Marku: Do ketë luftë në rrugë dhe parlament, kush do largimin e Bashës, shërbyes i Ramës

Shqipëria

Marku: Do ketë luftë në rrugë dhe parlament, kush do largimin e Bashës, shërbyes i Ramës

Më: 5 maj 2021 Në ora: 00:46
Mark Marku

Drejtuesi politik i demokratëve në qarkun e Lezhës Mark Marku deklaroi në dalje nga selia blu ku kryedemokrati Lulzim Basha mblodhi deputetët e rinj, se do ndërtohet një dosje e manipulimit të zgjedhjeve ndërsa edhe njëherë tjetër përsëriti qëndrimin e tij për protesta masive.

Ai u shpreh se do të bëhet luftë për të arritur në drejtësi për rezultatin e 25 Prillit. Zërat që kërkojnë dorëheqjen e Lulzim Bashës nga kreu i PD, Marku i quajti shërbyes të Ramës.

“PD po punon për të dokumentuar dokumentacionin dhe akuzat për masakrën zgjedhore që është bërë në Shqipëri. Normalisht të gjithë e dinë që këtu ka pasur një masakër zgjedhore. Duhen dhënë provat juridike të denoncimeve që janë të pafundme. Duhet ndërtuar një dosje e manipulimit të zgjedhjeve. Pastaj të gjitha format e reagimit nga protestat masive.

Te gjithë format. Mosnjohja e zgjedhjeve nuk nënkupton mospjesëmarrjen në parlament. Do bëjmë luftë në rrugë dhe parlament. Do jetë një luftë totale. Në gjykimin tim duhet të jetë një luftë totale derisa Rama dhe bandat të largohen nga pushteti. Duhen kombinuar të gjitha format e rezistencës.

Bëhet fjalë për një regjim që duhet luftuar në të gjitha format. Ky është gjykimi im personal. Aty ku nuk ka zgjedhje të lira u lind e drejta qytetarëve për të reaguar në të gjitha format. PD nuk do e njohë rezultatin. Unë ata që kërkojnë dorëheqjen e Bashës i konsideroj si shërbyes të Ramës për të larguar vëmendjen nga vjedhja e zgjedhjeve. Mund t’i shërbesh Ramës edhe pa dashje, edhe duke qenë pjesë e Partisë Demokratike”, deklaroi Marku.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat