Rama flet për marrëdhëniet me Erdogan

Shqipëria

Rama flet për marrëdhëniet me Erdogan

Më: 23 qershor 2021 Në ora: 18:45
Edi Rama

Kryeministri Rama insiston se moscaktimi i një date për konferencën e parë ndërqeveritare dje në Luksemburg është një dështim i Bashkimit Europian dhe jo i Shqipërisë dhe as Maqedonisë së Veriut.

Duke folur në Forumin e parë Ekonomik të mbajtur në Shkup, kreu i qeverisë shqiptare tha se do ishte më e ndershme që BE të thoshte ata nuk janë gati për të na pranuar “në familjen e tyre”, sesa të fajësojnë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për mosplotësimin e kushteve. 

Rama u shpreh se Shqipëria nuk ka dështuar, pasi ka qenë gati prej kohësh, por është e gjitha pjesë e politikave të brendshme të BE.

Gjatë diskutimeve në forum Rama foli dhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë dhe Turqinë.

Pjesë nga diskutimet në Forum

-Përshëndetje zonja dhe zotërinj! Është një nder që kemi këtu me ne, Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Është një nder i madh që të zhvilloj një diskutim me Kryeministrin shqiptar, Zotin Edi Rama. Faleminderit shumë Zoti Kryeministër që jeni bashkuar me ne sot, në këtë Forum. Së fundmi keni fituar sërish zgjedhjet dhe kam lexuar se keni thënë se ishte fitorja më e vështirë, më e fortë dhe më e bukur e partisë suaj, kështu që pyetja ime është, cili është vizioni juaj për mandatin tjetër për Shqipërinë dhe si e shikoni rolin e Shqipërisë në Ballkan?

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë! Unë mendoj që sipas përkufizimit, çdo fitore e fundit është më e bukura. Kështu që nuk do të jetë aq e bukur, sa tjetra që do të vijë. Por në fund, fitoret në politikë nuk janë si fitoret në sport, sepse kur fiton një trofe, aq është, kur fiton zgjedhjet ai është vetëm fillimi. Ka të bëjë me të  fituarit e privilegjit për të shërbyer, me përballjen e një misioni mjaft sfidues.

Nga ana tjetër, më duhet të kujtoj këtu, qysh prej fillimit se gjendem këtu, së bashku me vëllain tim Zoran, pas diçkaje jo të re për mua, që ka ndodhur në Bruksel dhe që nuk është e re as për Zoran. Kështu që sërish na duhet të presim. Për mua kjo nuk është pritje. Është njësoj si përherë. Ajo çfarë na duhet të bëjmë është që të vazhdojmë të ecim, të ecim dhe jo vetëm të mbështetmi te ajo çfarë do të thotë Brukseli, por të mbështetemi tek vetja, tek njerëzit tanë, tek energjia jonë dhe të bëjmë sa më shumë të jetë e mundur që t’i shkrijmë misionet në një mision, popujt në një popull, vendet në një zonë ku nuk ka kufij për bashkëpunimin dhe ku katër liritë e Europës zbatohen.

Jemi shumë të vegjël për të jetuar të izoluar nga njëri-tjetri.

Jemi shumë të vegjël për të kërkuar, si të thuash, atë çfarë meritojnë fëmijët e fëmijëve tanë, por së bashku ne mund ta kërkojmë këtë, mund të arrijmë gjërat që ata meritojnë. Pra, hapësirat që kufizohen nga kufijtë tanë nuk janë tërheqëse mjaftueshëm për të synuar një ndryshim transformues si ekonomi. Së bashku është një zonë mjaft tërheqëse dhe na takon ne ta bëjmë të tillë edhe në mënyrë realiste, një zonë, të cilës mund t’i afrohen të gjithë për të investuar, për të parë zhvillim ekonomik, për kompanitë, për njerëzit në këtë hapësirë.

- Duket se organizatorët vijnë nga Greqia, kështu që më lejoni t’ju pyes për marrëdhëniet dypalëshe midis Greqisë dhe Shqipërisë. Jeni takuar me Kryeministrin dhe sipas burimeve greke keni vendosur të përshpejtoni marrëveshjen për arbitrazhin. Duket sikur po ecën me hapa të ngadaltë. Pyetja ime është se sa do të zgjasë?

Kryeministri Edi Rama: Nuk do të thoja që ecën ngadalë, krahasuar me dekada të tëra që është  dashur për ta zgjidhur. Mendoj që është hap i mirë në këtë drejtim. Marrëdhëniet tona dypalëshe me Greqinë nuk kanë të bëjnë vetëm me këtë. Ky është vetëm një problem për t’u zgjidhur, por ndërkohë ne kemi kaq shumë gjëra të përbashkëta. Kemi kaq shumë arsye të përbashkëta për të pritur me padurim, për të patur një bashkëpunim më të fortë. Mund të them që jam surprizuar pozitivisht nga qeveria e re, nga Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, në kuptimin që ata janë mjaft mendjehapur dhe janë njerëz apo përfaqësues që nuk shohin të gjejnë përjashtime, por të gjejnë përfshirje.

Kemi shumë në këtë çështje të gjithë. Natyrisht, Greqia është një realitet ndryshe, duke qenë se është pjesë e Bashkimit Europian, por sidoqoftë edhe për Greqinë është e papërfytyrueshme që t’i kthejë kurrizin rajonit dhe të mos ketë një rol më konsistent, më praktik, në zhvillimin e rajonit. Sigurisht, kriza financiare në një farë mënyrë e ka bërë më introverte politikën greke për arsye të mira, por tani që makthi ka mbaruar, Greqia është ende në shtegun e  sigurtë të rritjes dhe stabilitetit Unë shpresoj që Greqia do të jetë më e pranishme edhe në rajon.

- Më lejo të këmbëngul më shumë përsa i takon marrëveshjes së arbitrimit...

Kryeministri Edi Rama: Në fakt është puna juaj të këmbëngulni dhe është puna ime të jap përgjigjet që dua.

- A ka diskutime për marrëveshjen e arbitrimit dhe për çështje të tjera dypalëshe midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Greqisë si p.sh, ligji i luftës që është një çështje pezull midis dy vendeve. Keni kërkuar diçka..

Kryeministri Edi Rama: Së pari, nuk janë dy çështje të lidhura. Së dyti, ka çështje midis nesh, por unë nuk dua të flas për çështjet si problem. Unë dua të flas për çështjet si mundësi, sepse sa më shumë që t’i trajtojmë ato, aq më mirë është për ne dhe pikë së pari, për popujt tanë.  Sepse kur sheh njerëzit, ndihesh keq që je politikan në këtë marrëdhënie. Nuk ka asnjë problem midis grekëve dhe shqiptarëve. As nuk ka problem midis shtetasve grekë e shqiptarë në Shqipëri, ku ne kemi një minoritet të rëndësishëm grek. E natyrisht, nuk ka asnjë problem midis qytetarëve grekë dhe shqiptarë në Greqi. Janë shumë përpara nesh dhe kam kuptuar se kanë nevojë për njeri-tjetrin. Kështu që, na duhet dhe kemi nevojë të jemi në të njëjtin nivel e të reflektojmë këtë mirëkuptim të njerëzve të zakonshëm për të jetuar së bashku krah për krah.

Kur bëhet fjalë për çështjen e kufirit detar është shumë e qartë. Ne kemi vendosur që të shkojmë në gjykatë dhe jemi shumë të lumtur që pala greke e pranoi këtë. Ishte alternativa ime e parë, qysh prej kohës që jam bërë kryeministër, sepse ne jemi ballkanas, ne jemi mesdhetarë, jemi njerëz pasionantë dhe është e vështirë që ne të jemi objektivë kur na duhet të diskutojmë për diçka. Kështu që na duhet një arbitër. Ndaj kjo do të ndjekë rrugën e vet.

Sa i përket çështjes së ligjit të luftës, ky është një prej paradokseve të mëdha, sepse zyrtarisht ne jemi në luftë me Greqinë. E imagjinon? Shpresoj që qeveria greke do ta heqë këtë, pasi vërtetë është diçka që tregon se kemi mbetur ende mbrapa njerëzve dhe nënshkrimi i Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Sigurisë dhe Fqinjësisë së Mirë në 1996-ën  sigurisht që ishte shprehje e realitetit, por imagjinoni, jemi në një marrëdhënie ku na duhet të jemi fqinjë shumë të mirë, por na duhet të jemi dhe në luftë me njëri-tjetrin. Dashuri tipike ballkanike. Por mendoj se duhet ta heqim këtë, pra, të mos duhemi e të urrehemi në të njëjtën kohë.

- Pra, ju përmendët se ka marrëdhënie të mira midis Shqipërisë dhe Greqisë. Thatë se ka një marrëdhënie mendjehapur, por në të njëjtën kohë e dimë që keni marrëdhënie të mira me Turqinë. Presidenti i Turqisë thotë jeni partnerë strategji, pra, cila është kjo marrëdhënie?

Kryeministri Edi Rama: Jeni xhelozë? Nuk mendoj se duhet të jeni xhelozë. Të gjithë duhet të kenë marrëdhënie të mira me Turqinë dhe mendoj që Greqia duhet të ketë marrëdhënie të mira, BE-ja duhet të ketë marrëdhënie të mira me Turqinë, sepse është absolutisht në të mirë të të dyja palëve e në të njëjtën kohë, të mos pasurit e një marrëdhënie të mirë me Turqinë nuk është një ide e mirë. Kështu që për ne është shumë e qartë. Ne jetojmë në mes  të një trekëndëshi vendesh dhe popujsh dhe historie që na bën ne natyrshëm partnerë strategjikë. Italia, Turqia, Greqia. Kështu që ne jemi në rregull me këtë dhe besoj fort se edhe Turqia dhe Greqia kanë kaq shumë për të ndarë e mund të bëjnë kaq shumë me njëri-tjetrin e për njëri-tjetrin, saqë ndoshta sot, për shumë nuk përfytyrohet se sa e rëndësishme  në të mirë të të dyja palëve mund të jetë kjo lidhje.  Natyrisht që ka çështje, por mendoj sërish se ka mënyrë për t’i zgjidhur ato e një vullnet të mirë dhe e shoh me shumë simpati, kapitullin e ri që po hapet ngadalë,  por në mënyrë të qëndrueshme mes të dyja palëve. Kështu që shpresoj se përmes bisedimeve, ata të zgjidhin dhe më lini të them këtë, duke i njohur të dy burrat, kam menduar gjithnjë dhe vazhdoj të mendoj që, nëse qëndrojnë para njëri-tjetrit dhe e  shohin njëri-tjetrin në sy, ata mund të bëjnë ndryshime të mrekullueshme për këtë marrëdhënie, sepse të dy janë burra me një sens të fortë udhëheqjeje, janë të dy burra të botës e janë të dy burra që kujdesen për popujt e tyre, por dhe për të ardhmen. Kështu që shpresoj se do të ndodhë kështu e shpresoj që do t’u provojë shumë xhelozëve në Greqi se e kanë gabim. Jetojmë në një rajon plot xhelozi, kështu që nuk jeni të vetëm.

- Nuk ka të bëjë me xhelozinë, ka të bëjë me faktin që ndonjëherë Turqia shkel të drejtën ndërkombëtare dhe ky është kundërshtimi që ka Greqia për këtë.

Kryeministri Edi Rama: Unë po flas për xhelozinë tuaj, nuk po flas për xhelozinë zyrtare, sepse kjo nuk më takon mua. Sërish, po, ka qasje të ndryshme, ka interpretime të ndryshme, ka arsye të ndryshme dhe sigurisht ka plot gjëra për të fajësuar, por kjo loja me fajin nuk na çon askund për vite e vite të tëra, kështu që mendoj se, nëse të dyja vendet do të zgjedhin të flasin e ta zgjidhin këtë, do të jetë shumë herë më mirë. Gjithsekush ka arsyet për të fajësuar tjetrin. Unë nuk do të hyj aty e mos prisni të them që turqit e kanë gabim, grekët e kanë mirë. Ashtu siç asnjëherë nuk do të them grekët e kanë gabim dhe turqit kanë të drejtë. Për ne, të dy janë partnerë shumë të çmuar, miq shumë të çmuar, kështu që besoj fort se është në interes të Greqisë për të pasur marrëdhënie të mirë me Turqinë dhe sigurisht, edhe anasjelltas.

- Le të vijojmë tek marrëdhëniet e BE-së me Shqipërinë. Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme, dje nuk arriti një marrëveshje për të nisur bisedimet me Shqipërinë. Vetoja bullgare kundër Maqedonisë së Veriut penalizoi Shqipërinë, në një kohë kur 27 vendet anëtare të BE-së ranë dakord që Shqipëria përmbushte kushtet.

Kryeministri Edi Rama: Nuk është hera e parë që dështojnë të arrijnë një marrëveshje. Jemi mësuar me këtë. Dikur prisja me shumë emocione vendimin e tyre. Ishte njësoj si të përgatiteshe për dasmën, çdo gjë ishte vendosur, ishim veshur mirë, kishim prenotuar muzikën më të mirë, kishim përgatitur ushqimin më të mirë e pastaj nusja nuk vjen. E bën një herë, e bën dy herë, por pastaj harroje. Ata bëjnë atë çka kanë për të bërë. Ne duhet të bëjmë atë çka kemi për të bërë. Nuk ka të bëjë me penalizmin. Nuk ndihem i penalizuar. Nuk ndihem i tillë, sepse ne vazhdojmë të bëjmë punën, ndaj është mirë që së fundi, ata të gjithë bien dakord që ne jemi gati, - ne ishim gati në fakt edhe më përpara, nuk mendoj se për shkak se disa vende thanë që nuk ishim gati, ne nuk ishim gati realisht. Ne e dimë si funksionon. Ata kanë telashet e tyre, kanë zgjedhjet e tyre. Përshembull, kam thënë gjithmonë në Shqipëri, harrojeni deri sa holandezët të bëjnë zgjedhjet. Kështu që befas, pas zgjedhjeve, ne u bëmë gati. Në rregull, ashtu siç legjendari Donald Trump do të thoshte, ja që kështu është.

Unë nuk jam aspak i shqetësuar për këtë. Jam i shqetësuar se sa mund ta shtyjmë përpara, se sa mund të ecim përpara e nuk e bëjmë këtë sepse ca njerëz në Berlin, në Paris apo në Bruksel na kërkojnë ta bëjmë. E bëjmë sepse është gjëja e duhur për të bërë për njerëzit tanë, për fëmijët tanë, për vendet tona, për të ndërtuar shtete europiane funksionale. Sigurisht, ky proces është mjaft i dobishëm për këtë. Kjo është arsyeja pse jemi mjaft të interesuar për procesin, sepse është një instrument, i cili në të kundërt nuk mund të shpiket sepse ka të bëjë me njohurinë, ka të bëjë me gjithë rrugëtimin. Megjithatë, ata mund të mos arrijnë marrëveshje herë pas here dhe nuk është problem. Erdha këtu në fakt për të inkurajuar Zoranin, sepse ai ka bërë përpjekje të pabesueshme, diçka që askush nuk e besonte që mund të ndodhte në këtë vend. E njoh këtë vend. Ne jemi pjesë e këtij vendi, sepse një pjesë e rëndësishme e popullsisë është shqiptare, por të kesh një lider në këtë vend, cili do të bënte gjithçka, të ndryshonte krejt ligjërimin, të luftonte kundër të gjitha gjasave, të hapte partinë e Maqedonisë së Veriut, - jo të Maqedonisë sepse ju jeni grek, - për të përfshirë në listë shqiptarët, për të treguar që kjo është partia e njerëzve, nuk është partia e disa njerëzve etnikisht e për të zgjedhur me ju grekët çështjen, është shumë e madhe. Ai ka të drejtë e të gjithë kanë të drejtë të ndihen të dëshpëruar sepse tashmë del Bullgaria e kërkon diçka më tepër. I thashë Zoranit, me shpresë, nuk do t’ju kërkojnë që të quheni Bullgaria Perëndimore, sepse në të kundërt duhet të shkoni prapë tek grekët. Është shaka Zoran, ti e di.

Jo, ne nuk dështuam, ata dështuan, por ata kanë arsyet e tyre dhe unë e kuptoj, është shtëpia e tyre. Ne duam të hymë atje, por shtëpia është e tyre, nuk është e jona. Ne ende nuk kemi aksione në atë shtëpi. Ne jemi europianë pa BE-në. Ne jemi Europa, jemi në mes të saj, jemi të rrethuar nga kufijtë e BE-së. Është e pabesueshme dhe ende nuk jemi pjesë e shtëpisë së tyre. I vetmi problem që kam me ta është se mund të kishin thënë përherë shumë sinqerisht, që ju duam, duam që të hyni, por kemi ca gjëra që na duhet t’i zgjidhim më përpara, kështu që nuk janë akoma gati dhomat për ju. Jo, ajo çka kanë thënë është që ne ju duam shumë, por ju ende nuk jeni gati. Çfarë domethënë nuk jeni gati? Nuk është e vërtetë. E kjo krijon problem këtu, sepse të gjithë njerëzit këtu në Shqipëri e gjetkë i dëgjojnë këta njerëz me shumë respekt dhe thonë ju jeni problemi, sepse këta njerëz janë shumë të mirë, këta ju presin, por ju jeni problemi. Kjo është e vetmja gjë që unë kundërshtoj. Mund të thonin, e keni bërë punën që duhet të bëni, por nuk jemi ne gati. Jo të thonë që ne ju duam, mezi presim të martohemi me ju, por ju nuk jeni veshur mirë dhe vini erë. Jo, nuk është e vërtetë. Kështu që unë mund të flas pa fund për këtë, por më lini të ndalem këtu, sepse nuk dua të krijoj dhe më shumë telashe për Zoranin.

- Kryeministër, faleminderit për kohën tuaj, faleminderit për praninë tuaj në Maqedoninë e Veriut.

- Kaq ishte, shumë europiane, jo shumë fjalë. Jemi në kohë.

Kryeministri Edi Rama: Nënkupton që kemi mësuar diçka prej tyre.

- Zoti Kryeministër faleminderit shumë që erdhët, që udhëtuat nga Tirana për të qenë i pranishëm këtu. Dua të falënderoj dhe Kryeministrin Zaev. Ishte një moment i shkëlqyer në konferencën tonë.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit shumë edhe për diçka  mjaft speciale që mu desh të përjetoja këtu, sepse falë Forumit tuaj mund të takohesha sërish me një legjendë, zotin Butari, i cili më premtoi se do të vinte në Shqipëri. Akoma nuk e ka mbajtur premtimin, por jam shumë i lumtur që e takova këtu. Ai është legjendë dhe kam shumë respekt për të. Përpara, kur u takuam, Nikolai tha Zoti kryetar i Bashkisë dhe unë i thash jo, ai nuk ka qenë asnjëherë kryetar bashkie, ai është një institucion më vete. Është shembulli i gjallë që socializmi mund të funksionojë.

- Faleminderit shumë! Premtoj që do ta sjellim dhe në Forumin e Tiranës, Zoti Kryeministër

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat