Pronarë e turistë, kundër aksionit të shembjeve në bregdetin e Shëngjinit!

Shqipëria

Pronarë e turistë, kundër aksionit të shembjeve në bregdetin e Shëngjinit!

Më: 17 qershor 2021 Në ora: 14:14
Foto ilustrim

Pas disa vitesh në emigracion, Bledar Dushku u rikthye në vendlindje dhe investoi në ngritjen e një biznesi privat në zonën e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin.

Pesë vite më parë, ai bleu token dhe ndërtoi një lokal me konstrukt llamarine e druri dhe e futi në proces legalizimi. “Unë kam jetuar për një kohë të gjatë në emigracion. Pas shumë vitesh vendosa të kthehem e ta siguroj jetesën, pikërisht në vendlindjen time. Bleva një sipërfaqe toke dhe ngrita një biznes privat në zonën e ‘Ranës së Hedhun’. Pasi mora lejen provizore për objektin nga Bashkia Lezhë e futa në proces legalizimi”, thotë Dushku. Mirëpo investimi i tij i jetës u rrafshua brenda pak minutash nga ekskavatori i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, me pretendimin se nuk ka dokumentacionin përkatës. Bledar Dushku thotë se vetëm këtë të martë është informuar për shembjen e objektit të tij dhe pavarësisht dokumentacionit që disponon kjo nuk është marrë në konsideratë nga ana e IKMT-së.

PRONARI I OBJEKTIT

“Më ka ardhur një njoftim nga posta ditën e sotme, ku thotë se objekti juaj është për prishje. Disponoj të gjithë letrat dhe dokumentacionet për këtë biznes dhe nuk arrij të kuptoj motivin e shembjes në një kohë që e kam në proces legalizimi dhe ka një stacion plazhi, i cili është prej 4 vitesh dhe i certifikuar nga Ministria e Turizmit. Kam paguar taksat e Bashkisë për hapësirën e plazhit e po ashtu edhe taksen e truallit për këtë objekt që po shembet tani. Unë kam bërë dhe një sigurim padie në gjykatë, që në asnjë lloj të drejte nuk mund të hynë në objekt. Po këta nuk pyesin për asgjë dhe po shkelin hapur ligjin”, thotë Bledar Dushku. Dushku shton se ky veprim është një dëm mjaft i madh ekonomik për familjen e tij. “Kjo që po ndodh është një dëm shumë i madh ekonomik për familjen time. E kemi pasur biznes familjar dhe nuk kemi asnjë burim tjetër të ardhurash”, shprehet ai. Ndërhyrja ka nisur në zonën e “Ranës së Hedhun”, e do të vijojë në të gjithë vijën bregdetare, ky janë planifikuar për t’u prishur 10 objekte. Deri tani nuk ka pasur rezistencë, po pronarët e objekteve ankohen për ndërhyrje selektive. “Ky aksion është tërësisht selektiv, pasi objekti të tilla ka në të gjithë brezin e rërës në Shëngjin dhe askush nuk po merret me to. Kjo gjë nuk me duket aspak normale. Na kanë njoftuar shumë vonë për shembjet, duke mos na dhënë mundësi as që t’i çmontojmë vetë”, thotë një tjetër pronar objekti që u prek nga shembja.

IKMT

Përfaqësuesit e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes nuk kishin autorizim të flisnin zyrtarisht për mediat, por në komunikimin me pronarët e objekteve u shprehen se ata po zbatojnë ligjin. “Ju kemi dërguar njoftimin për prishje, duke ju dhënë kohë që të veproni vetë. Por diçka të tillë e keni neglizhuar dhe ne jemi të detyruar të ndërhymë për ti shembur. Të gjitha objektet që janë pjesë e këtij aksioni janë pa dokumentacion përkatës, pasi janë studiuar mirë. Nuk ka aspak selektivitet, pasi çdo objekt që nuk ka dokumentacion do të shembet dhe kjo është e padiskutueshme. Këtij aksioni do t’i shkojmë deri në fund, pasi çlirimi i bregdetit nga ndërtimet është objektiv kryesor i qeverisë shqiptare”, u shpreh një përfaqësues i IKMT-së. Prej datës 1 qershor në Shëngjin ka nisur zyrtarisht sezoni turistik dhe numri i pushuesve ka ardhur gjithnjë në rritje. Sami Kodrolli ka ardhur bashkë me familjen nga Prishtina, për të kaluar pushimet verore në Shëngjin.

PUSHUESIT

Por zhurma, e cila po krijohet nga prishja e ndërtimeve, thotë se po ju sjell mjaft shqetësim. “Unë kam ardhur prej dy ditësh për pushime këtu në Shëngjin. Jam bashkë me familjen dhe zhurma që është krijuar nga prishja e këtyre objekteve, po na sjell mjaft shqetësim. Nuk me duket aspak normale që një punë e tillë në bëhet në kohë sezoni. Mendoj që duhet të ishte bërë shumë kohë më parë, pasi kështu po na detyrojnë të largohemi nga këtu dhe po e dëmtojnë turizmin”, thotë Kodrolli. Një tjetër pushuese nga Kosova thotë se këto ndërtime që po prishen, janë ndërtuar prej kohësh dhe duhet të ishte ndërhyrë më parë për t’i shembur dhe jo në kohë sezoni. “Unë kam ardhur për qetësi këtu, por po na bëjnë që të largohemi. Nuk me duket aspak normale që këto ndërtime të prishen në këtë kohë, duke qenë se ka vite që janë ndërtuar. Mund të kishin ndërhyrë në një moment tjetër dhe jo në kohë sezoni turistik. Zhurma po na sjell shumë shqetësim dhe me duket diçka e papranueshme”, thotë pushuesja nga Kosova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat