Najada Çomo pritet të zëvendësohet nga Mimi Kodheli

Shqipëria

Najada Çomo pritet të zëvendësohet nga Mimi Kodheli

Më: 25 gusht 2021 Në ora: 15:57
Najada Çomo, Mimi Kodheli

Najada Çomo ka dorëzuar mandatin e deputetes, ndaj vendin e saj në parlament pritet ta zërë Mimi Kodheli.

Sipas Kodit të ri Zgjedhor, nëse lë mandatin një deputet që i përket gjinisë së nënpërfaqësuar, në këtë rast grave, vakanca plotësohet nga një kandidat i po kësaj shtrese, pavarësisht renditjes në listë.

“Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të këshillit të bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse, përveçse kur plotësimi i vakancës me kandidatin e radhës ul përfaqësimin e gjinisë së nënpërfaqësuar. Në këtë rast plotësimi i vakancës bëhet nga kandidati i parë në listë i gjinisë së nënpërfaqësuar pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk zbatohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar”, thuhet në Kodin Zgjedhor.

Mimi Kodheli që mbeti jashtë parlamentit nga zgjedhjet e 25 prillit do të jetë pjesë e qeverisë Rama 3. Kodheli renditej e 21 në listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Tiranës, ku PS fitoi 18 mandate.

Tërheqjen e Çomos e bëri me dije kryeministri Edi Rama në fjalën përmbyllëse të mandatit të dytë, teksa tregoi se shefja e infektivit kishte kërkuar që të vijonte të shërbente në spitalin Covid 1 pasi u shtuan rastet e të shtruarve.

Rama: Jam i prekur nga komunikimi me Najada Çomon, ajo më kërkoi para pak kohe të pranoja tërheqjen e saj nga roli i ri i deputetes duke ndjerë shumë të fortë detyrimin për të mos u ndarë nga ekipi i saj kur varianti Delta i virusit arriti të rimbushë shtretërit e pavionit të terapisë intensive. E falenderoj për këtë shembull kuptimplotë dhe i them sot një faleminderit shumë të madhe. Lufta nuk ka mbaruar, vjeshta dhe dimri mund të jenë të vështirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat