Bashkia e Shijakut helmon qytetarët, i gjithë qyteti prej 4 ditësh është kthyer në kosh plehrash

Shqipëria

Bashkia e Shijakut helmon qytetarët, i gjithë qyteti prej 4 ditësh është kthyer në kosh plehrash

Më: 22 gusht 2021 Në ora: 13:20
Shijak

Sot është dita e 4 që qyteti i Shijakut u "zgjua i përmbytur" nga plehrat. Ato janë përhapur ngado dhe po kërcënojnë seriozisht jetën e banorëve në këto ditë të nxehta Gushti. Koshat e qytetit janë mbushur plot, era e keqe mbizotëron në çdo lagje dhe helmet e shkaktuara nga plehrat kanë hyrë deri në shtëpitë e qytetarëve. Në qytet shihen me sy të lirë kafshë të ngordhura, dhe mbeturina urbane që janë jashtë koshave dhe po mbulojnë trotuaret. 

Alarmi që banorët e Shijakut kanë vënë ne media këto ditë nuk ka arritur të zgjidh problemin. Bashkia e Shijakut  ka vendosur ta lërë qytetin në këtë gjëndje duke u bërë vetë shkaktare për përhapjen e sëmundjeve. Edhe më keq është situata pak më tutje, në lindje të qytetit, në Shilorje, ku është gjetur një zgjidhje në dëm të shëndetit të qytetarëve. Aty po digjen mbetje urbane duke nxjerrë re tymi helmues me erë kutërbuese. Kryetari i Bashkisë së Shijakut në një prononcim ditën e djeshme për Fax News, mohon që t'i ketë hedhur bashkia mbetjet në këtë zonë të jashtëligjshme, megjithëse qytetarët deklarojnë në intervista, se kanë parë makinat e Bashkisë që transportojnë  plehra aty. Ndërsa ka pohuar,  se “plehrat po qëndrojnë në kontenierët e qytetit”.

Pra, Bashkia e Shijakut nuk e ka vështirë të pranojë hapur se zgjidhja që ka gjetur, është t’i lë plehrat prej ditësh në kosha.

Në një tjetër prononcim të postuar në FB në faqen zyrtare të Bashkisë Shijak kryetari Arbana thotë, se “Landfilli i Sharrës (në të cilin kjo bashki ka dërguar mbetjet deri tani), na ka lënë  10 ditë kohë dhe plehrat i pranoi falas gjatë kësaj kohe, por kjo marrëveshje mbaroi. Kontrata ka anët proceduriale që duhet ti zbatojmë, janë disa gjëra që kalojnë në këshill, etj për të finalizuar marëveshjen”. Në këtë mënyrë kryetari ja lë fajin procedurave, të cilat sipas tij duan kohë. 

Por burime nga Landfilli i Sharrës sqarojnë se “ka një vit që Bashkia e Shijakut ka kërkuar marrëveshje për mbetjet dhe po një vit ka që depoziton falas. Kërkesën për marrëveshje e përsëriti në Maj të këtij  viti pra rreth 4 muaj më pare, por pasi e finalizoi me kushtet e saj dhe mori kohën e nevojshme nuk e firmosi. Arsyet se pse janë të paqarta”. 

Nga ana tjetër  të njëjtat burime thonë se Landfilli nuk mund të pranojë më mbetje pa tarifë dhe pa marrëveshje, megjithëse deri tani i ka mbuluar vetë kostot financiare të këtij qyteti. Pas një viti depozitim falas, bashkia e Shijakut ka vendosur që koston e mungesës së një zgjidhjeje t'ia kalojë qytetarëve duke ju lënë plehrat në derë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat