Vendimi për të pranuar afganët e rrezikuar nga talebanët ka ngjallur debate në politikën shqiptare. Emra si Ylli Manjani, Sali Berisha e Tritan Shehu nuk është se dolën kundër ardhjes së afganëve, por kanë shpërthyer në kritika kundër qëndrimeve të kryeministrit.
Ishte ish-ministri Manjani, ai i cili me anë të një statusi në rrjetin e tij social Facebook akuzoi kryeministrin Edi Rama se po qëndron krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës vetëm për të marrë përgëzime nga ambasadorja Yuri Kim. Ai u shpreh se gjithë këtë Rama nuk e bëri për humanizëm, por për politikë.
Sipas tij, kryeministri ende nuk ka strehuar popullin e tij nga tërmeti jo më të mendojë për afganët.
“Siç e parashikuam! Gjasme humanizmi është thjesht kolla për të fshehur pordhët politike. Po të ishte për humanizëm nuk kishte pse të negocionte Amerika. Shtetet i bëjnë gjestet humanitare duke mirëpritur njerëz në rrezik e nuk bëjnë zë. Dhe ska pse ta zbulojë një agjenci lajmesh se ka bisedime, sepse qeveria humaniste e bën hapur vendimmarrjen e saj!!! Për humanizmin nuk kërkohet bisedime, por gjeste. Këto të fundit nuk i solli Amerika. Por e gjitha është për politikë. Siç e parashikuam. Sepse në Albanistan po të foli mirë ambasada amerikane je Bos! E parashikuam dje edhe llumhanen që do lëshojë bosi. E ka gjuhë standarde kur kapet në flagrancë. Humanist leshi! Akoma nuk ka strehuar popullin e vet pas tërmetit, i paska ra ndërmend për Afganët”, tha ai.
Gjithashtu kritikat ndaj Ramës vijuan edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Me anë të një postimi ai u shpreh se deklarata e Ramës ishte një përpjekje e qartë për ta përdorur ardhjen e afganëve si përfitim të interesave personale politike.
Sipas ish-kryeministrit, ardhja e afganëve nuk i lan fajet që Rama ka bërë.
“Fjalori prej ordineri të shpëlarë duke sharë dhe anatemuar të tjerët i Edvin Kristaq Ramës në njoftimin e tij drejtuar shqiptarëve për kërkesën e SHBA dhe vendimin e tij për të pranuar refugjatët afganë është dëshmi e përpjekjeve të tij të turpshme për të përdorur këtë vendim për përfitime e interesa personale politike duke e lidhur atë edhe me vasalitetin e tij të neveritshëm ndaj padronit të tij Vuçiç. Me këtë rast le ti themi se ardhja e afganëve në Shqipëri nuk të lan duart nga thikat që ti i fute pas shpine Kosovës”, tha Berisha.
Reagon Shehu
Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Tritan Shehu. Shehu u shpreh se kryeministri do t’i keqpërdorë afganët vetëm për interesat e tij. Sipas deputetit, politikat anti kombëtare të Ramës do të na drejtojnë vetëm drejt Lindjes. “Rama sot publikoi një hartim bosh, sepse ai kërkon të keqpërdorë edhe afganët tashti si monedhë shkëmbimi për interesat e tij. Ai po përsërit skemën e dështuar të armëve kimike, gjë që e kam thënë prej atëherë. Çdo gjë duhet bërë me transparencë, në bashkëpunim me të gjitha faktorët në vend, përfshi dhe opozitën. Problemi e rreziku i tjetërsimit të Shqipërisë vijnë nga politikat anti kombëtare që synon ta boshatisë vendin duke e drejtuar drejt Lindjes. Sepse aty mbijetojnë autokratët. Jo nga realizimi i detyrimeve tona ndaj partnerëve”, tha ai.