Bregu: Urime për të gjithë fituesit e Balkathon që dëshmuan se të rinjtë e rajonit tonë janë inovatorë dhe krijues

Shqipëria

Bregu: Urime për të gjithë fituesit e Balkathon që dëshmuan se të rinjtë e rajonit tonë janë inovatorë dhe krijues

Më: 28 maj 2021 Në ora: 18:09
Fituesit e Balkathon

6 ide fituese nga Ballkani Perëndimor u vlerësuan sot në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në konkursin Balkathon 2.0

Sarajevë / Podgoricë / Tiranë - Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) prezanton fituesit e konkursit të dytë online të Ballkanit Perëndimor për zgjidhjet më të mira digjitale, Balkathon 2.0:

Ø Rogerta Leka dhe ekipi ‘HEST’ nga Shqipëria me idenë e tregut digjital të përqendruar në tregtimin e produkteve të freskëta bujqësore, në kategorinë e-Entrepreunership - 10.000Euro;

Ø Nenad Jovanovski dhe ekipi ‘Bifrost’ nga Serbia me idenë e një makinerie për krijimin e ambalazheve ekologjike të qëndrueshme, të përballueshme dhe një përdorimshe që do të kontribuojë në zvogëlimin e ndotjes nga plastika, në kategorinë e Green Cities - 10.000Euro;

Ø Sanela Pajazitović dhe ekipi ‘Pokupi’ nga Mali i Zi me idenë për ofrues të shërbimit taksi, në kategorinë e Smart City - 10.000Euro;

Ø Aleksandar Kovač dhe ekipi ‘E-klinika’ nga Bosnja dhe Hercegovina me idenë për të krijuar një platformë on-line që i bën takimet e një mjeku më të lehta dhe më të shpejta për pacientët dhe personelin mjekësor, në kategorinë E-Health - 10.000Euro;

Ø Ilir Asllani dhe ekipi i “Kosovo Digital Association”, nga Kosova * me idenë për të ofruar shërbime shëndetësore më të shpejta, më të afërta dhe më pak të kushtueshme për pacientët pavarësisht nga distanca, çmimin special Young Rising Stars - 7.000Euro;

Ø Katerina Klimovska dhe ekipi “ISLAA” nga Maqedonia e Veriut me idenë e një platforme digjitale për të lidhur bizneset e vogla, çmimi special Girls Power - 7.000Euro.

Të gjithë fituesit do të kenë një mundësi për të vënë në zbatim idenë e tyre në Ballkanin Perëndimor dhe t`i prezantojnë ato në Samitin e 4-të Digjital të Ballkanit Perëndimor 2021 në Malin e Zi, i cili është mikpritësi i këtij viti.

“I përgëzoj të gjithë fituesit që dëshmuan se të rinjtë në rajon janë inovatorë dhe krijues. Jam e sigurt që do të bëhemi më të mirë me kontributin tuaj, sepse e ardhmja nuk është nesër, por ajo tashmë ka filluar. Të gjithë ne jemi ende kohë pas kohe të hutuar se ku të shkojmë më tej dhe kjo është arsyeja pse ne jemi të kënaqur që idetë si Balkathon, Futourismo, Digital Summit, Youth Lab, Krijimi i nismave të diasporës nuk janë veprime të izoluara, por pjesë e agjendës gjithwpwrfshirwse të kapitalit njerëzor që jemi duke e parë si pjesë e vizionit të Tregut të Përbashkët Rajonal”, tha Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e RCC.

“Vitin e kaluar ne nisëm një udhëtim për të mbështetur praktikisht inovacionin, sipërmarrjen dhe rininë tonë për të demonstruar dhe ushqyer drejtimin dhe potencialin krijues të rajonit tonë. Ne u befasuam për mirë që edhe katër muaj pas konkursit Futourismo ju dorëzuat përsëri zgjidhje digjitale edhe më inovative dhe kreative nga gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor. Këto iniciativa janë të rëndësishme si një përpjekje për t`i dhënë komunitetit rinor një shans për t'u përfshirë në axhendat rajonale dhe të BE-së. Ballkani duhet të jetë një vend ku të rinjtë të mund të jenë krijues dhe të kenë të gjitha shanset për të jetuar’’, shtoi më tej Bregu.

Tamara Srzentic, Ministre e Administratës Publike, Shoqërisë Digjitale dhe Mediave në Malin e Zi tha në hapjen e ceremonisë se ajo është e kënaqur teksa shikon zgjidhje të tilla inovative që vijnë nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe theksoi se mënyra e vetme për të ndryshuar rajonin tonë është të bashkohemi si një ekip.

Drejtuesja në Detyrë, në Drejtorinë e Përgjithshme për Negociatat e Fqinjësisë dhe Zgjerimit nga Komisioni Evropian, Michela Matuella gjithashtu shprehu mbështetjen e saj për këtë aktivitet dhe përgëzoi RCC-në për rëndësinë që i jep potencialit inovativ që rajoni zotëron.

“Komisioni Evropian është i lumtur që po e mbështet këtë si pjesë e iniciativës së Tregut të Përbashkët Rajonal. Viti i kaluar na tregoi qartësisht rëndësinë e digjitalizimit dhe iniciativa si kjo janë një mjet fantastik për të bashkuar mendje të reja dhe krijuese në gjetjen e zgjidhjeve inovative për sfidat me të cilat përballen shoqëritë tona sot'', tha Matuella.

Konkursi Balkathon 2.0 nisi në 5 maj 2021, si një thirrje e hapur për të gjithë qytetarët e interesuar të Ballkanit Perëndimor, start-up, sipërmarrësit, studentët, qendrat e inovacionit digjital, grupet shkencore, universitetet, NVM-të (Ndërmarrjet e Vogla, të Mesme) të cilët kishin një ide inovative në Smart City, E-Health , Green City dhe E-Entrepreuner.

Nga 90 aplikantë me 90 ide, 37 skuadra me mbi 120 anëtarë të ekipeve u përzgjodhën për të pasur një mundësi për të punuar me mentorë në mënyrë që të zhvillonin më tej idetë e tyre, ndërsa 12 ekipet finaliste patën mundësinë t`i prezantonin idetë e tyre para jurisë eksperte e cila vendosi për 6 fituesit.

E gjithë finalja e Balkathon u transmetua drejtpërdrejt në kanalin e YouTube dhe Faqja e RCC në Facebook.

***

Balkathon është një konkurs rajonal i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga RCC me synimin për të ftuar të gjithë të rinjtë e interesuar, fillestarët, sipërmarrësit, studentët, qendrat e inovacionit digjital, grupet shkencore, universitetet, NVM-të, etj nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të propozojnë dhe zhvillojnë zgjidhje inovative digjitale në përgjigje të sfidave të jetës sonë të përditshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat