhjeve vendore që do të ndiqeshin nga ato kuvendore. E parë në retrospektivë si propozimi ashtu edhe vendimi ishin të gabuar. Mbase do t’ia kishte arritur qëllimit po të pranohej në ndërgjegje se kostot e një “color” revolucioni si ai ukrainas apo gjeorgjian do t’ja vlenin dhe të ishte kalitur vullneti për t’i çuar gjerat deri në fund. Edhe kur fundi ishte afër ekstremit. Por kjo nuk ndodhi! Vërtet që opinioni brenda e jashtë u ndërgjegjësua për zullumin banditesk të Ramës e disa ndërkombëtarë filluan të çelin sytë ndaj tij. Por duke qenë se dy aktet e opozitës nuk sollën ndryshimin politik të premtuar pjesa neutrale e opinionit filloi t’i shohë ato si kuturisje problematike. Sa për ndërkombëtarët të mëdhenj e të vegjël shqetësimi se mos kuturisje të tilla bëheshin praktikë opozitare në Ballkan, Kaukaz e më gjerë ishte ku e ku më i madh se sa problemet brenda Shqipërisë. Kaq mjaftonte e tepronte që të bëheshin agresivë me opozitën.
Për vendimin e gabuar mua më duhet të mbaj përgjegjësi për votën time; ndoshta edhe t’u lyp ndjesë atyre që më votuan deputet në parlament e anëtar në Këshill.
3- Sikur të bëhesha prapë nuse !
Por të shikosh në retrospektivë nuk do të thotë të bësh të mençurin pas kuvendit. Kjo analizë vetëkritike ndihmon të kuptosh se çfarë ndodhi e na shërben të gjithëve si përvojë.
Sikur PD e pas saj tërë opozita të mos kishte djegur mandatet atëhere Rama nuk do të kishte mundur të abrogonte koalicionet parazgjedhore siç ishin praktikuar prej dy dekadash dhe nuk do të mund t’i merrte me këtë truk 2,8% të gjithë mandateve; ose pesë copë siç m’a dëfteu ushtrimi më sipër. Atij që më kujton se faji është më shumë tek hajduti se sa tek roja i gjegjet hazërxhevapi duke sqaruar se nuk ke pse të varësh me dorën tënde mëlçitë në qafë të ujkut.
Sikur PD e pas saj tërë opozita të mos kishte bojkotuar zgjedhjet lokale, nuk parashikoj se do arrinte triumf në to; por PD e vetme fitoi 1/4 e bashkive në 2015 nga Shkodra në Përmet e nga Kukësi në Selenicë. Opozita e 2019 mund të shpresonte me realizëm për më shumë se kaq. Edi Rama i mori pa garë të tëra bashkitë në vend dhe i keqpërdori për zgjedhje duke rritur masivisht punësimin elektoral. Nuk do të doja të rekomandoja që bashkitë e munguara të PD të bënin të njëjtën gjë. Por është e qartë se ato do të ndihmonin shumë fushatën në terren. Sidomos në tre katër qarqe ku formula d’Hondt për dyqind a treqind vota e dërgoi mandatin e fundit nga partitë e opozitës tek PS.
Epilog
Nëse opozita nuk do të kuturisej në pranverën 2019 me shumë gjasë ajo do të arrinte të fitonte të paktën 70-71 mandate. Nëse qeveria Rama në fushatë nuk do të blinte vota, nuk do abuzonte me shtetin, nuk do të thërriste në ndihmë banditët, nuk do të kontrollonte mediat e me radhë, fitorja e opozitës do të ishte më e thellë. Por këto të fundit opozita nuk i ndalte dot. Mund të vazhdoja më tutje me nëse opozita nuk do të bënte gabimin X e Y po do të ishte teprim i panevojshëm. Motivi për këtë shënim nuk është të qarët mbi qumështin e derdhur. Jeta politike vazhdon. Po ashtu edhe detyrimi për të nxjerrë mësime e për të mos përsëritur gabimet.
Genc Pollo
Ish ministër e deputet

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat