Partia Demokratike nxjerr detajet tronditëse

Shqipëria

Partia Demokratike nxjerr detajet tronditëse

Më: 4 gusht 2021 Në ora: 19:15
Ilustrim

Partia Demokratike akuzon qeverinë si të lidhur me botën e krimit dhe për këtë arsye lejon kultivimin e kanabisit.

Nëpërmjet një deklarate për mediat, PD thotë se gjatë një operacioni anti-Drogë janë konstatuar bimë kanabisi, është ndaluar oficeri i policisë gjyqësore Kastriot Bicukaj.

Selia blu thotë se, Bicukaj është lënë i lirë pasi mbështetet nga kryetari i bashkisë së Fushë-Arrëzit , Fran Tuci. Në deklaratë thuhet se Policia e Shtetit nuk e ka bërë publik këtë operacion.

Deklarata:

Ndarja e politikës nga krimi dhe lufta ndaj trafikut të drogës, që cënon rendin dhe sigurinë, është mision i Partisë Demokratike. Në këtë përballje nuk jemi vetëm, por kemi mbështetjen e qytetarëve dhe policëve të ndershëm, që ndihen të braktisur nga regjimi që bashkëpunon me krimin. I tillë është denoncimi që na ka ardhur sot mbi ndërhyrjen e forcave RENEA në zonën e Pukës. Operacioni ka zbuluar një parcelë të madhe të mbjellur me kanabis, në kuadër të po këtij operacioni është ndaluar oficeri i policisë gjyqësore Kastriot Bicukaj. Kjo çështje duhet t’i kalonte menjëherë SPAK, por oficeri është lënë i lirë duke e kaluar çështjen pranë Prokurorisë së Pukës, falë mbrojtjes politike që ai gëzon prej kushëririt të tij Fran Tuci, kryetar i bashkisë së Fushë-Arrëzit.

Ky operacion, i cili nuk është bërë ende publik nga Policia e Shtetit, dëshmon edhe njëherë se kanabisi është ende një çështje në duart e atyre që e kthyen Shqipërinë në Kolumbinë e Europës dhe se askush nuk ndalohet nëse pas rrënjëve të bimës narkotike shfaqen persona të lidhur me partinë-shtet.

Vendi ynë renditet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si i pari në Europë për prodhimin e kanabisit, pikërisht prej vullnetit politik që e kthen kanabisin në një ndërrmarrje të përbashkët midis krimit dhe partisë në pushtet, ndërsa policinë e shndërron në mbrojtëse të parcelave, apo siç dëshmon hetimi i Antimafies Italiane, duke i përdorur forcat e rendit si punëtorë krahu për ngarkimin e gomoneve me drogë.

Prej vitesh Partia Demokratike ka denoncuar me fakte modelin e bashkëpunimit me krimin të ndërtuar nga Edi Rama. Koha na ka dhënë gjithmonë të drejtë, prandaj nuk duhet pritur që detyrën e institucioneve shqiptare ta kryejnë partnerët ndërkombëtarë, por është detyra e SPAK të marrë në dorë këtë hetim të penguar nga partia në pushtet.

Çrrënjosja e krimit dhe korrupsionit kërkon një drejtësi reaguese, të gatshme t’u kthej besimin qytetarëve dhe policëve të ndershëm që pengohen në kryerjen e detyrës së tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat