Shqipëri: PD hap garën për kryetar të ri

Shqipëria

Shqipëri: PD hap garën për kryetar të ri

Më: 17 maj 2021 Në ora: 12:25
Përkrahësit e PD-së në Berat të Shqipërisë. Fotografi e realizuar më 21 prill, 2021.

Partia Demokratike (PD) në Shqipëri ka vendosur të hapë garën për kryetarin e ri të saj, në zgjedhjet e brendshme që do të mbahen më 13 qershor të këtij viti.

Partia do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat ishin planifikuar që të mbahen në muajin korrik, pas një mbledhjeje të mbajtur të dielën në mbrëmje pa praninë e mediave, ku disa prej anëtarëve të partisë kërkuan dorëheqjen e kryetarit aktual, Lulzim Basha, duke thënë se ai është fajtor për humbjen e PD-së në zgjedhje e 25 prillit.

Basha edhe në mbledhjen e kryesisë thuhet të ketë ripërsëritur qëndrimin e tij se zgjedhjet e 25 prillit kanë qenë një “masakër elektorale”, duke hequr përgjegjësitë e tij për rezultatin e zgjedhjeve.

Bëhet e ditur se Basha do të rikandidojë për kryetar të partisë.

Nga një anë qëndron një grup i kundërshtarëve, përfshirë ish-presidentin Bujar Nishanin, kryetarin e Këshillit Kombëtar të PD-së, Fatbardh Kandilli, të cilët i kërkojnë kryetarit Lulzim Basha të japë dorëheqjen duke thënë se ai duhet të marrë përgjegjësi për humbjen e zgjedhjeve të përgjithshme. Nga ana tjetër qëndrojnë përkrahësit e Bashës, të cilët pretendojnë për manipulim të zgjedhjeve, por edhe thonë se Partia Demokratike u rrit nën drejtimin e Bashës.

Në zgjedhjet e 25 prillit, demokratët arritën të merrnin 59 mandate në Kuvendin e Shqipërisë, krahasuar me 46 që kanë pasur në 2017.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat