Policia e Tiranës kap në pritë 14 shoferë me shpejtësi

Shqipëria

Policia e Tiranës kap në pritë 14 shoferë me shpejtësi

Më: 3 korrik 2021 Në ora: 08:55
Pamje nga videoja

Pavarësisht masave të rrepta që Policia tha se mori pas tragjedisë së familjes Gushi, nuk kanë të ndalur shoferët që qarkullojnë me shpejtësi të madhe, madje edhe të dehur. Rasti më i fundit qe gjatë natës së të premtes në rrugët Tiranë – Durrës e Tiranë - Elbasan.   

Policia tha se konstatoi 14 raste me shpejtësi deri ën 175 km/h dhe një nga drejtuesit e automjeteve që u kap nga radari me shpejtësi 136 km/orë, ishte i dehur. 31-vjeçari  G.D., 31 vjeç, banues në Tiranë,  kreu provën e alkoolit dhe masa e alkolit tek ai ishte 0.56 mg/l.

Policia Rrugore e kryeqytetit tha se po vijon kontrollin me aparatin e matjes se shpejtësisë , në rrugët interurbane me rrisk për aksidente rrugore si, Tiranë-Elbasan-Tiranë dhe Tiranë-Durrës-Tiranë, për të parandaluar aksidentet rrugore që vijnë si pasojë e shpejtësisë mbi normat e lejuara dhe në të gjitha rrugët e kryeqytetit , me alkooltestues, për të evidentuar dhe ndëshkuar ata drejtues mjetesh që drejtojnë mjetin nën ndikimin e alkoolit apo më keq akoma në gjendje të dehur.

Prej orës 20:00 të mbrëmjes e deri në 23:30 janë evidentuar nga kontrolli me radar 14 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi mbi normat e lejuara, shpejtësi që varionin nga 136 km/h deri në 175 km/h , tejet të rrezikshme , burim potencial për përfshirje në ngjarje rrugore me pasoja për jetën. Njëri prej tyre qe edhe G.D, 31 vjeç.

Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë sinjalistikën rrugore, mos të qarkullojnë me shpejtësi apo më keq akoma, edhe nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje në të dehur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat