Turistët e huaj vizitojnë Shkodrën

Shqipëria

Turistët e huaj vizitojnë Shkodrën

Më: 19 qershor 2021 Në ora: 17:52
Shkodër

Shkodra në këtë sezon turistik është gati të mikpresë turistë të shumtë. Për të gjithë të pasionuarit pas historisë dhe legjendave, në hyrje të kryeqendrës së veriut, qëndron hijerëndë kalaja “Rozafa”.

Turistët që kanë trokitur në dyert e rënda të kalasë, nuk janë të paktë.

Grupet e para turistike nga Ballkani por dhe Rusia, Ukraina, Italia e shtete të tjera, kanë mbërritur në Shkodër.

Për disa turistë është hera e parë që e vizitojnë qytetin e Shkodrës dhe për disa të tjerë jo, mirëpo të dyja palët bien dakord se Shkodra është një qytet shumë i bukur.

“Nuk është hera e parë që vij në Shkodër, por është hera e parë që vizitoj kalanë. Është një ndërthurje fantastike mes perandorisë romake, perandorisë bizantine dhe periudhën ilirike, është impresionuese. Është një nga kështjellat më të mira në Ballkan. Unë vij nga Rumania dhe kam shoqëruar disa grupe turistësh dhe shpresoj që të sjellë edhe më shumë në të ardhmen”, tha një turist i huaj.

“Quhem Francesca dhe jam nga Italia, zona e ToskanësËshtë hera e parë që unë vij në Shqipëri, në Shkodër. Vajza ime ka punuar këtu. Më duket bukur, shumë bukur. Magjepse do të thoja. Nga do që kthen kokën, gjen të shkuarën dhe imagjinoj periudha të historisë së kaluar. Është shumë bukur”, u shpreh një turiste e huaj.

Përgjegjësi i muzeut të kalasë së Rozafës, Ndriçim Mlika, tha se gjatë vitit 2021, më shumë se 15 mijë turistë e kanë vizituar këtë kala, një shifër pozitive krahasuar me periudhën e pandemisë. Sipas tij, drejt përmirësimit duket frekuentimi dhe në muzetë e tjerë në Shkodër.

Z. Mlika bëri edhe një shpjegim për objektet historike që gjenden brenda këtij muzeu.

“Pjesa e brendshme është restauruar në fund të viteve ’80 dhe me objektet e gjetura u kthye në muze. Objektet e gjetura i përkasin kalasë së Shkodrës dhe territorit rreth saj që ishte qyteti antik. Ka objekte që nisin nga epoka e bronzit dhe vazhdojnë në mënyrë kronologjike deri në vitin 1914 ku është vendosur edhe objekt më i vonshëm i këtij muzeu”, u shpreh ajo.

Drejtoresha e muzeut historik në Shkodër, Amila Gjyrezi, tha se shtëpia muze e “Oso Kukës” dhe muzeu i “Dëshmisë dhe Kujtesës“ ofrojnë objekte mjaft tërheqëse për turistët, të cilët pas lehtësimit të masave të COVID-19, kanë nisur të shtohen në numër.

Drejtuesja e muzeut shprehet se duhet të ketë bashkëpunim më të mirë për të promovuar këto pika turistike.

“Kemi bashkëpunim të vazhdueshëm me agjenci turistike vendase dhe të huaja. Ne si staf jemi të gatshëm për të promovuar këto tre muze që drejtojmë. Shpresojmë që bashkëpunimi i institucionit të jetë akoma më i mirë”, u shpreh znj. Gjyrezi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat