Ish-ministri i Ramës kundër Reformës në Drejtësi

Shqipëria

Ish-ministri i Ramës kundër Reformës në Drejtësi

Më: 24 korrik 2021 Në ora: 12:58
Ilustrim

Ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë “Rama 1”, Ylli Manjani ka dalë kundër Reformës në Drejtësi, për të cilën thotë se as reformë nuk mund të quhet, por “deformë”.

Sipas Manjanit, ajo çfarë ka sjellë kjo e ashtuquajtur Reformë në Drejtësi, janë vetëm vakumet e tmerrshme në gjykata e prokurori.

Gjithashtu Manjani sfidon publikisht ambasadorët e huaj në vendin, tonë, ndërsa thekson se nëse kjo deformë diplomatikisht quhet sukses, le të guxojnë këta dilpomatë, që shesin sukses në mediat tona, ta prezantojnë në vendet nga ata vijnë.

“Deforma nuk quhet dot reformë.

Nuk ka reformë që zgjat. Përndryshe nuk quhet reformë.

Kaluan 5 vjet dhe ende nuk i duket fundi.

Në asnjë përkufizim koncepti, libër apo leksion menaxhimi nuk e quan dot reformë një veprimtari të tillë.

Reformë quhet një transformim i menjëhershëm përmirësues i sjelljes apo veprimtarisë së një institucioni.

Por 5 vite, plus nuk dihet sesa vite të tjera, nuk ka lidhje me fjalën “menjëhershëm”. Aq më pak vakumet e tmerrshme në gjykata e prokurori të quhen përmirësim.

Mund ta quash sistem, rregjim por jo reformë. Enver Hoxha, fjala vjen, sundoi me plane 5 vjeçare…

Kjo që u bë ishte një deformim, jo reformim.

Ishte dhe mbeti një veprimtari politike që goditi persona jo fenomene. U konceptua kështu dhe ashtu u zbatua.

Kjo është një deformë që po krijon një kastë gjykatësish e prokurorësh që veprojnë nën presion dhe jo të pavarur.

Nëse kjo deformë diplomatikisht quhet sukses, le të guxojnë këta dilpomatë, që shesin sukses në mediat tona, ta prezantojnë në vendet nga ata vijnë.

Na hapën barkun me histori virtuale suksesi.

E kuptoj që ata avokatojnë disa miliona dollarë që shitet si ndihnë, por mund të jenë njëkohësisht edhe avokatë të miliona njerëzve në Shqipëri që duan e presin drejtësi.”-shkruan Manjani.

Më tej, ai thekson se dështimi nuk mund të shitet pafundësisht si sukses.

“Deforma nuk quhet dot reformë.

Dhe të mos pranosh deformën është qytetari. Mesa dimë edhe në Perëndim kështu quhet: qytetari.

Ndaj nuk më plas fare për arsyetimin idiot se kush na qenka kundër kësa mrekullie, qenka edhe kundër perëndimit. Nuk më

plas sepse është spekulim me idenë e perëndimit dhe të demokracisë.

Vijoj të mbetem i bindur se shqipërinë e do më shumë shqiptari, sado kriminel të jetë.”-thekson ish-ministri.

Po ashtu Manjani i drejton edhe një mesazh opozitës, ndërsa shkruan se nuk duhet të japë konsensusin për ti  zgjatur jetën kësaj “deforme”, sikurse e cilëson ai.

“Nejse, se po u japim më shumë vemendje ambasadorëve sesa punëve tona.

Unë nuk jam që opozita të japë konsensus për ti zgjatur jetën kësaj deforme.

Jo pa bërë më parë një vlerësim të plotë e të detajuar përse vendimi konsensual i para 5 viteve u shndërrua në deformimin e dytë më të rëndë në historinë e shtetit tonë, pas drejtësisë dhe shtetit komunist.”-përfundon postimin e tij Ylli Manjani.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat