Sherri për tokën që i mori jetë 30-vjeçarit! Flasin banorët e fshatit: Viktima nuk ngacmonte njeri

Shqipëria

Sherri për tokën që i mori jetë 30-vjeçarit! Flasin banorët e fshatit: Viktima nuk ngacmonte njeri

Më: 29 korrik 2021 Në ora: 16:04
Banor i fshatit

“Jemi shastisur, ishin njerëz të mirë, nuk e dimë të kenë pasur konflikte”. Kështu e nisin rrëfimin e tyre “News 24” banorët e fshatit Garunjës, ku mëngjesin e sotme, pas një konflikti për tokën mbeti i vdekur 30-vjeçari Romeo Hasalla, si dhe u plagosën babai i tij Shauipi dhe 2 vëllezërit, Emiljano dhe Laerti. Njëri prej banorëve, e cilëson viktimën dhe dy vëllezërit e tij si djem mjaft të mirë dhe shtoi se Reomeo, i cili prej vitesh jetonte në Greqi, kishte vetëm 2 ditë që kishte ardhur për të takuar familjen.

“Ai çuni që ka vdekur, dhe dy vëllezërit kanë qenë djem shumë të mirë. Nuk ngacmonin ndonjë. Kam qëndruar me ta, kemi ngrënë bukë në një vend. Kam punuar me ta. Nuk di të kenë pasur debate të mëparshme, s’di asgjë. Ne jemi çuditur kur kemi mësuar se çfarë ndodhi. Nuk e di se për çfarë ka ndodhur konflikti, sepse jetoj në Greqi. Edhe Romeo (viktima) jeton atje, kishte vetëm 3 ditë që kishte ardhur. Kastriotin e njoh si njeri. Ata qëndrojnë në Itali. Sapo erdhën kanë hyrë në konflikt. Nuk e di sa ditë kishin që konfliktoheshin”, përfundoi banori.

Një tjetër banor i fshatit, e ka shprehur hapur habinë për krimin e ndodhur, pasi sipas tij familjet e përfshira në konflikt, veçse kushërinj me njëri-tjetrin, kanë pasur raporte të mirë. Ai tha se nuk e dinte që kishin tokë dhe se kanë qenë në konflikt për të, pasi në dijeninë e tij, familjet shkonin mirë me njëra-tjetrën.

“Më ka ardhur shumë keq, për të dy palët, sepse janë dy familje të mira. Jam shastisur kur kam marrë vesh ngjarjen. Nuk kemi pasur probleme me ta. Nuk e dinim që kanë pasur probleme. Ata janë kushërinj me njëri-tjetrin. Nuk e di për çfarë toke janë zënë, nuk e di as që ekziston kjo tokë. Ata s’kanë pasur konflikte, kanë shkuar mirë. Kanë qenë të lidhur, s’kanë pasur konflikte. Jam habitur”, tha banori.

Si autor të krimit dyshohet se janë dy vëllezërit, Afrim dhe Kastriot Hasalla. Pasi kryen aktin e rëndë, ata janë larguar nga vendngjarja dhe rezultojnë ende në kërkim nga policia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat