Raporti i DASH ngre shqetësime për krimin dhe korrupsionin në Shqipëri

Shqipëria

Raporti i DASH ngre shqetësime për krimin dhe korrupsionin në Shqipëri

Më: 25 maj 2021 Në ora: 22:01
Foto ilustrim

Raportet e Departamentit të Shtetit Amerikan mbi Shqipërinë kanë krijuar gjithnjë zhurmë e debat. Çdo vit, aty shkruhet e zeza mbi të bardhë një panoramë e qartë mbi gjendjen e krimit, korrupsionit, të drejtat e njeriut etj mbi Shqipërinë. Sot në Tempora kemi vendosur  të sjellim gjetjet kryesore të raporteve të DASH për vitet e fundit për Shqipërinë.

Në raportin e fundit të publikuar në mars të këtij Viti Departamenti i shtetit vëren me shumë shqetësim se Shqipëria nuk ka bërë asnjë përmirësim e kjo për shkak të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në raport thuhet se : “Vendi ka një ekonomi të madhe parash dhe sektor informal.  Krime të mëdha që krijojnë të ardhura në Shqipëri përfshijnë trafikimin e drogës, evazionin fiskal dhe kontrabandën. Organizatat kriminale shqiptare kanë lidhje në rrjetet që veprojnë në Evropë dhe Amerikën e Jugut”.

Mosndëshkimi i zyrtarëve dhe korrupsioni vijojnë të mbeten problem serioz për Shqipërinë.  Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2020 thuhet se ndjekja penale, dhe veçanërisht dënimi i zyrtarëve që kryen abuzime ishin sporadike dhe jo të vazhdueshme.

“Korrupsioni është i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes, dhe zyrtarët shpesh përfshiheshin në praktika korruptive pa u ndëshkuar”,  thuhet në raportin e DASH për vitin 2020. 

Duket se korrupsioni qeveritar përmes PPP ka qenë dhe një pengesë e madhe për investitorët e huaj në Shqipëri. DASH në raportin e tij e konsideronte Shqipërinë një vend të vështirë për të bërë biznes për shkak të korrupsionit në qeveri e PPP, korrupsionin në gjyqësor apo mungesën e transparencës në prokurimet publike.

raporti i publikuar nga DASH ën 2019 kishte mjaft nota kritike mbi qeverinë shqiptare të kryeministrit Edi Rama. Dash e konsideronte vendin tonë si më të korruptuarin në Ballkan, ndërsa me shumë shqetësim shihej gjendja e kriminalitetit në vend, zbatimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe e drejta e pronës.

Në raport thuhet: Raportimet për korrupsion në prokurimet e qeverisë janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat (3P) ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë. Indeksi i Transparency International i Perceptimit të Korrupsionit e rënditi Shqipërinë në vendin e 99 nga 180 shtete, një rënie prej tetë vendesh nga viti 2017. Rrjedhimisht, Shqipëria tani perceptohet si vendi më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor.

Edhe në 2018 Shqipëria nuk bëri asnjë hap pozitiv në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Në raport e publikuar në korrik të 2018 për Shqipërinë renditen mjaft problematika, ku më e theksuar është korrupsioni. Në raport thuhet se investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme me të cilat vazhdon të përballet Shqipëria.

 “Zbatimi i reformës gjyqësore është duke u zhvilluar, duke përfshirë verifikimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pashpjeguara, por investitorët e huaj e perceptojnë klimën e investimeve si problematike dhe thonë se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes”, thuhet të raportin e DASH për 2018.

Korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë, krimi, kufizimi i lirisë së shprehjes  ishin sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, problemet kryesore në raportin e vitin 2017 për Shqipërinë.

Në raport thuhej se: Ndjekja penale dhe veçanërisht gjetja fajtorë e zyrtarëve që kanë kryer shkelje ishte sporadike. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe persona me interesa të fuqishme biznesi ishin shpesh në gjendje të shmangnin ndjekjen penale. Gjatë vitit 2017 “korrupsioni ishte i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes në Shqipëri.

Në 5 vitet e fundit, siç vërehet nga gjetjet në raportet e DASH, Shqipëria është një nga vendet më problematike në Ballkan sa i përket Korrupsionit në instancat më të larta qeveritare, krimi, gjyqësori  si dhe një klimë shumë e vështirë i të bërit biznes pikërisht për shkak të këtyre fenomeneve. Megjithatë edhe pas gjithë këtyre gjetjeve problematike, sot ende nuk kemi një zyrtar të lartë që është hetuar apo ndjekur penalisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat